Gazetari italian: Ku ikën Shqiptarët?

Nga Massimo Cirri*

Ju kujtohen shqiptarët? Erdhën papritur 25 vjet më parë. Vinin të gjithë bashkë, turmë. Më parë nuk ishin këtu, pastaj, papritmas, mbinë në mes nesh. Vinin mbi anije dhe ishin aq shumë, sa anijet gati nuk dukeshin mbi ujë. Anijet shëmbëllenin me një bredh i Krishtlindjeje të bërë mirë e bukur, me kukulla, me topa të ndritshëm, me drita dhe i mbuluar i gjithi, sa ti nuk mundeshe ta shikoje fundin e tij. Bredha Krishtlindjeje të pasur. Por nuk ishin të pasur shqiptarët, ishin një mal me njerëz të varfër, kacavirreshin në litarë anijesh.

Këta shqiptarët vallë kishin ardhur të gjithë këtu? “Po tashti?” qaheshin gazetat e TV-të.

“Po tashti, ç’do të bëjmë me shqiptarët? Ku do t’i çojmë, si do t’i sistemojmë? Kemi vend? Nuk do të ishte më mirë t’i kthenim në shtëpinë e tyre, në Shqipëri?”.

Disa i dërguan, por u kthyen prapë.

“Ose, nëse është e nevojshme të bëjmë diçka, nuk do të ishte më mirë t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre, që kështu të mos vinë këtu? Sepse ne kemi problemet tona dhe nuk mund të rrimë të integrojmë shqiptarët”.

Pastaj, shumë prej nesh thoshin: “Provo të integrosh një shqiptar. Sepse shqiptarët janë shqiptarë. Janë të dhunshëm, janë të këqij. Çfarë integrimi: ky është pushtim, kërcënim, rrezik, dhe ne duhet të mbrohemi”.

Ishin kudo shqiptarët: nëpër gazeta, në porte, te semaforët, në thelbin e shqetësimit tonë.

Tashti, shikoni, janë “zhdukur”. Kur ikën? Dhe ku gjenden tashti?

Janë ende në mes nesh. Janë 482.959. Janë komuniteti ekstrakomunitar më i madh i pranishëm në vendin tonë: vetëm marokenët ua kalojnë, por fare pak.

Por, të jemi të drejtë, shqiptarët vërtet janë zhdukur: Nuk janë më nëpër gazeta, në porte, të kacavjerrë nëpër anije, në kulmin e shqetësimit tonë. I fundit shqiptar për të cilin kam lexuar në një gazetë ishte Altin Prenga, një kuzhinier i famshëm. Ai tregonte se ka ardhur me anijet, kujtonte ditën kur vendosi të nisej për në kurbet. “Një shoku im i shkollës, duke kaluar me makinë bashkë me vëllanë e tij më të madh, më tha se po shkonte në Itali. Eja edhe ti. Shkova t’ua them atyre në shtëpi: mëma qante, ndërsa unë u përgatita për një orë dhe qeshja duke u treguar trim. Ama, sapo ia ktheva kurrizin nënës, buzët nisën të më dridheshin, nga dhembja, gëzimi dhe emocioni bashkë”.

Altini tregon për pashkarexhën ku kishin hipur bashkë 150 persona të tjerë, kujton erën e naftës dhe të qarat e fëmijëve. Tregon se pastaj kishte punuar fort nëpër kuzhinat si pjatalarës. Kokulur. Ishte “klandestin”.

Tregon me pasion Altini, pse është historia e tij, jeta  e tij. I pëlqen të na bëjë të marrim pjesë në atë që ka përballuar vetë për t’u bërë ky që është sot. Të na thotë se si ia ka dalë mbanë. Por tashti neve kjo sikur nuk na intereson aq shumë. Tashti nga ai duam vetëm të dimë se si gatuan kaq mirë. Kemi harruar që është shqiptar.

Nuk shqetësohemi më nga shqiptarët. Ku përfunduan shqiptarët?

Në këtë vend janë shtuar padurimi dhe andrallat. Por nuk gjendet një që të bëjë sadopak racizëm ndaj shqiptarëve. Në një broshurë për Fertility Day, (fushata për të tërhequr vëmendjen mbi lindjen dhe mbrojtjen e fëmijëve), që ndan të ligjtë nga njëra anë dhe të mirët nga ana tjetër, në anën e të ligjve nuk kishte asnjë shqiptar. Është e padrejtë. Ata aty ishin më parë, ndër të këqijtë. Pse janë “zhdukur” tashti? Ku shkuan, xhanëm?

Çfarë ka ndodhur me shqiptarët? Janë tretur? Mos janë integruar?

Nëse u referohemi të dhënave del se janë zhdukur shqiptarët nga kronikat e zeza të medies, nga qendra e problemit, nga shqetësimi se “çfarë të bëjmë me ta?”. Tashti nuk vinë më me anije të mbushura deri në majat e direkëve. Tashti thjeshtë ikin e vinë nga Shqipëria në Itali e anasjelltas si udhëtarë normalë. Duke blerë një biletë për një udhëtim me traget. Në kabinë a në një vend dokudo. Një anije normale.  Jo një anije e tejmbushur me njerëz dhe në rrezik të mbytet. Sepse mbyteshin edhe anijet e shqiptarëve. Dhe vdisnin, shqiptarët. Për një biletë. Për një anije me biletë, ku mund të hipësh lirshëm, si njeri. Tashti nuk vdesin më. Ikin e vinë, lëvizin. Punojnë. Hapin restorante, si Altin Prenga.

(Autori është psikolog, drejtues emisionesh radiofonike. Përktheu për Dita Dilaver Baxhaku)

SHKARKO APP