Inagurohet biblioteka “Fundjavë Ndryshe”, i pranishëm ambasadori austriak
“Fundjavë Ndryshe” inaguroi ditën e sotme hapjen e bibliotekës në Qendrën e Solidaritetit, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe specifikisht njerëzve në nevojë. Qëllimi i ndërtimit të bibliotekës, lidhet me konceptin që “Fundjavë Ndryshe” ka për ta parë edukimin si zgjidhjen më të mirë të problemit të varfërisë.
“Zgjidhja përfundimtare e njerëzve që janë në nevojë është edukimi. Ne mund t’i ndërtojmë shtëpinë dikujt, por ajo është e përkohshme. Na duhet të investojmë edhe ne edukimin e tyre për të ardhmen. Në mënyrë që nesër të kemi një komunitet më të mirë,” tha ndër të tjera në fjalën e tij, drejtuesi i fondacionit Arbër Hajdari.
Ky aktivitet u zhvillua në praninë e ambasadorit të Austrisë, z.Christian Steiner, si dhe drejtorit të përgjithshëm të kompanisë SIGMA, z. Klaidi Çitozi.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për një aktivitet bamirësie. Iu uroj për këtë nismë. Është shumë e rëndësishme që kompanitë që punojnë në Shqipëri, të ndihmojnë edhe njerëzit në nevojë. Urime që përzogjdhët “Fundjavë Ndryshe”, e cila ka ngritur një qendër impresionuese këtu në Tiranë, për një kohë shumë të shkurtër përgjatë këtyre muajve. “Fundjavës Ndryshe” dhe kompanisë “Sigma” i uroj shumë suksese në të ardhmen,” u shpreh ambasadori Steiner.
Bashkëpunimi i kompanisë “SIGMA” me “Fundjavë Ndryshe” ka nisur prej disa vitesh, ku stafi i “SIGMA” ka kontribuar për të ndihmuar një sërë rastesh të familjeve në nevojë. Por fokusi i bashkëpunimit ka qenë gjithnjë edukimi. Para pak kohësh, u zhvillua një projekt për të ndihmuar një grup fëmijësh në fshatin Mamël, ku kompania kontribuoi dhe u siguroi atyre transportin për në shkollë.
Kontributi social i “SIGMA” u vlerësua me cmimin Gunther Geyer, në vlerën prej 20.000 Euro, të cilat vendosën t’i dhurojnë për bibliotekën e “Fundjavë Ndryshe”.
“Me Fundjavën kemi bërë disa projekte, edhe gjatë pandemisë kemi ndihmuar me paketa ushqimore me qindra familje. Por, besoj që ky është projekti më i bukur. Njerëzit kanë nevojë edhe të ushqejnë shpirtin e mendjen. Ky është hapi I parë që po hedhim në këtë drejtim e besoj projekte të tjera interesante do të pasojnë,” përfundoi drejtori i përgjithshëm i “SIGMA”, z.Çitozi.
Bamirësia nuk të varfëron!
Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.