Institucione jo efektive në ekzekutimin e  vendimeve gjyqësore

Nga Zija LIKA

Ndonëse me vonesë kohore të konsiderueshme dy vjeçare, ish ministri i shtetit për inovacionin dhe administratën publike, në mbështetje të ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil”  të ndryshuar, ka nxjerrë urdhërin nr 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”.Nëpërmjet këtij urdhëri, është përcaktuar procedura që duhet të ndiqet nga ana e institucioneve përkatëse të administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit të sipërpërmendur, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës apo pozicion pune të barazvlerëshëm (të të njëjtit nivel dhe kategori), të ish nëpunësve civilë të larguar padrejtësisht nga puna, të cilët e konfirmojnë këtë të drejtë përmes këtyre vendimeve përkatëse gjyqësore.

Kjo procedurë përfshin ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë secilit prej institucioneve përkatëse debitore, i cili duhet të shqyrtojë mundësitë e sistemimit (rikthimit) në një pozicion të rregullt pune të shërbimit civil,       të ish nëpunësve gjyqfitues, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ende të pa ekzekutuara.

Vetëm pas dërgimit nga komisioni i posaçëm tek Departamenti i Administratës Publike, të akt rekomandimit përkatës për sistemimin në punë të ish nëpunësit civil gjyqfitues, ky i fundit (DAP) duhet të vijojë me nxjerrjen e aktit të emërimit.

Le të shohim se çfarë ka ndodhur në DPT Tiranë

Do të duhej të kalonin rreth 3,5 vite nga hyrja në fuqi e ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil”, apo 1,5 vite nga nxjerrja e urdhërit të detyrueshëm për zbatim, të ish ministrit të shtetit për inovacionin dhe administratën publike nr 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”, që DPT Tiranë të nxirrte në zbatim të tij, urdhërin nr 25, datë 24.04.2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm, për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga administrata tatimore”.

Bazuar në këtë urdhër të DPT-së, komisioni i posaçëm i ngritur në zbatim të tij, në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të gjyqfituesve (të cilat janë shpesh herë shumë të pakta, krahasuar me numrin e tyre) i propozon  ish nëpunësit civil (në rast se është e mundëshme), sistemimin  në një pozicion pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në zbatim të dispozitivit të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”.

Çuditërisht vetëm pasi ish nëpunësi civil, shpreh pëlqimin për sistemimin në pozicionin e propozuar të punës, komisioni i posaçëm i DPT- së, i drejtohet DAP-it me akt rekomandimin përkatës, për emërimin e tij në këtë pozicion. Po në rast se ish nëpunësit civilë, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, nuk kërkojnë të rikthehen në punë apo nuk e japin pëlqimin për pozicionin e punës që ju ofrohet në bazë të këtij urdhëri të sipërcituar (gjë e cila ka nivel shumë të lartë probabiliteti), çfarë duhet të ndodh?! Fatkeqësisht nëse ndodh kështu, në mënyrë krejtësisht të paligjshme bazuar në këtë urdhër, ndërpritet vazhdimi i mëtejshëm i procedurës përkatëse ligjore dhe të gjithë ata që refuzojnë rikthimin në pozicionin e propozuar të punës konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, lejohen padrejtësisht në dëm të taksapagueve shqiptarë, të vazhdojnë të trajtohen me dëmshpërblimin përkatës në mënyrë krejt të pakufizuar në kohë (deri sa të jetojnë), ndërkohë që ligjërisht vazhdimi dhe përfundimi i kësaj procedure ligjore, duhet ta ndërpres menjëherë këtë dëmshpërblim financiar.

Përveç sa më sipër, vonesa shumë e gjatë kohore dhe plotësisht e pajustifikuar, në lidhje me ngritjen e këtij komisioni të posaçëm nga ana e DPT-së, të ngarkuar sipas urdhërit të sipërcituar me detyrimin ligjor të gjetjes së mundësive dhe vazhdimit të procedurave përkatëse në bashkëpunim me DAP, për rikthimin në punë të ish nëpunësve civilë, konformë vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, ngarkon me përgjegjësi ligjore, financiare dhe administrative, drejtuesit kryesor të kësaj drejtorie të përgjithshme, si dhe ata respektiv të drejtorive të saj juridike, apo të burimeve njerëzore.

Të dhënat  statistikore të deritanishme tregojnë se, zbatimi  i akteve të mësipërme nënligjore, të nxjerra  me shumë vonesë sikurse themi më sipër, jo vetëm nuk e ka zgjidhur këtë problematikë shumë të rëndësishme në aspektin ligjor, ekonomik, financiar, social  e të tjera, por përkundrazi  e ka vështirësuar  e përkeqësuar edhe më tej atë. Kështu për shembull,  nëse janë rikthyer në marrëdhënie pune në zbatim të vendimeve  gjyqësore të formës së prerë, rreth 10 – 15%  e  numrit  të ish nëpunësve civilë të administratës tatimore qëndrore, të larguar më parë  padrejtësisht nga puna pas vitit 2000, zotërues të vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, ende të pa ekzekutuara deri në fundin e vitit 2013 (kohë në të ciën hyri në fuqi ligji 152 / 2013), të paktën në periudhën e mëpasshme  rreth 40% e këtij numri nëpunësish civilë të kësaj administrate që janë larguar nga puna, i janë  shtuar listës së gjyqfituesve, përfitues të dëmshpërblimeve të majme financiare, qysh prej momentit të largimit përkatës nga puna, derisa të rikthehen në të ose të jenë gjallë nëse ky rikthim nuk do të ndodh. Bazuar në ligjin në fuqi 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, nenit 66/1, pika 1,në të cilin përcaktohet se vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse” e cila  në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij  ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, konstatohet fare qartë se në rastin që analizojmë: DPT dhe DAP (ashtu sikurse edhe shumë institucione të tjera, që e kanë këtë problematik), janë plotësisht jo efektive përsa i takon ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të kësaj natyre.

Disa këshilla e rekomandime, për minimizimin e dëmit financiar nga statusi i nëpunësit civil.

Nisur nga fakti që përgjatë 17 viteve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit miliona euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish nëpunësve me status të larguar më parë nga puna, në rolin e një ekonomisti finance me përvojë të gjatë pune në këtë profesion e mësimdhënie, duke qenë i obliguar të kontribuoj profesionalisht në favor të interesit publik, kam bërë publike përgjatë vitit 2017, përmes  mediave të ndryshme vendase dhe paraqitur paranë institucioneve kryesore ligjzbatuese të vendit tonë, përmes faqeve të tyre zyrtare elektronike, disa mendime, këshilla dhe rekomandime ekonomiko – ligjore, të cilat nëse do të zbatohen do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa inproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e të tjera.

Meqënse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qëndror,doganat në pjesën më të madhe të pozicioneve të punës, ministri, bashki e tjera), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, jam përqëndruar në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qëndror, që përbëhet nga:  DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë.

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatse gjyqësore të formës së prerë, që  lidhen me periudhat respektive nga datat e largimit, deri tek ato të  marrjes formë  të  prerë  të  vendimeve gjyqësore dhe për mosekzekutim në  kohë  të  këtyre të  fundit, prej datave përkatse që  duhet të  realizohej përmbushja e këtij detyrimi ligjor, deri  në  ato  të  ekzekutimit  të  këtyre vendimeve,  apo në  vazhdim për pjesën e  mbetur të  tyre ende  të  paekzekutuar.

Zbatimi i pjesës së parë të këtij rekomandimi, që lidhet me largimet nga puna të ish nëpunësve civilë  dhe zhvillimin e  proceseve gjyqësore përkatëse deri në marrjen formë të prerë të vendimeve gjyqësore në favor të tyre, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe objektivitet, pasi periudha e deritanishme e funksionimit të sistemit të drejtësisë, është mbushur me raste të shumta kontestimesh, gjykimesh jo korrekte të ndershme e profesionale, të shoqëruara me ngjarje e fenomene korruptive, të denoncuara edhe prej emisioneve televizive investigative si “Fiks- Fare”, “Stop”, “Boom” e të tjera. Lidhur me atë çka themi, le të shpresojmë se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të dala nga implementimi i reformës në drejtësi, do të ndryshojë në drejtimin e duhur realitetin  përgjithsisht negativ të funksionimit të deritanishëm të këtij sistemi. Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet  të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatse, rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë,të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit inproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.

Së dyti: Për të gjithë ish nëpunësit tatimor, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e     DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj. Përfshirja e rreth 10.000 subjekteve të biznesit të vogël me xhiro vjetore mbi 2 deri 5 milion lekë të reja, në skemën ligjore të tvsh-së, duke filluar prej datës 01.04.2018 e në vazhdim, do të kërkojë përveç të tjerash, shtimin e organikës së administratës tatimore qëndrore mbi numrin 1586 që ajo është aktualisht, në mënyrë që të bëhet i mundur jo vetëm përpunimi, azhornimi, gjurmimi dhe ndjekja e informacionit përkatës tatimor, por edhe kontrolli i vazhdueshëm tatimor i tyre në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

Është plotësisht e mundur që kjo shtesë organike, jo vetëm të mos cënojë aspak me kosto shtesë financiare buxhetin e shtetit, por përkundrazi të gjenerojë të ardhura shtesë të konsiderueshme për të. Kjo gjë bëhet plotësisht e mundshme, nëse realizohet rikthimi në punë i ish nëpunësve tatimorë të larguar më parë padrejtësisht nga puna, duke ekzekutuar vendimet gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmojnë këtë     të drejtë, ndërkohë që shtesa organike e miratuar më parë sikurse themi më sipër, duhet të  jetë jo më  e vogël  se numri  përkatës i këtyre të  fundit.

Menjëherë pas këtij miratimi, ministria e financave konformë procedurave përkatse ligjore, duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale  respektive të pagës bruto krahasuar me më parë.

Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zvëndësimin e shpenzimeve buxhetore inproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit në çdo rast do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ndryshesa (rritja / ulja) e shpenzimeve faktike në kuadrin e këtij buxheti, do të jetë e barabartë me pjesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguaj punëdhënësi (shteti) në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritjen totale respektive të pagës bruto, krahasuar me më parë për të gjithë ish nëpunësit e rikthyer faktikisht në punë, minus pjesën e dëmshpërblimit financiar të ndërprerë për ata ish nëpunës, të cilët sikurse themi më poshtë lirohen apo largohen nga shërbimi civil. Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të  mbuluar koston shtesë  buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmëndura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80%  të numërit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëhere gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti.

Nëse për këtë kategori ish nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëhere ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.

Në përfundim të  këtij proçesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish nëpunësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël  nga ai i mëpërshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë inproduktive e parazitare, por nëpërmjet punës e cila padyshim dhe për çdo rast, do të gjenerojë nëpërmjet produktivitetit përkatës, përfitim shtesë me interes publik. Në lidhje me këtë, ka shumë të ngjarë që pjesa më e madhe e atyre, që kanë emigruar jashtë vendit (në Europë, SHBA, apo kontinente të tjera), apo që kryejnë punë të tjera ose merren me biznes, nuk do të preferojë të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ndërkohë që padyshim ju intereson vazhdimi sa më gjatë në kohë i përfitimit parazitar të dëmshpërblimit ekonomik, që rrjedh nga mos kryerja e procedurave përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme, konformë vendimeve gjyqësore përkatëse të formës së prerë.Aktualisht janë rreth 380 ish nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milion lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë llojë kontributi në punë. Duke qënë kështu, kuptohet fare qartë që shumicës së tyre apo ndoshta të gjithëve, nuk i intereson rikthimi në punën e mëparshme, madje mund ta konsiderojnë si një nga fatkeqësitë më të madha, nëse një gjë e tillë u ndodh, pasi ata mund të bëjnë punë të tjera (qoftë edhe në sektorin publik) dhe paguhen për to, të merren me biznese, e tjera, apo të emigrojnë jashtë vendit për vite të tëra dhe deri sa të arrijnë moshën e pensionit ose të jenë gjallë (gjë e cila nuk përbën aspak çudi), të paguhen duke shtuar çdo vit në llogarinë bankare të çdonjërit prej tyre, shumën prej rreth 10 milion lekësh. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pandërprerje deri në më shumë se 40 vjetë rresht, duke kapur shifrën e mbi  400 milion lekëve.

Në këtë situatë, rikthimi i tyre në punë sa më shpejtë që të jetë e mundur (qoftë edhe me shtesë organike),    jo vetëm që e ndërpret efektin përkatës negativ në buxhetin e shtetit, por përkundrazi mundëson lëvizjen e tij drejt kahut pozitiv, pasi kontributi (produktiviteti) i punës së tyre në sistemin tatimor, i cili ende karakterizohet nga një nivel i lartë evazioni fiskal, do të shoqërohet me siguri në kushtet e mirëmenaxhimit të këtij sistemi, me një rritje të ardhurash për buxhetin e shtetit disa herë më shumë se rrogat përkatëse të tyre, të cilat vazhdojnë t’i marrin sistematikisht në periudha periodike vjetore, në mënyrë  inproduktive e parazitare, madje dhe pa zbritur më parë kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sikurse ndodh me të punësuarit.

Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte  financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë nga ana tjetër, treguesin në % që  zë  kostua reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qëndrore, (të cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me  ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish nëpunësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo akoma më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.

Në këndvështrimin ligjor, ekonomik, financiar dhe social, çdo shtesë organike e miratuar konformë procedurave përkatëse ligjore, që do të mundësonte rikthimin në punën e mëpërshme të  ish nëpunësve të  kategorisë së lartpërmendur, do të ishte e justifikuar deri në masën që treguesi ekonomik “të ardhura të produktit marxhinal të punës”, të jetë jo më i vogël se pjesa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi (në rastin tonë shteti), në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritja respektive e pagës bruto krahasuar me më parë, pasi pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhet me pagën, mbulohet financiarisht nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime dhe i transferuar më parë në fond pagash, sikurse themi më sipër.

Së treti: Është e domosdoshme dhe emergjente që në kuadrin e rregullimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në fushën e shërbimit civil e të tjera, të përcaktohet qartë se nëse përgjatë periudhës kur ishpunonjësi civil apo jo civil, është trajtuar apo trajtohet me dëmshpërblim financiar nga fondet e buxhetit të shtetit për shkak të ekzekutimit të vendimit përkatës gjyqësor të formës së prerë në favor të tij dhe nga ana tjetër brenda kësaj periudhe, verifikohet se ai ka qenë apo është i punësuar në sektorin publik dhe për pasojë i paguar prej fondeve publike buxhetore, atëhere këto shuma pagesash duhet t’i zbriten atij prej dëmshpërblimit  të pritshëm, ose të kërkohet rikthimi i tyre në buxhetin e shtetit, përmes vendimit ekzekutiv të nxjerrë  prej institucionit përkatës, konformë zbatimit të procedurave të nevojshme ligjore.

KLSH, institucion suprem i auditimit të zbatimit të legjislacionit dhe ruajtjes e mirëmenaxhimit të parasë e pronës publike.

Nisur nga dëshira e mirë për të kontribuar në zgjidhjen sa më efiçente të kësaj problematike tepër të rëndësishme dhe komplekse në aspektin ligjor, ekonomiko – financiar, social, moral, politik e shoqëror, (sikurse themi më sipër), para disa kohësh (përgjatë vitit 2017), përmes adresave përkatëse elektronike të DAP-it, DPT-së, DPD-së, Ministrisë së Financave, Kryeministrisë, Avokatit të Popullit, KLSH-së, dhe Presidentit të Republikës,  kam dërguar opinonin, këshillat dhe sugjerimet e mia ekonomiko – ligjore, të cilat njëkohësisht i kam bërë publike, duke i botuar edhe në disa prej gazetave kryesore të vendit tonë, si dhe në revistën ekonomike “Monitor”. Megjithëse këto këshilla dhe sugjerime ekonomiko – ligjore, të cilat janë rezultat i një studimi të thelluar shkencor të kësaj problematike komplekse, me pasoja shumë të rënda negative për buxhetin e shtetit shqiptar (prej jo më pak se 10 milion euro çdo vit), do të çonin në minimizimin e dëmit financiar, nëse do të merreshin në konsideratë dhe zbatoheshin nga ana e institucioneve ligjvënëse dhe ligjzbatuese, fatkeqësisht me përjashtim të KLSH-së, nuk u morën në konsideratë, madje u anashkaluan dhe u nënvlerësuan ndoshta pa i lexuar fare, duke mos më kthyer në shënjë respekti dhe mirënjohje për këtë kontribut shkencor të dhënë në favor të interesit publik, qoftë edhe përgjigjen formale me tre shkronja “FLM”.

Nëse këto institucione të lartëpërmendura (përveç KLSH-së), qoftë edhe në bashkpunim me specialistët përkatës të FMN-së (të cilët kanë asistuar në këtë periudhë ekspertimin e financave publike shqiptare dhe  çuditërisht nuk kanë  dhënë  asnjë lloj rekomandimi zyrtar për zgjidhjen e kësaj problematike), disponojnë  të  paktën një  skemë ekonomiko – ligjore më efiçente se ajo e rekomanduar nga ana e ime, atëhere çfarë  presin akoma që nuk e vënë në zbatim, ndërkohë që praktika e deritanishme e ndjekur prej tyre ku mbizotëron spontaniteti, pasiviteti dhe “gjumi letargjik”, jo vetëm nuk e minimizon dëmin financiar të shkaktuar prej të  paktën 10 milion euro çdo vit, por përkundrazi tenton ta thellojë akoma më tej atë. Sqarojmë se i vetmi institucion, i cili i mirëpriti, studjojë  dhe vlerësojë si të drejta, dobishme, shkencore dhe efiçente këto rekomandime, që çojnë nëse zbatohen nga institucionet përkatëse shtetërore në minimizimin e dëmit financiar sistematik të përvitshëm, sikurse përmendet më sipër, ishte KLSH-ja që e ka përfshirë dhe vazhdon ta përfshijë këtë problematikë kontrolli, si pikë të veçantë e të rëndësishme të programeve audituese, të cilat janë  realizuar dhe vazhdojnë të realizohen, veçanërisht pranë institucioneve të administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit “për shërbimin civil”. Pavarësisht nga sa themi, implementimi i plotë i rekomandimeve të lartëpërmendura të karakterit ekonomiko – ligjor, të cilat optimizojnë zgjidhjen e kësaj problematike të ndërlikuar dhe komplekse duke i përdorur instrumentat përkatës deri në shterim, kërkon përveç të tjerash përmirësime të mëtejshme ligjore dhe meritojnë të merren në konsideratë dhe diskutohen prej komisioneve parlametare të ekonomi – financës dhe atij të legjislacionit, përndryshe këto këto të fundit, (ndonëse me shumë vonesë), duhet të gjëjnë zgjidhjet e duhura përkatëse. Bazuar në të gjithë  informacionin kompleks e transparent, të përditësuar dhe publikuar nga ana e KLSH-së  në  faqen e saj zyrtare; vlerësimet e shumta pozitive, të bëra prej përfaqësuesve zyrtarë të institucioneve supreme audituese (SAI) të vendeve të ndryshme partnere të botës (duke përfshirë  edhe ato të disa prej vendeve të zhvilluara); rezultatet e larta me impakt pozitiv edhe për të ardhmen, të arritura në fushën e gjetjeve, zbulimeve, luftës kundër korrupsionit e evazionit fiskal, dhënies së rekomandimeve ndaj subjekteve të audituara, qeverisë  dhe kuvendit, në funksion të përmirësimeve të mëtejshme të performacës (sidomos të  institucioneve të shërbimit publik), legjislacionit e të tjera (veçanërisht përgjatë  periudhës kur ky institucion drejtohet nga zoti Leskaj), rezulton se KLSH (ALSAI)                nuk është vetëm institucion suprem i auditimit të zbatimit të legjislacionit, ruajtjes e mirëmenaxhimit të parasë e pronës publike, në përputhje me parimet kyçe të auditimit (pavarësia, ligjshmëria, paanëshmëria, profesionalizmi, transparenca, konfidencialiteti, interesi publik, ekonomiciteti, efiçenca, efektiviteti, etj) dhe standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (ISSAI, EUROSAI, INTOSAI), pasi ai nuk auditon thjesht performancën e të tjerëve, por udhëheq institucionalisht me performancën e tij.

Nisur nga sa më sipër, shpreh bindjen se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të karakterizuara nga ndershmëria, profesionalizmi, korrektesa dhe integriteti moral (në ndryshim rrënjësor nga sa më parë), do të bëj të mundur që rezultatet pozitive  të veprimtarisë së këtij institucioni të sipërcituar, të avancojnë më tej dhe të jenë akoma më të prekshme në favor të interesit publik.

SHKARKO APP