Humbja e vulës 400-vjeçare/ Ish-drejtoresha e Arkivit: Një ngjarje e turpshme dhe e frikshme

Pas lajmit se një vulë mbi 400-vjeçare, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, në Tiranë, flet per “Panorama”, Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.

Sipas Nikës, vlera e kësaj vule është e paçmuar për shkak se është ndër të paktat objekte të kësaj kategorie, që kanë ardhur deri në ditët tona.

“Vula është pjesë e një fermani të veçantë, të Sulltanit në gjuhën greke. Fermani i jep të drejtën e pronave Manastirit të Kamenës. Ndryshe nga vulat e tjera që kanë qenë prej dylli, kjo vulë është në material metalik, prej plumbi”, shprehet zonja Nika.

Sipas saj, ky ferman, bashkë me vulën e tij, kanë qenë të ekspozuara me rastin e 50-vjetorit të Arkivës së Shtetit në Muzeun Kombëtar dhe ka qenë i përfshirë dhe në katalogun e Mesjetës dhe Rilindjes së Arkivës së Shtetit.

“Është një ngjarje e turpshme dhe e frikshme njëkohësisht që në vitin 2019, kur mendohet se masat e sigurisë janë më të larta dhe më të garantuara, të vidhen në Arkivin e Shtetit objekte të një rëndësie të tillë”, u shpreh për gazetën “Panorama” Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.

Manastiri i Kamenës gjendet midis Delvinës dhe fshatit Kakodhiq, në jug të Shqipërisë. Kisha e manastirit i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses” dhe kremton më 15 gusht. Kisha e manastirit është ndërtuar në vitin 1580.

Në vulën e manastirit kemi këtë mbishkrim: “1032, Fjetja e së Mbishenjtës Hyjlindëses së Kamenos, pranë Delvinës”. Ky mbishkrim gjendej rreth një vule metalike me gjithë skenën e Fjetjes së Shën Marisë.

SHKARKO APP