Intervista/ Deputeti Zeneli tregon vizitën në qeli: Takimi me Suela Mustën, e arrestuan si kriminele

Alban Zeneli, deputeti i Grupit Parlamentar Demokrat, shpreh shqetësimin se vendi po rrëshqet drejt një regjimi autokratik.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Zeneli flet për arrestimin e anëtares së AMA-s, Suela Musta, duke e cilësuar të tepruar mënyrën se si ajo është marrë nga banesa e saj, me forca speciale.

Sipas tij, ajo është trajtuar njësoj sikur të ishte kriminele e rrezikshme, ndërkohë që kemi të bëjmë me nëpunëse të një institucioni publik. Nisur nga ky rast, deputeti demokrat shprehet se këto sjelle të Policisë ndaj qytetarëve bëhen qëllimisht si presion ndaj qytetarëve në forma e metoda të ish regjimit komunist.

Pak ditë më parë, ju jeni takuar me anëtaren e AMAs dhe gazetaren Suela Musta, e cila u shoqërua në Policinë e Tiranës në funksion të një hetimi të nisur nga Prokuroria. Takimi me të ka qenë në cilësinë e deputetit dhe çfarë mund të thoni për mënyrën se si është bërë shoqërimi i gazetares?

E para, ishte një reagim njerëzor, sepse e njoh Suelën, kam respekt për të dhe doja t’i gjendesha afër në ditë të vështirë, për aq sa mundem. Por më e rëndësishmja, si deputet e kam për detyrë të reagoj nëse shoh arbitraritet ndaj qytetarëve. Sipas asaj që mësova përmes mediave, anëtarja e AMA-s ishte shoqëruar në mëngjes herët nga banesa e saj me forca speciale, njësoj sikur të ishte kriminele e rrezikshme. Kjo sjellje dhe ky shoqërim i një nëpunëseje të një institucioni publik, në gjykimin tim, është i tepërt. Por edhe jam i shqetësuar se kjo lloj sjelljeje po kthehet në një fenomen shumë të rrezikshëm që kjo maxhorancë po e përdor në shumë raste të ngjashme. Unë e shoh jo korrekte e në mënyrë aspak profesionale dhe etike atë shoqërim në orët e para të mëngjesit. Por këto sjellje, në gjykimin tim, nuk janë aspak rastësore. Kjo maxhorancë po i përdor ato si presion ndaj qytetarëve në forma e metoda të ishregjimit të vjetër. Megjithëse me keqardhje, por duhet të pranojmë se Shqipëria po shkon drejt një regjimi autokratik. Unë e vizitova Suelën në ambientet e Komisariatit, ku ajo ka qenë e shoqëruar. Më vjen mirë që aktualisht, me vendim të Gjykatës, asaj i është ndryshuar masa e arrestit me burg dhe gjendet në shtëpi në pritje të sqarimit të rrethanave dhe drejtësisë.

Jeni në dijeni për akuza konkrete të ngritura ndaj Mustës dhe si e vlerësoni faktin që arrestimi i saj ka ardhur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë, që është arrestuar një grup kriminal?

Edhe njëherë, unë dua të theksoj se kemi të bëjmë me diçka me prapavijë politike. Edhe mënyra e shoqërimit ka qenë e shëmtuar. Prandaj e them se, nëse shoqëria shqiptare nuk reagon sa më shpejt të jetë e mundur, vendi do të shkojë drejt një regjimi autokratik. Unë e kuptoj që interesi dhe shpresa te politikanë të provuar ka rënë. Kanë qenë pikërisht këta politikanë që e kanë humbur besimin e shqiptarëve, duke vënë interesin personal e familjar përpara interesit publik, pavarësisht se në publik vazhdojnë me retorika, gjoja, në emër të popullit apo për popullin. Unë besoj dhe e kam thënë që kjo klasë politike e këtyre 30 viteve është një, janë bashkë, janë përgjegjës të kësaj klime e të kësaj gjendjeje ku ndodhet Shqipëria, prandaj kjo klasë politike, duke nisur nga Edi Rama, duhet të largohen një orë e më parë. Të largohen që mos të vazhdojë tranzicioni e të mos bjerë Shqipëria në regjim autotratik e të mos ketë arrestime e ndalime politike e të jemi me moton, të gjithë fajtorë. Secili duhet të marrë atë që meriton, nuk mund të vëmë shenjë barazimi mes Suelës dhe pjesëtarëve të një grupi kriminal, kurrsesi s’duhet të ndodhë. Nuk mund të jetë dikush, që del në mënyrë periferike i lidhur me një bandë të njohur për rrezikshmërinë e saj, njësoj si anëtarët e bandës. Kjo është arbitrare dhe tregon zell mbi ligjin. Suela është vajzë me integritet të lartë dhe jam i sigurt se do ta provojë vetë pafajësinë e saj. Ajo është një çështje e drejtësisë.

Gjatë këtyre kohëve vazhdimisht ka arrestime në radhët e opozitës, medias dhe të personave që kanë vuajtur edhe gjatë regjimit komunist. Si ju duket ky fakt?

Unë s’mund të rri indiferent para disa masave arbitrare dhe që synojnë bujë e të shantazhojnë njerëzit, e jo zbatimin rigoroz të ligjit. E njëjta gjë po ndodh shpesh dhe ndaj protestuesve. Personalisht, jam kundër çdo lloj dhune që demonstrohet e sidomos kur kjo dhunë vjen nga forca politike, që duan ta shfrytëzojnë për kapital politik apo për të marrë pushtetin me këto metoda marksiste-revolucionare. Por pavarësisht kësaj, duhet një profesionalizëm në menaxhimin e situatave e të ketë një proporcionalitet të veprimeve të forcave të Rendit ndaj dhunës së protestuesve.

Arrest shtëpie për anëtaren e AMA-s, burg Florenc Çapjes

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Policia e Shtetit finalizoi operacionin policor “Krasta”, ku u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Gjatë operacionit u godit edhe një rast korrupsioni i kryer nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe të sektorit privat.

Operacioni u zhvillua nga Njësia Hetimore pranë Task-Forcës Speciale Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale, ku mes të arrestuarve ishte dhe Florenc Çapja, i akuzuar për tentativë vrasjeje të ish-shefit të Policisë Rrugor në Elbasan, Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Gjatë këtij operacioni u bënë kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente të tjera. U arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë. U sekuestruan dy armë zjarri, radio policie, dylbi, drogë, municion e sende të tjera. Gjithashtu u shoqëruan disa persona për verifikim.

Një nga të arrestuarit ishte anëtarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Suela Musta. Për shkak të dyshimeve për korrupsion u ndaluan tetë persona, që kishin lidhje me këtë çështje. Bëhej fjalë për favorizimin e një televizioni kabllor në Elbasan, “Brado”, në pronësi të Bledar Karajt. Musta, anëtare e AMA-s, pasi doli para Gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj saj, u la në “Arrest shtëpie”. Karaj dyshohet se ka paguar një shumë prej 400 mijë lekësh të rinj për marrjen e licencës nga AMA, gjë e cila u zbulua nga përgjimi i telefonatave të Karajt.

SHKARKO APP