Gazetarët e televizioneve, heronjtë e ditës!

Nga Lutfi Dervishi –

Ngjarjet e mëdha janë (s)prova më e mirë sidomos për gazetarët!

Mbulimi non-stop i ngjarjes nga gazetarët e televizioneve ka nxjerrë në pah pjesën më të bukur të gazetarisë- reporterët.

Gazetarë që raportojnë si profesionistë të vërtetë: raportojnë fakte dhe jo opinione, raportojnë çfarë shohin dhe jo çfarë kanë dëgjuar, raportojnë çfarë kanë kontrolluar dhe jo çfarë ju serviret, raportojnë me ndjenjë dhe jo si manekinë që lexojnë prompterin.

Jo të gjithë e kanë kaluar me sukses këtë provë të vështirë. Të rinjtë po japin më të mirën dhe ndërkohë po provojnë që gazetaria nuk është profesion i lehtë. Të thuash atë që duhet, ta thuash si duhet, të jesh i qartë, të japësh kontekst, t’i bësh pyetjen e duhur njeriut të duhur- nuk është fort e lehtë. (dhe në këtë pikë nuk jam dakord me ato që thonë: nuk ka pyetje idiote). Për disa të tjerë ngjarjet e mëdha janë pasqyra që u thonë: jeni në profesionin e gabuar…

Këto 3 ditë kemi parë gazetarë që raportojnë sikur të jenë pjestarë të familjes, që rrëfejnë me shpirt, që u dridhet zëri e derdhin lot dhe që rrezikojnë edhe jetën që publiku të shoh atë që nuk e ka parë askush.

Ajo çfarë ne kemi parë është vetëm maja e ajsbergut e mundit dhe sfidës që po përballojnë këto ditë televizionet. Gazetarët dhe kameramanët, ekipet e tyre ndihmëse janë heronjtë që çdo orë po shkruajnë historinë e ngjares më të dhimbshme të 50 viteve të fundit në Shqipëri.

Gazetarët (sidomos ato me përvojë) me stërmundimin dhe profesionalizmin e tyre po i bëjnë një shërbim të madh publikut dhe një shërbim të vyer medias. Ata po rikthejnë besimin te gazetaria.

Tërmeti që tronditi dhe po trondit vendin nxjerr në pah edhe modelin e gabuar mbi të cilin është ngritur gazetaria në Shqipëri. Modeli i deritanishëm është modeli i opinionistit dhe jo modeli i reporterit/gazetarit. Opinionistët “raportojnë” atë që ndodh në kokën e tyre, janë gjithologët/sizmologët e ditës. Gazetarët raportojnë në kohë reale atë që ndodh në vendngjarje.

Kjo ngjarje e rëndë- dëshmon se sa e bukur është gazetaria që nuk bazohet te kasetat e gatshme të institucioneve.

Gazetarët/reporterët këto ditë po dëshmojnë se janë pjesa më e mirë dhe për fat të keq më e pavlerësuara e sektorit të medias.

SHKARKO APP