Ibrahim Kodra, primitivi i përjetshëm i qytetërimit të ri

Nga Sebastiano Grasso

 Aty nga viti 1970, piktori Ibrahim Kodra duhej të kishte mbi shpatullat e tij nja dyzet vjeç, pa shtuar këtu hollësira të tjera (“ai është gjithçka që ngelet nga mbretëria e Shqipërisë”, thotë Leonardo Borgese). Vetëm pas vendosjes së kodit fiskal (1973), një “llambushkë” tregon se, në të vërtet, në llogarinë e tij mungojnë 15. Po atëherë, si i bëhet? “Epo, edhe kjo është pjesë e legjendës”, thotë dikush. Një legjendë e gjallë që vazhdonte të ecte prej më shumë se tridhjetë vjetësh.

Kodra kishte lindur në fshatin Likmetaj (Durrës), në vitin 1918: domethënë, një shekull më parë. Një rast i mirë për ta kujtuar. Me trishtim, por edhe me shumë dashuri, sepse Ibrahimi përveç se një artist i shkëlqyer, ishte edhe një njeri i mirë dhe zemërgjerë. Ndonjëherë, engjëllor. Këtë mund ta dëshmojnë si bashkëkombësi i tij Visar Zhiti – i cili, pas 7 vjetësh burg për vargjet e shkruara kundër diktatorit Enver Hoxha, vjen për pak kohë në Milano, i mbështetur nga Carlo Rognoni – ashtu dhe noteri Lucio Mottola, i cili, së bashku me gruan Enza, e ka shpëtuar artistin nga përpjekjet e ndryshme për ta vjedhur, sidomos në vitet e fundit të jetës (ai vdiq në Milano në moshën 88 vjeç).

Një fëmijëri e vështirë, ajo e Kodrës. Bir i një kapiteni të flotës detare, në moshën 3-vjeçare humbet nënën dhe shkon të jetojë tek një hallë e tij, ku provon të merret me ngjyrat. Kur mbush 8 vjeç shkon në Durrës. Një vizatim i tij, i vendosur brenda xhamllëkut të një dyqani, bie në sy të një zyrtari të lartë të oborrit të mbretit të Shqipërisë Zogu I, i cili e merr dhe e çon vogëlushin në oborr për t’ia paraqitur mbretëreshës (“kur të isha afër saj, duhej t’i puthja dorën dhe të bëja tre hapa prapa – tregonte Ibrahimi – por edhe gratë e tjera më dukeshin të rëndësishme dhe unë fillova t’u puthja dorën të gjithave”). Në Tiranë, Kodra studion së bashku me fëmijët e familjeve të pasura, merret me sport dhe bëhet kampion kombëtar i hedhjes së diskut.

Në vitin 1938, me një bursë studimi, vjen në Milano (ku do të qëndrojë përgjithmonë). Akademia Brera. Mjeshtërit e tij? Carlo Carrà, Aldo Carpi dhe Achille Funi. Pas pjekurisë artistike, në vitin ’43, së bashku me Cassinarin, Morlottin, Vedovën, Manzunë dhe Marinin ekspozon në galerinë “Cairola”. Katalogu është me nënshkrimin e Giovanni Testorit.

Pastaj bëhet pjesë e grupeve “Oltre Guernica” (1945), “Linea” (1947) etj. Më 1946, në Romë takon Pikason dhe Paul Eluardin. Ky i fundit, në gazetën “Unità” e quan Kodrën “primitivi i një qytetërimi të ri”: të cilin artisti e zbulon ditë pas dite. Dhe nëse Kodra duhet të matet tani me abstraksionizmin, me kubizmin dhe me lëvizjet që lidhen me Rezistencën, përpara syve të tij ka gjithmonë shkëlqimin e oborrit të mbretit Zog dhe të folklorit shqiptar. Kështu idhujt e tij, personazhet e skematizuar, totemet ai ua përshtat rrethanave të reja. “Rikthehen – vëren Franco Russoli në vitin 1965 – shenjat e një tradite që është natyra; një Lindje e afërt, mesdhetare, e cila gjen ilustrim edhe në shenjat dhe në tonet e tanishme të kulturës artistike evropiane. Lënda piktorike e Kodrës është e ndryshueshme dhe e ndjeshme ndaj dritës që përcakton jo vetëm format shprehëse të vendeve dhe personazheve, por edhe pasqyrimet kalimtare, vegimet drithëruese lirike me fantazma të kujtesës”.

Do të na duhej të zgjateshim shumë këtu duke përshkuar të gjithë aventurën artistike të piktorit të natyralizuar italian. Mbi  të gjitha sepse ajo, shumë shpesh, përzihet me anekdotat – të cilat do t’i pëlqenin me siguri Moravias për Tregimet romane – e njëfarë kohe të Milanos së viteve Dyzet-Gjashtëdhjetë, e cila për Kodrën, siç shkruan Carlo Boera, ishte bërë “pothuajse një simbol përgjithësues”.

Ndonjë shembull? Milano, periudha e luftës: një natë gjatë ndalimqarkullimit, Ibrahimi ndalet nga një patrullë. “Eja me ne në komandë!”, e urdhëron njëri. “Nuk mundem, duhet të shkoj tek një vajzë dhe jam me vonesë”, përgjigjet piktori duke u larguar. Dyshues, ushtarakët qëndrojnë duke e parë me automatikët ndër duar. I goditur nga një kamionçinë e forcave aleate, Kodra bredh lart e poshtë për rreth tre muaj me njërin krah në allçi dhe fton miqtë e tij, artistë pa një dyshkë në xhep, në një restorant: hap një llogari për të paguar kur të merrte dëmshpërblimin. Po ka edhe më: motrave shumë besimtare katolike Pirovini, pronare të një restoranti tjetër (në rrugën “Fiori Chiari”, gjithmonë në Milano), u jep fjalën – ai vetë ishte mysliman – se do ndryshonte fenë në qoftë se ato do t’ia falnin borxhin që u kishte prej shumë kohësh ngaqë hante aty. I ftuar në Romë, në sheshin “Venecia”, për të folur në emër të studentëve bashkëkombës, duke mos ditur çfarë të thoshte dhe i bindur se askush aty nuk dinte shqip, fillon të numërojë (deri në 300) në gjuhën e tij, duke ndërfutur mes numrave fjalë si Roma, Duçe, Atdhe. Shpërthejnë brohoritjet e turmës, ndërkohë që shokët e tij ishin bërë dyllë të verdhë në fytyrë. Në fund, një oficer fashist i shtrëngon dorën: “Shok, mbajte një fjalim historik, me rëndësi të madhe për dy popujt tanë”.

Ibrahimi qeshte, qeshte me shpirt kur, i ulur tavolinën e një bulmetoreje në Brera,, kujtonte se çfarë kishte ndodhur. Kësaj here llogaria do të paguhej.

Botuar nga «Corriere della Sera», fund-shkurti 2018. Përkthyer në shqip: Çlirim Mukli

SHKARKO APP