Gjaku nga pacientët e shëruar nga koronavirusi mund të ndihmojë në trajtimin e infeksionit

Një zyrtar i lartë kinez i shëndetësisë ka bërë thirrje së fundmi për të trajtuar pacientët e prekur nga koronavirusi Covid-19 përmes plazmës së gjakut të pacientëve të shëruar.

Thirrja për të përdorur plazmën (lëngu ku ndodhen të gjithë elementët e gjakut) e këtyre pacientëve është bërë nga kompania shtetërore farmaceutike China National Biotec Group. Por a mund të funksionojë?

Qasja ndaj kësaj ideje është një mënyrë logjike dhe premtuese për të trajtuar pacientët e sëmurë, thonë ekspertë të Live Science, website me përmbajtje artikujsh shkencorë.

Antitrupat janë proteina, të cilat sistemi imunitar i prodhon për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera, të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Sidoqoftë, trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë.

Njerëzit të cilët janë shëruar nga koronavirusi i quajtur së fundmi Covid-19 kanë ende antitrupa ndaj koronavirusit që qarkullojnë në gjakun e tyre. Injektimi i këtyre antitrupave te pacientët e sëmurë mund të ndihmojë, të paktën teorikisht, në luftën kundër koronavirusit.

Megjithatë jo të gjithë janë në një mendje. Disa ekspertë bëjnë me dije se trajtime të tilla duhet të kalojnë së pari procesin e provave të mirëfillta laboratorike, përpara se të aplikohen te njerëzit sepse nuk është ende e sigurt nëse do të ketë efekte pozitive dhe për më tepër, nuk dihet shkalla e efekteve anësore.

SHKARKO APP