Hiqet mesatarja në dy degët e Universitetit të Shkodrës

Një ditë pas takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruci, ku ngritën shqetësimet e tyre për ulje të numrit të regjistrimeve të studenteve në universitete, rektorët kanë marrë në duar vendimin e ri të këshillit të ministrave.

Për të zbutur sadopak zbrazjen e auditorëve, qeveria ka vendosur të heqë mesataren për ata që duan të regjistrohen në degën e arteve apo edukim fizik.

Adem Bekteshi, Rektor i USH “L.Gurakuqi”: Me vendimin nr 651 të datës 30/10/2019 Këshilli i Ministrave ka hequr pragun e notës mesatare për këto kategori nxënësish që duan të regjistrohen në universitet.

Edhe për studentet e trevave shqiptare nuk do të merret parasysh nota mesatare, e në këtë pikë universiteti i Shkodres shpreson të përfitojë së paku nga të rinjtë që vijnë prej qyteteve të Malit të Zi.

Mësuesia që është një nga pikat më të debatuara lidhur me mesataren 7.5, mbetet e pandryshuar sqaron Bekteshi.

Adem Bekteshi, Rektor i USH “L.Gurakuqi”: Mesatarja për degët e mësuesi nuk ka ndryshuar, ajo është 7.5. Megjithë kërkesat e vazhdueshme që janë bërë që në këto degë të regjistrohen të gjithë studentët, por në master të shkojnë ata studentë që kanë plotësuar këtë kriter në hyrje, përsëri nuk është bërë gjë.

Të rinjtë që duan të përfitojnë nga këto ndryshime duhet të shpejtojnë të kapin afatet e raundit të tretë. Universiteti i Shkodres deri më tani ka plotësuar 60% të kuotave ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e vitit të ri akademik.

/Ora News

 

SHKARKO APP