Gratë e abuzuara s’janë vetëm! Platforma e veçantë e “Fundjavë Ndryshe”

Dhuna në familje dhe abuzimi seksual mbeten ndër “njollat e zeza” më të përfolura në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm.

Shpeshherë vajzat dhe gratë e gjejnë veten të pafuqishme ndaj këtyre fenomeneve delikate dhe për rrjedhojë vendosin të heshtin si pasojë e presionit shoqëror dhe të rrethanave të tjera të pakëndshme, siç janë shantazhet.

Ende është i freskët rasti tronditës që ndodhi në Babrru të Kamzës, ku një e mitur u abuzua seksualisht për vite me radhë nga një 65-vjeçar.

Fatmirësisht, ajo mori guximin që ta denonconte dhe padiskutim mbetet një ndër vendimet më të mira.

Marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë si dhe numri i lartë i raportimeve të dhunës që janë referuar tek Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”… ky i fundit ka vendosur që të iniciojë një platformë të veçantë.

Bëhet fjalë për një mekanizëm i cili konsiston në mbrojtjen, sigurinë dhe integrimin e viktimave të dhunës në familje dhe abuzimit seksual.

Fondacioni i njohur përmes postimeve në rrjetet sociale bën me dije se programi do të drejtohet nga Emina Çunmulaj: “Ky program do të drejtohet nga Emina Çunmulaj si Zëvendës Presidente, e cila ka punuar me përkushtim pranë Fundjavë Ndryshe për tre vitet e fundit për t’i dhënë mundësi të reja të gjithë njerëzve në nevojë”.

“Kjo platformë e re do të na ndihmojë jo vetëm të rritim ndërgjegjësimin, por edhe të mbledhim fonde që janë shumë të nevojshme për të garantuar sigurinë, shëndetin mendor dhe ekonomik të viktimave të abuzuara. Krahas Arbër Hajdarit dhe një ekipi të ri të profesionistëve shëndetësorë dhe juridikë, ne do të luftojmë për të sjellë drejtësi dhe stabilitet për viktimat e dhunës”, pohon Emina Çunmulaj.

Gjithashtu, njoftohet se mekanizmi në fjalë është një skemë ndihme, që do të kalojë në disa procese.

Çunmulaj, shpreh publikisht vullnetin për të qenë zëri i grave të dhunuara në familje dhe të abuzuara seksualisht në të gjithë botën.

Ajo i bën thirrje të gjithëve që t’i bashkohen kauzës dhe të japin kontributin e tyre:

“Të dashur miq. Po e bëj këtë thirrje sepse kam nevojë për ju! Po e bëj këtë thirrje sepse jam zëri i atyre që janë dhunuar për një kohë shumë të gjatë. Duke filluar nga mua.

Po e bëj këtë thirrje sepse qëndroj përkrah të gjitha grave që kanë nevojë për ndihmë.

Sot kam ndërmarrë një nismë që as në ëndrrat më të çuditshme nuk mund ta imagjinoja se do të kisha mundësinë për ta bërë.

Dua të jem zëri i grave të dhunuara në familje dhe të abuzuara seksualisht në të gjithë botën.

Kam nevojë për ndihmën tuaj për të ndërgjegjësuar shoqërinë, për të mbedhur fonde, në mënyrë që motrat e mia, vëllezërit e mi, nënat tona, nuk do të duhet të kalojnë kurrë gjërat që ato kanë kaluar.

Faleminderit dhe iu lutem bashkohuni me mua”.

https://www.gofundme.com/f/eminacunmulajproject2

Kësisoj, gratë e dhunuara dhe të abuzuara s’do jenë kurrë vetëm!

SHKARKO APP