Fqinjët që kërkojnë mure

LEONIDHA MËRTIRI leonidha-mertiri-150x150

Kreu i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, krijoi me të drejtë habi, me deklaratën e tij të këtyre ditëve. Ai kërkon ngritjen e një muri në kufirin me Shqipërinë dhe Kosovën. E befasishme dhe shokuese kërkesa e tij. Sipas Medojeviç, sapo Fronti Demokratik të vijë në pushtet, ngritja e murit do të bëhet realitet.

Deklarata si kjo nuk mund të mos zgjojnë shqetësim, së pari në radhët e komunitetit shqiptar në Mal të Zi, por dhe te qytetarët e tjerë mendjehapur malazezë. Reagimi i menjëhershëm i tyre duket se e detyroi liderin malazez të fabrikojë shpjegime të mëtejshme për të zbutur disi nismën e tij të çuditshme. Muri që ai kërkon, tashmë motivohet me “ndalimin e kontrabandës nga mafia malazeze dhe shqiptare”.

Një qëndrim si ky, që vjen nga një fqinj, me të cilin nuk kanë munguar marrëdhëniet normale, vetëm fqinjësisë së mirë nuk mund t’i shërbejnë. Në këtë mënyrë, arritjeve të deritanishme do të thotë t’u vësh minat, duke nxitur urrejtjen midis popujve. Kështu, muret e paragjykimeve i bën male, duke i ushqyer me antishqiptarizëm. Pra, në vend të inkurajimit të arritjeve, ardhur jo lehtë, për t’i bërë kufijtë midis vendeve tona sa më simbolikë, i jep krahë nacionalizmit malazez, ekstremistëve në vend, por edhe më tej, nacionalizmit serb. Për këtë të fundit bëhesh suport i nevojshëm, sidomos në këto momente, kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sapo bisedoi në Beograd me krerët serbë për të shmangur provokimet që pengojnë procesin e normalizimit dhe angazhimit, përmes kompromisit dhe fleksibilitetit në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Deklarata e mësipërme kërkohet gjithashtu t’i ngjajë asaj të “murit me Meksikën”, për të arritur çka përmendëm, por dhe për të realizuar një aspiratë të autorit të saj, rritjen e kredibilitetit të tij, brenda dhe jashtë vendit. Por dhe gati një kopje e deklaratës së një viti më parë e kreut për Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Vojislav Dragoviç, për ngritjen e një gardhi me tela në kufirin me Shqipërinë, për të penguar fluksin e mundshëm të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme. Dhe tërë kjo – në emër të mbrojtjes së interesave kombëtare. Por, në fakt? Një zbehje e kontributit ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të trazuar e mosrespektimit të vlerave të demokracisë.

Në qershor të vitit 2017, Mali i Zi u bë anëtar i 29-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut, pavarësisht kundërshtimeve të njohura të Rusisë, e cila do të shfrynte erëra të rrepta zemërimi ndaj fqinjit të Shqipërisë dhe Kosovës, edhe pse Mali i Zi ka ditur t’u bëjë ballë atyre, i angazhuar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Parlamenti i Shqipërisë e ratifikoi ndër të parët marrëveshjen e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Ndërkohë, për Kosovën, njohja e saj, qysh në fillim nga Mali i Zi, si shtet sovran dhe i pavarur, ishte nga njohjet më të rëndësishme të saj për rrethanat që dihen. Opozita malazeze e quajti këtë atëherë “akt të pashembullt tradhtie të Malit të Zi ndaj Serbisë”. Politikës zyrtare properëndimore të Podgoricës i është dashur të ngrihet kundër qëndrimeve të partive pro serbe apo vetë kishës ortodokse serbe, duke u përpjekur në të njëjtën kohë të forcojë identitetin malazez.

Marrëdhëniet miqësore midis vendeve tona janë të prekshme. Mjafton t’i krahasosh ato me vite të shkuara: në lehtësitë e sotme të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, hapja më tej e pikave kufitare, duke u bërë model i bashkëpunimit ndërkufitar. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të hyjnë në Mal të Zi me kartë identiteti apo letër njoftimi, sikurse dhe për palën tjetër.

Ky raport me këtë republikë është mjaft i vlerësuar nga vendet tona, sepse ai shtrihet edhe gjetkë, sidomos në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në fusha si ato të energjisë, turizmit, transportit detar e tjera. Shfrytëzimi i të gjitha potencialeve nxiti të dyja qeveritë të mblidhen vitin e kaluar në Shkodër. Nga ana tjetër, vetë shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, kanë dhënë dhe japin kontribut të rëndësishëm në forcimin e shtetit malazez, për një shtet europian dhe modern. Por edhe duke pritur më tepër prej tij, për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë dhe identitetin e tyre kombëtar, plotësimin më tej të të drejtave të tyre legjitime.

Prandaj, në tërë këtë sfond, deklarata e kryetarit të Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, që kërkon të ngrejë mure me Shqipërinë dhe Kosovën, mure paragjykimi, duket paradoksale dhe me synime të qarta. Ajo dhe simotrat e saj u bëjnë mirë vetëm nacionalizmave të ndryshme dhe ithtarëve të vet, ngado që faniten. Ngushtimi i hapësirës së tyre përmes një bashkëpunimi shumëplanësh do të ishte më efikasi. Ndryshe, edhe radovan karaxhiçët, sikurse thotë me të drejtë poeti i njohur sllav, Tomislav Markoviç, “do të jetojnë më gjatë, nëse përditë i ruan nga syri i keq…radovan karaxhiçët janë duke u fshehur te secili prej nesh”.

SHKARKO APP