Histeria antieuropiane që ka shpërthyer
Nga Redi Varaku –
Ka nisur një histeri antieuropiane nga pinokë me pagesë të rilindjes, e drejtuar kryesisht kundër Francës, Presidentit të Francës Macron dhe paturpësisht kundër gruas së tij.
Të zemëruar me izolimin dhe bllokimin e integrimit, kukuvajkat e njohura të rilindjes Mero Baze, europiani i frustuar Sokol Balla, Dritan Hila , Shpëtim Nazarko , Alfred Peza etj,kanë filluar të ndezin një frymë në rritje anti-Perëndimore.
Një frymë, që nxitet nga një retorikë e patriotizmit folklorik, ku dështimet e qeverisë shpjegohen me taktikën e një Presidenti Francez, të martuar me një grua ‘plakë’, i cili ka probleme të brendshme elektorale në Francë ndaj bllokon padrejtësisht Shqipërinë.
Në fakt , është hera e parë që ka një reagim të tillë ndaj një vendimi të Bashkimit Europian nga partia socialiste dhe rilindja prej vitit 2013.Kjo sepse ky vendim e thotë qartë dhe prerë që Shqipëria jo vetëm nuk është gati për tu integruar në BE, por ka bërë hapa pas përsa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ky vendim në fakt është edhe akti i fundit i refuzimit për këtë çetë të lodhur.
Vetëm imagjino se si do të hapej shampanja dhe histeria kundë PD, nëse do kishim një po nga BE, qoftë edhe me kushte?
Sigurisht, dihet që orkestruesi i këtyre sulmeve është vetë Rama. Edhe pse kjo nuk është diçka e re , për të majtën shqiptare, kjo është shumë e natyrshme, për shkak se tradicionalisht partia socialiste dhe rilindasit përfaqësojnë me ndershmëri linjën anti-Perëndimore dhe aleancën me Rusinë. Ata historikisht e kanë urryer Europën dhe Perëndimin.
Kryetari i Partisë Socialiste, i vuri në kor tellallët e tij që të quajnë ‘ ‘antieuropian’ vendimin e BE , për të bllokuar integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse mesazhi që vjen nga ky vendim është shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Është si një varrè kokës për qeverinë, sidomos për propagandën e saj.
Vendimi nënkupton largimin e establishmentit të vjetër politik dhe zëvendësimin e tij me një udhëheqësi të re si në Kosovë , pra, shkurt dhe prerë dorëheqje dhe zgjedhje të lira me standarte perëndimore.
Por, ndërkohë që Zaev, qeveria e të cilit nuk kishte marrë asnjë kusht dhe u bllokua vetëm për shkak të qeverisë shqiptare, e mori menjëherë mesazhin, kryeministri dordolec shqiptar është i vendosur ta shkatërrojë Shqipërinë në emër të pushtetit dhe karriges.
Nëse e shikon dhe më gjerë fjalorin e mediave mercenare të qeverisë shqiptare kundrejt Francës, Hollandës, Danimarkës etj , vëren një frymë në rritje me plot doza anti-Perëndimore, edhe kundër vetë Bashkimit Europian.
Gazetat dhe blogjet e qeverisë, po mbushen përditë me mllef dhe urrejtje kundër Perëndimit , se BE do shkrihet para se të hyjmë ne, ose me një çmenduri në rritje të akuzave se BE ka kryer krime , apo se BE është më e korruptuar se ne.
Zemërimi i tyre është me vend pas miliardave të shpenzuara për të blerë hapjen e negociatave nëpërmjet blerjes së komisionerëve të Zgjerimit dhe ambasadores Vllahutin, e cila është përfshirë personalisht në dy skandale të forta korrupsioni , dhe rasti korruptiv i tenderit të faturimeve, ku kompanisë kroate me lidhje të dyshimta me Romana Vllahutin , qeveria shqiptare i dhuroi 15 milion dollarë.
E përbashkëta e këtyre sulmeve është një linjë e re e kundërshtimit të Bashkimit Europian ,duke e trajtuar vendimin kapital të Europës kundër qeverisë, si një problem që nuk ka lidhje me Shqipërinë, por është një problem i brendshëm i Europës. Madje, ka nga ata idiotë sa shkojnë deri aty sa deklarojnë që ky vendim do të sjellë edhe fundin e Europës.
Frika nga kushtet e Bundestagut dhe vendosmëria e Francës dhe Hollandës, i ka bërë ata shumë agresivë, sepse i tregon ata me gisht si përgjegjësit për transformimin e Shqipërisë në një narkoshtet, por njëkohësisht i kërkon të largohen me anë të zgjedhjeve të parakohshme, ndryshe nuk ka negociata .
Spekullimi me modelin e Europës së korruptuar , me probleme të brendshme, i ndihmon të dalin përkohësisht nga situata, por nuk e ndryshon dot realitetin e rëndë të krizës shqiptare.
Për qeverinë shqiptare sot nuk ekziston më rreziku rus në Shqipëri , që ironikisht partia më proruse në Shqipëri është përpjekur ta fabrikojë prej vitesh për Opozitën, sepse “armiku” real i Shqipërisë për ta, tashmë është Franca, Hollanda, Macron dhe gruaja e Macron. Më në fund maska pro-perëndimore e PS ra dhe PS u rikthye tek orientimi i saj tradicional, drejt Jugosllavisë, Moskës dhe Lindjes.
E përbashkëta e gjithë kundërshtarëve me pagesë të Europës në Tiranë, është pikërisht tendenca e re për të konsideruar kushtet e Bundestagut nul dhe për t’iu mos ju bindur kushteve të Europës dhe për ta dështuar deri në fund integrimin e shqiptarëve në BE me argumentin idiot, se është Europa që nuk na meriton , se është Europa që duhet të ndryshojë standardet e saj, sepse përndryshe çeta e përdalë e atyre që na udhëheqin sot, do ta çajë e vetme këtë bllokadë të imperialistëve europianë.