Inflacioni i rikthehet rënies – Në qershor çmimet në ekonomi u rritën me vetëm 1.3%

Inflacioni i është rikthyer sërish rënies në muajin qershor, duke mbetur në nivele shumë të ulët dhe larg objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, inflacioni u ul në 1.3%, nga 1.5% që ishte për muajin maj. Por, rënia është më e madhe në bazë vjetore, pasi në qershor 2018 inflacioni ishte në nivelin 2,4%. Inflacioni i ulët në muajin qershor, krahasuar me majin, erdhi kryesisht nga çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” që ranë me 0,7 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 %, “Shëndeti” me 0,1 %. Ndërsa, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,5 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili.

Krahasuar me muajin Qershor 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,7 % secili. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 12,6 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,4 %, “zarzavate përfshirë patatet”me 1,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 1,3 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 0,6 %.

Rënia e ndjeshme e muajve të parë të këtij viti shpjegohet nga Banka Qendrore kryesisht me efektin e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të rritet gradualisht, sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e këtij viti dhe të kthehet pranë objektivit prej 3% në fillim të vitit 2021. Megjithatë, kthimi i inflacionit në objektiv mund të vështirësohet më tej, mbështetur në skenarët që po shfaqen në muajt e fundit. Leku po forcohet sërish në kursin e këmbimit me euron. Thellimi i mbiçmimit të monedhës kombëtare mund të ketë efekte të mëtejshme në inflacion. Veç efektit të kursit, një ndikim edhe më domethënës në inflacion mund të ketë keqësimi i kërkesës agregate dhe i ritmeve të rritjes ekonomike. /scan

SHKARKO APP