Gazetari grek: Kam qarë disa herë për familjen Lala
Familja Lala në Durrës u godit më rëndë nga tragjedia e 26 nëntorit. Historia e saj ka përlotur jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt.
Një prej tyre ka qenë dhe një gazetar grek që ditët pas tërmetit ka qëndruar në Durrës dhe ka ndjekur operacionet nën gërmadhat e familjes Lala që humbi 8 anëtarë.
Ai e ka përshkruar i emocionuar atë çfarë ka parë me sytë e tij duke treguar se është përlotur disa herë.
Ata që luftuan nën rrënoja për të nxjerrë njerëzit për të janë heronj të vërtetë.
“Në familjen Lala, që humbi 8 anëtarë të familjes, njerëzit madhështorë, mes dhembjes së tyre na pyesnin nëse duam diçka për të ngrënë. Njerëz me zemër të madhe, bujarë, mikpritës. Shumë herë nuk flisja dot, shumë herë u lotova kur nxirrnin njerëzit nga gërmadhat, fëmijët në batanije. Forcat shpëtimtare që luftonin në rrënoja janë heronj të vërtetë, rrezikuan jetën e tyre. Emocione e dhimbje e papërshkrueshme që do më mbetet e paharrueshme”, ka thënë ai teksa ka telefonuar në transmetimin maratonë të televizionit grek ERT për të mbledhur fonde për Shqipërinë e prekur nga tërmeti.