FOTO/ Mbrojtja nga Covid 19, mësuesit në Bosnjë ndërtojnë klasën në ambient të hapur
Koronavirusi prej muajsh është bërë një ndër sfidat më të mëdha të qeverive nëpër botë. Këtë muaj pritet që në një pjesë të mirë të vendeve të rinisin dhe shkollat, që shikohet si një ndër sfidat më të mëdha për zbatimin e masave anticovid.
Mediat e huaja bëjnë me dije se mësuesit në fshatin Kaquni në qendër të Bosnjës, kanë përdorur pushimin e verës për të ndërtuar një klasë shkollore në ambient të hapur, jashtë shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos rrezikohen nga COVID-19.
“Modeli ynë ofron ajër të pastër për mësuesit dhe nxënësit. Na lejon të marrim frymë, të flasim dhe punojmë lirshëm. Jam krenar për këtë”, ka thënë Mirza Begoviç një nga mësuesit e shkollës ku janë regjistruar rreth 1000 nxënës.
Ideja për një klasë në ambjent të hapur ka qenë një ndër projektet e mësuesve, por duket se pandemia e ka përshpejtuar punën për hapjen e saj. Klasa u kompletua brenda një muaji, në kohë për të pritur nxënësit pas muajve të mësimit në distancë. Kjo klasë do të përdoret për aq sa lejon moti.
Ndërkohë për ndërtimin e një ambjenti të tillë mësuesit kanë mbledhur disa banka të drurit dhe kanë bërë një rreshtim në formë amfiteatri, ku mund të mbahen edhe shfaqje. Një dërrasë e zezë gjigande qëndron prapa mësuesit.
Shkolla në Kaquni, si të gjitha shkollat në Bosnjë, kanë ndarë klasat në grupe të vogla në mënyrë që nxënësit ta mbajnë distancën fizike. Disa ndjekin mësimin nga shkolla e disa mësojnë nga shtëpia, duke u bërë rotacion vazhdimisht për të parandaluar mbingarkesën e shkollave.
Mbajtja e maskave është ende e obligueshme për nxënësit kur të arrijnë në shkollë dhe largohen nga shkolla, por gjatë mësimit nuk janë të obliguar nëse është duke u mbajtur distanca. /Abc News