Historia e gjeneralit që u diplomua në Torino dhe Moskë dhe përfundoi punëtor llaçi

Nga Dashnor Kaloçi –

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Todi Naços me origjinë nga Pogradeci, babai i të cilit, Spiro, mik i ngushtë i Fan Nolit, pasi kishte financuar ndërtimin e Kishës së Shën-Kollit në SHBA-ës, në vitin 1924-, me ardhjen e Nolit në pushtet, u emërua prej tij në detyrën e Sekretarit të Bashkisë së Pogradecit, pasi ishte në vështirësi të mëdha ekonomike, sepse kishte harxhuar të gjithë kursimet e tij për ngritjen e asaj kishe. Dërgimi i të birit, Todit për të studjuar në Shkollën Mbretnore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, nga ku më pas ai përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Artilerisë, duke fituar dhe gradën e nëntogerit.

Kthimi i tij në Shqipëri dhe dezertimi nga fronti i luftës italo-greke në vitin 1940-të ku ishte efektiv i Batalionit “Tomorri” dhe angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste me shokun e ngushtë, Reshit Çollakun, në zonën e Pogradecit, pasi më parë ishte përndjekur nga autoritetet italiane që shkuan për ta arrestuar dhe për t’i djegur shtëpinë në qytetin e Pogradecit, ku oficeri italian, pa bibliotekën e tij të pasur, i la një shënim ku thuhej: “Zoti Naço, gjynah që një njeri i kulturur si ty, të kthehet në një bandit”.

Dalja e Todit partizan në Brigadën e Përë Sulmuese të Mehmet Shehut, ku ai deri në përfundimin e Luftës morri pjesë në të gjitha betejat që bëri ai formacion partizan, duke qenë si komandant i Artilerisë dhe një nga miqtë e ngushtë të Mehmet Shehut.  Konflikti i Todit me Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1949-të, pasi Enveri dyshonte se Naço me gjeneralin tjetër, Tahir Kadarenë, kishin nxitur gjeneral Gjin Markun  t’i kërkonte Koci Xoxes në Kongres, që ai të thellohej në autokritikën e tij lidhur me fajet e Komandantit të Përgjithshëm, sidomos për lidhjen e nënshkrimin e Traktatit të Bashkëpunimit Reciprok me Jugosllavinë, e cila kishte sjellë më pas rrënimin e ekonomisë shqiptare.

Dëshmitë e të birit të tij, Fatos Naço, lidhur me spostimin që iu bë Todit duke u dërguar me studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, ku ai u diplomua me rezultate të larta dhe kthimi i tij në Shqipëri, ku ai u emërua në disa detyra të larta me gradën gjeneral-major, dhe si Komandant i Artilerisë Kundërajrorë të Ushtrisë Shqiptare, ku ai shërbeu me vullnet e pasion të rrallë deri në vitin 1975, kur u akuzua si “bashkëpunëtor i ngushtë i Beqir Ballukut” dhe u internua në rrethin e Beratit, ku punoi si punëtor llaçi deri në shëmbjen e regjimit komunist.

“Pasi na internuar nga Tirana në Berat, më 1 prill të vitit 1976 na njoftuan se duhet të paraqiteshim në mbledhjen e Frontit të cilën e kishin organizuar enkas për familjen tonë që të na bënin demaskimin në publik. Në mbledhjen që zhvillohej në ambient të hapur para zyrave të Frontit të asaj lagjeje ku ishin mbledhur të gjithë banorët e saj, shkuam të tre, babai, nëna dhe unë. Mbledhjen e hapi Kryetari i Frontit i lagjes, i cili iu drejtua të pranishëmve duke u thënë: ‘Sot jemi mbledhur për të marrë në analizë veprimtarinë armiqësore të Todi Naços, njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të grupit puçist të Beqir Ballukt. Ne si kryesi fronti kemi vendosur që ta internojmë, por iu mblodhëm për të dëgjuar dhe mendimin tuaj’. Pasi ai përmëndi dhe një numër akuzash tepër të rënda në adresë të babait, turma e njerëzve u ngrit menjëherë duke bërtitur në mënyrë histereike me thirrjet: ‘Në litar, në litar armikun e popullit”.

Kështu dëshmon për Memorie.al, Fatos Naço, i cili tregon të gjithë historinë e familjes tij dhe babait, gjeneral-major, Todi Naço, i konsideruar si njëri prej ushtarakëve më të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare me detyrën e Komandantit të Artilerisë, i cili ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Torinos në Itali dhe “Voroshillov” të Bashkimin Sovjetik dhe në vitin 1975 u godit nga Enver Hoxha, i akuzuar si “bashkëpuntorë i grupit puçist të Beqir Ballukut”, duke u internuar për 15 vite fshtrave të Beratit, ku dhe vdiq në mjerim të thellë i akuzuar si armik i popullit.

Cila ishte e kaluara e Todi Naços, si mundi ai që të fitonte bursën për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake të Torinos dhe përse në vitin 1940, dezertoi nga Ushtria Kombëtare? Përse në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1949, ai u cilësua si person antiparti së bashku me gjeneralët e tjerë Gjin Marku, Tahir Kadareja dhe Nexhip Vinçani? Si e prti gjeneral Naço heqjen e gradave në vitin 1966 dhe si shprehej ai kur e pyesnin për atë gjë? Përse në vitin 1975 ai u quajt si bashkëpunëtor i grupit puçist të Beqir Ballukut dhe çfarë bisedoi ai me Mehmet Shehun kur nuk e lejuan që të mbante kumtesën me rastin e 30 vjetorit të Çlirimit?

Si u demaskua ai në qytetin e Beratit ku e dërguan që të punonte si puntor në ndërrmarjen e përgatitjes së llaçit? Si u trajtua ai gjatë periudhës së internimit në fshatin Lapardha dhe çfarë shkruante ai në ditarin e tij lidhur me figurën e Enver Hoxhës dhe si e ironizonte atë?

Spiro Naço, mik i Nolit, financon Kishën e Shën-Kollit në SHBA

Todi Naço u lind në vitin 1914 në qytetin e Pogradecit, prej nga është dhe origjina e familje së tij. Babai i tij, Spirua gjatë fillimit të viteve ’20-të u lidh me Fan Nolin dhe pas “Revolucionit të Qershorit” në qeverinë e kryesuar prej tij, ai u emërua në funksionin e Sekretarit të Bashkisë së Pogradecit. Sipas dëshmive të nipit të tij, Fatos Naç, Spiro njihej nga të gjithë pogradecarët dhe sidomos nga mërgata shqiptare e Amerikës, për kontributin e tij të madh financiar që ai i dha Fan Nolit për ndërtimin e Kishës së Shën-Kollit në SHBA. Duke i harxhuar të gjitha kursimet e tija për atë kishë, Spiro u kthye në qytetin e tij të Pogradecit, duke mos pasur mundësi që të blinte asnjë lloj prone apo pasurie. Në ato kushte ai u detyrua që djalin e madh Todin, ta dërgonte për të studjuar në Shkollën Mbretërore Ushtarake të Plotësimit të Oficerëvë në Tiranë, të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1935. Pas kësaj qeveria e Mbretit Zog i akordoi atij një bursë shtetërore që të vazhdonte më tej studimet pranë Akademisë Ushtarake në Torino të Italisë, (në degën e Aplikimit të Artilerisë) të cilën ai e mbaroi po me rezultate të shkëlqyera, duke marrë pikët maksimale në mbrojtjen e diplomës. Pasi u diplomua si oficer me gradën e nëntogerit në specialitetin e artilierit, në vitin 1939, Todi u kthye në Shqipëri dhe qeveria mbretërore e asaj kohe e caktoi që të shërbente në Garnizonin Ushtarak të qytetit të Shkodrës.

Todi, në luftën italo-greke, me batalionin “Tomorri”

Sipas dëshmive të Fatos Naços, duke qenë efektiv i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare me gradën e kapitenit, në vitin 1940, Todi u caktua të merrte pjesë në luftën italo-greke me Batalionin “Tomorri” i cili përbëhej nga ushtarë dhe oficerë shqiptarë. Ashtu si shumë ushtarakë shqiptarë, edhe Todi nuk pranoi që të luftonte kundër ushtrisë greke dhe e braktisur frontin e luftës. Ajo gjë u bë shkak që ndaj tij të nxirrej urdhëri i arrestit dhe kur karabinierët shkuan për t’i bërë kontrollin e shtëpisë në Pogradec, oficeri italian u habit kur aty pa një bibliotekë jashtzakonisht të madhe me libra nga më të kërkuarit. Pasi e soditi mirë e mirë bibliotekën, oficeri italian i la Todit një copë letër ku shkruhej: “Zoti Todi, më vjen keq që një njeri si ju të përfundojë si bandit” dhe pas kësaj ai u largua duke mos i djegur shtëpinë ashtu siç e kishte urdhërin. Pasi u largua nga fronti i luftës italo-greke, Todi u kthye në shtëpinë e tij në Pogradec, ku qëndronte i fshehur nga frika e arrestimit. Në këtë kohë ai u lidh me shokun e tij të ngushtë, Reshit Çollakun dhe bashkë me të u muarën me organizimin e formimit të çetave partizane të asaj krahine deri në qershorin e vitit 1943 kur u inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese të Mehmet Shehut. Në atë formacion partizan atij iu caktua detyra e Komandantit të Artilerisë dhe ai morri pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo brigadë. Duke qenë një artilier i specializuar dhe tepër i aftë, në nëntorin e vitit 1943, pak kohë pasi gjermanët kishin hyrë në Shqipëri, Todi Naço u caktua nga ana e Shtabit të Përgjithshëm dhe mori pjesë në goditjen me top që iu bë Asamblesë Kombëtare e cila ishte duke zhvilluar punimet nën kryesinë e Regjencës në Pallatin e Mbretit Zog në kodrat e Saukut.

Goditet nga Enveri në Kongresin e Parë të PKSH-së

Mbas përfundimit të Luftës, Todi u caktua për disa kohë si Komandant i Artilerisë në Divizionet e Korçës dhe Elbasanit dhe më pas erdhi në Tiranë me detyrën e Shefit të Shtabit në Komandën e Artilerisë, e cila komandohej nga gjeneral-major Hulusi Spahiu. Në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1949, Todi Naço pësoi goditjen e parë së bashku me Tahir Kadarenë, Gjin Markun e Nexhip Vinçanin, pasi Enver Hoxha dyshoi tek ata se kishin dashur dhe kishin nxitur Koci Xoxen për të folur rreth fajeve të Komandantit të Përgjithshëm, i cili në funksionin e Kryeministrit, kishte nënshkruar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Reciprok me Jugosllavinë, gjë e cila kishte çuar në rrënimin e ekonomisë shqiptare. Po kështu një nga akuzat e tjera që iu bënë asokohe Todi Naços dhe gjeneralëve të tjerë, Gjin Marku, Tahir Kadare e Nexhip Vinçani, ishte se ata kishin dashur që të rrëzonin me kompllot Shefin e Shtatmadhorisë Beqir Balluku dhe të merrnin vetë nën kontroll drejtimin e asaj Ministrie. Lidhur me këtë, djali i Todi Naços, Fatosi kujton: “Është e vërtetë se në atë kohë babai ka pasur miqësi të ngushtë me Gjin Markun, Tahir Kadarenë e Nexhip Vinçanin, por siç më ka treguar ai gjatë kohës që ishim në internim, ata kurrë nuk kishin dashur që t’i bënin kopmllot Beqir Ballukut. Ata ishin dhe kërkonin vetëm që në funksionet drejtuese të Ushtrisë Shqiptare dhe në Ministrinë e Mbrotjes Popullore të viheshin ushtarakët e aftë e të shkolluar dhe jo partiakët”, kujton Fatosi, lidhur me akuzën që i’u bë të jatit të tij në Kongresin e parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës

Pas akuzave që iu bënë Todi Naços në Kongresin e Parë të PKSH-së, për ta mënjanuar sadopak, atë e dërguan për studime në Bashkimin Sovjetik, pranë Akademinë Ushtarake të Shtatmadhorisë “Voroshillov” në Moskë, të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1955, duke u specializuar më tej në degën e Artilerisë, për të cilën ishte diplomuar në Torino që në vitin 1939. Lidhur me këtë, djali i tij Fatosi dëshmon: “Pasi u kthye nga Bashkimi Sovjetik, Todit iu dha grada gjeneral-major dhe u caktua në detyrën e Komandantit të Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë. Në këtë detyrë ai qëndroi deri nga fundi i viteve ’60-të, duke punuar me shumë vullnet e pasion për modernizimin e Ushtrisë Shqiptare, kur me propozim direkt të Enver Hoxhës, ai u emërua në detyrën e Komandantit të Mbrojtjes Kundërajore pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Nga shumë miq e kolegë të babait, emërimi i Todit në atë detyrë, u bë nga Enver Hoxha, pasi në atë kohë Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar Çekosllavakinë dhe Enveri i trembej ndonjë sulmi ajror që mund të bënin sovjetikët ndaj Shqipërisë. Ashtu si shumë ushtarakë të tjerë edhe babai e vuajti shumë heqjen e gradave në vitin 1966 dhe thoshte se me atë veprim u prish rregulli numër një i ushtrisë, i cili dallonte vartësin nga eprori. Kur ndonjë nga kolegët e tij ia kujtonte heqjen e gradeve, ai me ironi i përgjigjej: ‘Nuk prish shumë punë se më hoqën gradat, sepse unë tani kam llullën”, kujton Fatosi djali i dytë i gjeneral-major Todi Naços, komandantit të Artilerisë Kundërajrore të cilin të gjithë ish-kolegët e tij ushtarakë e mbajnë mënd gjithnjë me llullën e ndezur.

Goditja në vitin 1975, si “bashkëpunëtor i Beqir Ballukut”

Në vitin 1974, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullor dhe Ushtrisë Shqiptare, edhe Todi Naço u godit nga Enver Hoxha, duke u etiketuar si  “bashkëpuntorë i Grupit puçist të Beqir Ballukut e Petrit Dumes”. Po deri ku e shtriu Enver Hoxha goditjen ndaj gjeneral Naços, tashmë pa grada dhe çfarë masash mori ai ndaj tij? Lidhur me këtë, djali i tij, Fatosi kujton: “Babai e ndjeu se do të goditej nga Enver Hoxha i cili s’ia harronte kollaj “implikimin” në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1949-të. Nisur nga ky fakt, ashtu siç u veprua me disa nga  krerët më të lartë të Ushtrisë Shqiptare, në nëntorin e vitit 1974 atij ia ndaluan që të mbante një kumtesë të cilën e kishte përgatitur me rastin e një mbledhje jubilare për nder të 30 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Babai u mërzit shumë nga kjo gjë dhe shkoi për t’u ankuar tek Mehmet Shehu që e kishte mikun më të ngushtë dhe tepër konfindecial. Nuk e di me saktësi se çfarë bisedoi babai me Mehmetin, pasi babai në atë kohë nuk bënte kurrë të tilla biseda në shtëpi me ne, por vite më vonë ai n aka treguar se Mehmeti e këshilloi dhe mbas atij takimi ai u përgatit shpirtërisht për të përballuar çdo situatë që mund t’i paraqitej. Dhe kështu ndodhi vërtet. Më kujtohet si tani dhjetori i vitit 1975, kur babai erdhi në shtëpi tepër i mërzitur, pasi e kishin përjashtuar nga partia. Ai hyri në dhomën ku po mësoja unë dhe më tha: ‘Fatos ti je i rritur tani dhe duhet ta kuptosh situatën ku ndodhem, prandaj duhet të bëhesh trim e të mos frikësohesh per çdo gjë që të ngjasë’. Pas kësaj, babai filloi që të digjte të gjitha spaletat me grada të cilat i kishte ruajtur që nga viti 1966 dhe gjithashtu edhe shumë libra e revista në gjuhë të huaj, me të cilat ishte e mbushur pothuaj e gjithë biblioteka e madhe e shtëpisë sonë. Mbas përjashtimit nga partia, nuk kaloi shumë dhe babanë e njoftuan se duhej të largohej familjarisht nga Tirana. Ai shkoi në Komitetin Ekzekutiv dhe i tha Kryetarit: ‘Kaq shpejt’. Kryetari iu përgjigj se nuk mund ta ndihmonte dot, pasi ashtu e kishte urdhërin nga lart. Të nesërmen pranë hyrjes së banesës sonë aty tek Pallatet e Aviacionit (Tirana e Re), ne pamë makinën e cila kishte ardhur për të na marrë sipas urdhërit që ishte dhënë nga “lart”. Para se të niseshim për në Berat, babai bisedoi me ata të Ushtrisë dhe iu fali atyre gjithë bibliotekën e shtëpisë, e cila përbëhej nga qindra tituj librash”, kujton Fatosi largimin e familjes së tij nga Tirana në dhjetorin e ’75-ës, pasi babai i tij, Todi Naço, ishte cilësuar si “bashkëpuntor i grupit puçist të Beqir Ballukut”./Memorie.al

SHKARKO APP