Institucionet e auditimit dhe lufta kundër korrupsionit

Placeholder Image

 Nga Orgest Levani                                                             

Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) janë gardianët më të rëndësishëm institucional të kontrollit dhe llogaridhënies në një vend. Një nga detyrat më të rëndësishme të SAI është të sigurojë se sistemet në një vend punojnë në mënyrë të drejtë dhe profesionale dhe se njerëzit që abuzojnë me sistemin vihen para përgjegjësisë. Parlamenti mbështetet në to për tu siguruar për saktësinë dhe rregullsinë e llogarive të qeverisë. Mashtrimi dhe korrupsioni mund të konsiderohen si raste të veçanta të veprimtarive të jashtëligjshme, veçanërisht të dëmshme, si për burimet publike, ashtu edhe për besimin e publikut. Kjo është për shkak se legjitimiteti i politikanëve dhe administratës publike është i një rëndësie të veçantë në shoqëritë demokratike. Nëse qytetarët nuk i besojnë mënyrës se si administrohen taksat e tyre, nëse ata dyshojnë se politikanët dhe nëpunësit civilë punojnë në një mënyrë joefikase dhe të padobishme, ose vjedhin paratë e tyre, ata humbin besimin në sistem. Në rast se kjo ndodh, sisteme alternative mund të riprodhohen mbi bazën e lidhjeve familjare, shoqërore ose formave të ndryshme të lidhjeve. Kjo është arsyeja që shoqëria i ka sytë në punën e kryer nga SAI në lidhje me luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit. Shoqëria e shikon këtë si një tregues se sa fuqishëm kontribuon SAI në llogaridhënie.

Tashmë është bërë i nevojshëm një ndryshim në qasjen e auditimit. Mashtrimi dhe korrupsioni në sektorin publik ndodhin kur mungon llogaridhënia dhe transparenca. Raportimi dhe auditimi i mirë financiar ndihmojnë në reduktimin e keqinterpretimeve që fshehin veprime mashtruese dhe çorientojnë lexuesin. Auditimi duhet të japi sigurinë e dëshirueshme që pasqyrat financiare të audituara përfaqësojnë aktivitetet ekonomike që ato synojnë të portretizojnë. SAI mund të bëjnë një ndryshim konstruktiv duke audituar pasqyrat financiare të qeverive dhe agjencive qeveritare, si dhe duke i vënë opinionet e tyre të auditimit në dispozicion të legjislaturës në kohën e duhur. Ka një boshllëk midis pritshmërive nga palët e interesuara dhe mandateve të auditimit për SAI. Tradicionalisht, SAI kanë rënë dakord se përgjegjësia kryesore për parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit i përket autoriteteve të tjera publike si policia, prokuroria apo agjencitë speciale të antikorrupsionit. SAI nuk e kanë parë ndonjëherë mashtrimin dhe korrupsionin si qëllim kryesor të auditimit; qasja ka qenë për të parandaluar korrupsionin në terren më shumë sesa zbulimi i aktiviteteve të tilla të paligjshme. Publiku, megjithatë, beson se SAI kërkojnë të zbulojnë mashtrimin dhe korrupsionin. Ky boshllëk duhet të adresohet nga SAI, të cilat duhet ti kushtojnë më shumë rëndësi zbulimit të mashtrimit dhe korrupsionit në mënyrë që ta zvogëlojnë hendekun e këtyre pritshmërive.

Shpeshherë ekziston këndvështrimi se lufta kundër korrupsionit nuk është në thelb një detyrë e institucioneve të auditimit qeveritar. Kjo shpjegohet se auditimi për korrupsion në subjektin e audituar, do të shkatërronte besimin ndërmjet SAI dhe subjektit të audituar dhe do të mund të quhej auditim tendencioz. Vetëm duke ditur se auditimi mund të jetë i orientuar në zbulimin e korrupsionit mund të nxisë subjektin e audituar që të mbaj një qëndrim mbrojtës dhe të rrezikojë bashkëpunimin e bazuar në besimin reciprok dhe që është një parakusht thelbësor i auditimeve të suksesshme. Gjithashtu, e drejta e SAI për të inspektuar dosjet është e kufizuar në dokumentet dhe të dhënat e agjencive qeveritare që i nënshtrohen mandatit të tij të auditimit. Në përgjithësi, SAI nuk lejohen të kryejnë auditime investigative të personave apo kompanive private. Prokurorët publikë që kanë autoritetin për të hetuar, si sektorin publik, ashtu edhe atë privat, janë më të përgatitur për të luftuar kundër korrupsionit dhe prandaj janë në një pozitë më të mirë për ta kryer këtë detyrë. Në lidhje me këtë mundet t’i referohemi agjencive të tilla si Zyra e Anti-Mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) dhe Zyra Qendrore Antikorrupsion në Poloni (CBA), të cilat janë krijuar posaçërisht për luftën kundër korrupsionit.

  Megjithatë, nga ana tjetër, ky qëndrim nuk është në përputhje me parimet udhëzuese të INTOSAI dhe është i papërshtatshëm për publikun. Taksapaguesit me siguri nuk do të kuptojnë përse SAI, të cilat e kryejnë veprimtarinë e tyre nga paratë e taksapaguesve, nuk i orientojnë auditimet e tyre për zbulimin e korrupsionit. Korrupsioni në fund të fundit është shumë më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për financat publike sesa shkeljet e tjera të ligjit ose shkeljet e disiplinës financiare që SAI zakonisht i nxjerrin në pah në raportet e tyre të auditimit. Taksapaguesit presin që SAI të bëhen aktive kudo që ka rrezikshmëri për paratë e taksapaguesve.

Ky qëndrim është i dëmshëm për SAI sepse nëse ata zgjedhin që të distancohen nga një fushë kaq vitale, kaq të rëndësishme dhe të profilit të lartë të auditimit, ata rrezikojnë të mbeten mënjanë si institucion. Ngritja e agjencive të specializuara për të luftuar korrupsionin duhet të jetë vetëm hapi i parë në luftën efektive kundër korrupsionit. Kjo pikëpamje është nxitur nga frika që SAI mund të dështojnë në kryerjen e auditimit të korrupsionit. Auditimet për të zbuluar korrupsionin që nuk prodhojnë rezultate të prekshme mund të dëmtojnë gjendjen e mirë dhe reputacionin e SAI. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni më i lartë i auditimit publik, ka dhënë kontributin e vetë në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit duke rritur performancën, numrin e auditimeve dhe cilësinë e tyre. Referuar rezultateve të auditimit të kryera nga KLSH për nëntëmujorin e vitit 2017 janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në mbledhjen e të ardhurave, shpenzime të pajustifikuara të kryera nga institucionet e ndryshme shtetërore të audituara, me pasojë dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në shumën totale prej 9,226 milionë lekë ose 69 milionë euro, si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekë, afërsisht 651,3 milionë euro. KLSH, duke marrë përsipër rolin e gardianit më të rëndësishëm institucional të kontrollit, llogaridhënies dhe transparencës në Shqipëri, ka dhënë kontributin në luftën kundër korrupsionit, edhe nëpërmjet bërjes së kallëzimeve penale në rastin e konstatimit të shkeljeve të rënda si shpërdorimi i detyrës me pasoja të konsiderueshme financiare, të kryera nga zyrtarët e administratës shtetërore të të gjitha niveleve. Për periudhën Janar-Shtator 2017, KLSH ka depozituar 29 kallëzime penale në organet e prokurorisë ndaj 83 personave përgjegjës të administratës shtetërore ku vlera totale e dëmit ekonomik të shkaktuar si pasojë e veprimeve të tyre të kundraligjshme është rreth 132 milionë lekë. Përsa i përket raportimit te mashtrimit dhe komunikimit me menaxhimin situata është pak më komplekse. Standardi i raportimit nuk ndryshon nëse audituesit fokusohen më shumë në zbulimin e mashtrimit dhe korrupsionit. Ligjet, rregulloret, ose politikat, mund t’u kërkojnë audituesve, që të raportojnë menjëherë tek organet e zbatimit të ligjit, ose tek organet e hetimit, indicie të llojeve të caktuara të mashtrimit, veprimeve të paligjshme, shkeljeve të dispozitave të kontratave ose marrëveshjeve të ndryshme, ose format e abuzimit. Në rrethana të tilla, audituesit duhet të pyesin organet kompetente, ose të kërkojnë prej tyre këshillim ligjor, nëse raportimi publik i informacionit rreth mashtrimit të mundshëm do të kompromentonte hetimet ose procedurat ligjore në lidhje me këto çështje. Në raste të tilla audituesit e kufizojnë raportimin e tyre publik deri në çështjet të cilat nuk do t’i komprometonin këto procedura, siç mund të jetë informacioni që tashmë është bërë publik. Raportimi i mashtrimit kërkon që audituesit të adresojnë efektin që mund të ketë mashtrimi ose veprimet e paligjshme në raportet financiare. Kur audituesit zbulojnë shkelje të vogla, por të raportueshme, shkelje të dispozitave të kontratave, ose abuzime që nuk janë materiale nga një perspektivë financiare, ato zakonisht komunikojnë gjetjet tek zyrtarët e subjektit të audituar. Nëse raporti i auditimit zbulon mangësitë në kontrollin e brendshëm, mashtrimin, veprime të paligjshme, shkelje të dispozitave të kontratave ose marrëveshjeve të granteve, ose abuzim, audituesit duhet t’i raportojnë pikëpamjet e tyre tek zyrtarët përgjegjës. Duke patur parasysh se SAI kanë më pak kompetenca hetuese sesa prokuroria, ky disavantazh kompensohet nga afërsia që ato kanë me llogaritë e subjekteve të audituara, njohuritë, si dhe ekspertiza e stafit të tyre. Duke analizuar më nga afër procesin e menaxhimit financiar, SAI dhe audituesit e tyre janë në gjendje të zbulojnë anomalitë dhe devijimet nga procedurat standarde, si dhe të identifikojnë parregullsitë e tilla si mashtrimi apo korrupsioni. Rezultatet më të mira në luftën kundër korrupsionit mund të arrihen nëse SAI dhe prokuroria punojnë së bashku. Njohja e specializuar e SAI, kur lidhet me kompetencat e gjera të hetimit të prokurorisë, është arma më e fuqishme kundër korrupsionit. Për interesin dhe të mirën e përbashkët, të dyja duhet të përdoren, veçanërisht në vendet dhe zonat me rrezik të lartë.

SHKARKO APP