“I pari në shkollë të mesme, pikët maksimale në fakultet”, pedagogët tregojnë të pathënat për Albin Kurtin
“Albin Kurti ishte i pari në regjistër me pikët maksimale nga shkolla e mesme deri tek provimi pranues në Fakultetin Teknik. Numri maksimal i pikëve ishte 300 dhe Albini i kishte marrë të gjitha”. Kështu deklaron Salem Lepaja, profesori i kreut të Vetëvendosjes.
Profesorët e përshkruajnë Albin Kurtin si një student ndryshe nga të tjerët.
Ishte viti 1993 kur Albin Kurti kishte aplikuar në Fakultetin Teknik, në drejtimin Telekomunikacion dhe Informatikë, ndërkohë që rezultatet e provimit e radhitën atë në krye të listës së kandidatëve, pasi ai kishte plotësuar testin. Këtë e rrëfen Salem Lepaja, profesor i Kurtit në atë kohë.
Lepaja pohon se ngeli i befasuar kur Kurti gjatë vitit të në tretë të studimeve, kaloi lëndët e tij në afatin e parë dhe me notën 10.
“Në vitin 1995 kur kam mbajtur dy lëndë: Teoria e Telekomunikacionit I dhe Teoria e Telekomunikacionit II. Këto lëndë për mendimin tim dhe të tjerëve kanë qenë më të vështirat gjatë studimeve. Është rasti i parë që një student hyn në këto dy provime dhe i merr notat dhjetë (10)”, tregon më tej Salem Lepaja për RTV Dukagjini.
Ruzhdi Sefa, pedagog në Universitetin e Prishtinës tregon se kur u burgos Kurti, kishte takuar vëllain e tij i cili i kishte treguar se prindërve dhe familjes po u kërkon libra filozofik. Mirëpo kjo përgjigje e vëllait të Albin Kurtit, nuk i pëlqeu Sefës.
“Gjatë bisedave që kam pasur me familjarët e Albinit gjatë vizitave që i kanë bërë në burgje i kam pyetur nëse ai po kërkon libra. Ata thanë se po libra të shkencave filozofike. Njëherë u stepa që “mos nga një shkencëtarë i ardhshëm po fitojmë një filozof” por doli që ato libra i kishte një bagazh tjetër”, shprehet Ruzhdi Sefa. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti është vetëshpallur kandidat për kryeministër të Kosovës, pasi doli personi më i votuar në zgjedhjet e parakohshme.