Izolimi e pati dhe një të mirë, kufizimet e zbatuara në Europë kanë rezultuar në një rënie dramatike të ndotjes
Kufizimet e zbatuara në disa qytete në Europë për të frenuar pandeminë e koronavirusit kanë rezultuar në një rënie dramatike të ndotjes. Kështu bëri të ditur Agjencia Europiane e Hapësirës, duke theksuar se në disa qytete nivelet e dyoksidit të azotit janë përgjysmuar.
Përmirësimi i cilësisë së ajrit është veçanërisht i dukshëm në Itali, Spanjë dhe Francë, ku bllokimi ka qenë në vend për disa javë. Në Paris nga 13 marsi deri më 13 prill pati një rënie prej 54% të niveleve të dyoksidit të azotit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Milano, Romë dhe Madrid rreth 45%.
Mbledhja e të dhënave të reja vjen nga sateliti “Copernicus Sentinel-5P” brenda programit Kopernicus të Bashkimit Europian, kujton ESA, duke specifikuar se dyoksidi i azotit prodhohet nga termocentralet, automjetet dhe strukturat e tjera industriale dhe mund të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi shëndetin e njeriut, duke rritur mundësinë e zhvillimit të problemeve të frymëmarrjes.