Humbja e paraparë e Tsipras

LEONIDHA MËRTIRI 

Kreu i Syrizas qysh nga viti 2009, Kryeministri i deritanishëm i Greqisë, Aleksis Tsipras, një muaj e gjysmë më parë kërkoi të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme. Arsyeja për këtë ishte e dukshme. Në votimet për Parlamentin Europian, partia e tij, Syriza, mori dhjetë për qind më pak nga konservatorët e Demokracisë së Re. Madje, kjo e fundit, jo vetëm kaq, por superioriteti i saj përballë Syrizas së Tsipras qëndronte edhe në zgjedhjet lokale.

Në këto kushte, Kryeministri prej katër vitesh në krye të qeverisë greke mori përsipër të përballej me një sfidë të re: Vota e zgjedhësve të dëshmonte nëse ai dhe partia e tij duhej të vazhdonin apo jo të qeverisnin vendin. Barometri më i mirë do të ishin votuesit. Tsipras gjatë këtyre viteve nuk ra në sy për eufori, që dhe zgjedhjet e pardjeshme t’i mendonte i sigurt, si të tilla, që do t’i vinin “nderin” në vend, për të besuar dhe më tej në vazhdimin e qeverisjes. Në fund të fundit, ai e shihte këtë si një betejë që do të përcaktonte dëshirën reale të shtetasve të tij, që bartte dhe pakënaqësinë ndaj atyre reformave që rënduan në ekonominë e tyre. Duke e çuar më tej opinionin e mësipërm, jo se nuk kishte deri diku njëfarë optimizmi dhe te njerëzit e Syrizas. Ky qëndrim i tyre motivohej me faktin që konsiderohej fitore mbyllja e politikës së kursimit dhe se shumë njerëz mund të besonin se me ardhjen e konservatorëve do të bëhej kthimi sërish i saj.

Dhe ç’treguan zgjedhjet e parakohshme të së dielës?

Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis, njeriut që vjen nga familjet tepër të njohura në Greqi, mori 158 vende nga 300 vende që ka Parlamenti, pas premtimeve të vazhdueshme për ulje tatimesh, punësim më të madh dhe rritje të investimeve, kurse Syriza mori 86 deputetë. PASOK-u u radhit e treta, me 22 vende. Ajo që ra në sy gjithashtu ishte që “Agimi i Artë”, parti ekstremiste, e njohur për sulmet ndaj vendit tonë dhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk siguroi asnjë deputet.

Kishte disa faktorë që e bënin pak a shumë të paraparë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe që afektonin humbjen e Tsipras.

Së pari, me pushtetin, për arsye të ndryshme, jo të gjithë janë të kënaqur me masat shtrënguese që merren, sikundër me ato të diktuara nga situata nëpër të cilën po kalonte Greqia me krizën e saj, krizë që do të niste më herët, njëmbëdhjetë vjet më parë.

Ajo nuk ishte në gjendje të shlyente borxhet. Presioni i kreditorëve do të çonte medoemos në uljen e shpenzimeve dhe paralel me këtë në rritjen e taksave. Shumë vende pune janë mbyllur. Pasojat pas kësaj dihen: ulja e të ardhurave te njerëzit. Nga ana tjetër, sikundër thamë, mbetet kosto për qeverinë. Edhe pse mendohet se kriza duket e kaluar, plagët ende do të vazhdojnë. Niveli ekonomik i grekëve në fillim të krizës pritet të arrihet, sipas analistëve, jo më parë se në fund të dhjetëvjeçarit të ardhshëm.

Së dyti, në anën e kundërshtarëve të Tsipras, krahas Demokracisë së Re u vunë edhe socialistët që shpresonin më shumë në këto zgjedhje. Ata u ngritën kundër retorikës së Tsipras, duke e parë Syrizën si as të majtë dhe as socialdemokrate. Këtij grupimi iu bashkua edhe ish-miku i së majtës, i Kryeministrit, ish-ministri i Financave në qeverinë e tij, më pas profesor ekonomie në universitetin e Athinës, Yannis Varoufakis. Skenat e përplasjeve midis tyre do të bëheshin të shpeshta. Edhe pse Tsipras nuk e përgojoi atë, Varoufakis nuk do të linte rast pa e kritikuar në media e botime të tjera, madje edhe në simpoziume ndërkombëtare, duke paralajmëruar ndëshkimin që pritej nga zgjedhësit për të. Partia e tij, MERA 25, në këto zgjedhje mori nëntë vende në Parlament. Në janar të këtij viti gjithashtu, u largua nga koalicioni qeveritar me Syrizën partia e ekstremit të djathtë “Grekët e Pavarur”(ANEL), për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë e Veriut.

Aleksis Tsipras e pranoi humbjen. Me kokën lart,- tha ai,- ne e pranojmë vendimin e popullit. Është fjala e sovranit. Dhe, ajo e zakonshmja për vendet me kulturë të admirueshme demokratike: nuk mund të linte pa uruar për fitoren rivalin e vet. Qeveria e tij e solli Greqinë deri aty ku është sot. Por edhe në marrëdhëniet me të tjerët: Marrëveshja e rëndësishme e Prespës i dha zgjidhjen e nevojshme përplasjeve përmbi dy dekada midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke i hapur rrugën kësaj të fundit në strukturat euroatlantike. Nuk mund të sfumohen as roli tij, por edhe i ish-ministrit të Jashtëm, Kotzias, në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe atë të stabilitetit të rajonit tonë.

Tani Tsipras, në krye të partisë, siç tha këto ditë, do t’i përkushtohet asaj si forcë kryesore e së majtës. Qëllimi i tij është i qartë: Ta bëjë atë një “parti të madhe demokratike progresive”.

SHKARKO APP