Fuga kundër Eugent Bushpepës, gazetarja i kthehet keq: Zgjohu profesor, merr veten në dorë

Akademiku Artan Fuga ka dalë kundër këngës së Eugent Bushpepës në Eurovision duke kritikuar RTSH për zgjedhjen. Një ditë më parë Fuga e konsideroi turp përfaqësimin e Shqipërisë me këngën e Eugent Bushpepës pasi sipas tij nuk kishte motive shqiptare.

Por, gazetarja Kozeta Kurti ia ka kthyer kritikën Fugës, duke i kujtuar që dhe pse ai ka drejtuar Departamentin e Gazetarisë për vite me radhë në Universitetin e Tiranës, kurrë s’ka bërë asnjë raportim.”

Kozeta Kurti shkruan: “Puna është se ju nuk dini ta bëni këtë edhe pse keni drejtuar Departamentin e Gazetarisë, ndërkohë që s’keni shkruar asnjë lajm në jetën tuaj, asnjë kronikë nuk keni bërë, as një raportim në radio apo televizion.”

Reagimi i Artan Fugës dje

Kush ka turp që është shqiptar!
Hajde kuptoje çfarë dreqin e Zotit ka RTVSH që çon këngë pa pikë identiteti muzikor shqiptar në ‘Eurosong’?

Çfarë keqkuptimi disavjeçar!

Duan të hiqen si gjoja europian, dhe harrojnë se Europa është pikërisht mozaiku i kulturave të ndryshme ku ajo shqiptare si traditë nuk është hiç më pak sesa kultura muzikore e popujve të tjerë.

Mirë që harxhojnë lekët tona kot fare duke prodhuar pa ngjyrë, pa erë, pa shije, por na paraqesin edhe si komb shterpë, në vend të shfaqen me identitetin tonë.

Çfarë dreqin ky provincializëm pa kuptim që na paraqet ashtu sikurse nuk jemi nga frika se mos ashtu sikurse jemi në rrënjët tona nuk u pëlqejmë!

Kush ka turp që është shqiptar?

Dhe jo vetëm në eurosong, por edhe në mjaft emisione të tjera televizive ku imitohet pa pikë shije modeli i huaj i degjeneruar; dhe jo sikurse ai është në të vërtetë, plot sharm dhe cilësi, i mbytur në ujëra të ndejtura deri në kulm.

Mjaft o mjaft!

Televizioni më i shtrenjtë në prodhimin e një minute transmetim.

Noton në lekë, të mbledhura me dhunë burokratike, dhe niveli i audiencave për ibret, dhe kërkon edhe më fort lekë duke e zhytur dorën buçko edhe më thellë në xhepat e pantallonave tona të grrisura.”

Image result for artan fuga

Përgjigja e Kozeta Kurtit

Dikush më dërgoi këtë link të këtij postit të Artan Fugës dhe unë kam kohë ca minuta për t’u argëtuar.
Zakonisht unë nuk e kam pasur zakon për t’u argëtuar me anëtarët e Akademisë së Shkencave, por që kur ky institucion vetëm për rulot që bën qofte zgare nuk u dha me qera, nuk e marr më seriozisht.

Z. Fuga, ju keni të drejtë të kërkoni se ku shkojnë paratë tuaja si taksapagues dhe askush s’ju kërkon llogari për këtë, vetëm se nuk mund të ndërtoni pyetje të klasës së parë fillore, po arsyetoni me analizë, investigoni, thellohuni dhe pyesni më pas.

Puna është se ju nuk dini ta bëni këtë edhe pse keni drejtuar Departamentin e Gazetarisë, ndërkohë që s’keni shkruar asnjë lajm në jetën tuaj, asnjë kronikë nuk keni bërë, as një raportim në radio apo televizion. Ose nëse keni bërë dhe nuk mbahet mend, duhet të ketë qenë “provincializëm”.

Dhe meqë jemi tek ky termi, ju si filozof me shije estetike të sofistikuara, mund t’i shpjegoni publikut gdhë si puna ime, çfarë nënkuptoni me “provincializëm” në këngë? A mund të vazhdoni më tej ju lutem dhe të na shpjegoni pak çfarë “identiteti muzikor” ka Shqipëria që duhej të prezantohej në Festivalin Europian të Këngës?

Nëse gazetarin s’e keni bërë dot, të paktën shërbejini formimit tuaj dhe profilit si filozof dhe na iluminoni edhe ne, provincialeve që ju kemi parë si pasardhës të Aristotelit, Sokratit, Platonit…(asnjërin nga këta nuk njoh, por që mos dukem budallaqe në sytë tuaj, thashë të bëj një kërkim në google).

Na bëni një nder: mësoni edhe ju ta përdorni google-in! Ju betohem që bota ka ecur përpara! E ka tejkaluar Greqinë e lashtë me kohë! E ruan, e çmon, e promovon, por jemi thjesht në shekullin e 21!

Zgjohu presor! Është koha me marrë veten në dorë!”

Image result for kozeta kurti

Reagimi i dytë i Fugës

Tjetër kënga, tjetër diplomacia kulturore
Disa amatorë të këngës që u paraqit në festivalin europian këtë vit janë mërzitur këtu ngaqë kanë kuptuar sikur unë me një status të mëparshëm nuk pëlqej këngën e paraqitur si vjet atje.

Unë nuk hyj në shijet estetike të tyre sepse janë krejt subjektive. Secili pëlqen atë këngë, skulpturë, pikturë, film që e tërheq dhe me të nuk ka punë njeri.

Problemi është që në statusin tim, sikurse shihet fare qartë, unë nuk merrem fare me cilësinë e këngës, as të këngëtarit dhe as me performancën e tij. Qendroj jashtë kësaj. Ai është në punën e tij dhe zbulon talentin e tij me të gjitha vlerat që ka. Madje uroj të dali sa më mirë në renditje duke marrë sa më shumë vota.

Kjo nuk më ka interesuar aspak në planin artistik.

Kurse ajo që ngre unë ka të bëjë me diplomacinë kulturore për të cilën çohen këngët që përfaqësojnë Shqipërinë atje.

Këtu unë mendoj që duhet përfaqësuar me produkte artistike që e shprehin më thekshëm identitetin kulturor të kombit tonë, pa mohuar edhe stilet krejt universale rrok apo cfarëdo tjetër rryme apo modeli.

Kjo nuk do të thotë që të paraqitemi me gajde, çifteli apo me dajre sikurse e kuptojnë disa ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në këtë botë erërash globale që duke i njohur dhe përfshirë duhet të mbijetojmë si komb e si vend në art, kulturë, sport, etj.

Përfshirja e identitetit tonë artistik në artin e kultivuar nuk do të thotë aspak të biesh në folklorizëm.

Puna është që unë mendoj se ne në një event konkurues kulturash që përfaqësojnë vendet dhe kombet, duhet të paraqitemi me kontributin tonë në larminë e kulturave europiane, pra me diferencat tona cilësore, që unë besoj se do të na jepnin më shumë avantazhe, dhe do të na bënin të afirmoheshim më fort mes kombeve të tjerë.

Tjetër pra është kënga dhe këngëtari i paraqitur. Ai është në punë të vet, dhe mesa shoh i mobilizuar për t’a paraqitur denjësisht produktin e tij. Urimet për sukses janë më e pakta. Kurse politikat kulturore dhe seleksionuese nuk kanë të bëjnë me muzikën, as me këngën, as me këngëtarin, por me diplomacinë kulturore, që nuk është art.

Eshtë politikë!”

/BalkanWeb

SHKARKO APP