Izolimi nga COVID-19/ Sondazhi: Sa po e përdorin blerjen nga interneti shqiptarët?
Në përgjigje të situatës së krijuar nga masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, rrjetet e supermarketeve por edhe kompani të tjera kanë ofruar opsionin e blerjes pa pasur nevoja të dalësh nga banesa.
Praktika e ndjekur është ajo e krjimit të shportave ushqimore të cilat porositen online dhe të dërgohen në banesë, ku pagesa bëhet me para në dorë ose me kartë.
Nga ana tjetër, ajo që është konstatuar shumë është dyndja e qytetarëve për të bërë blerje nëpër dyqane e markete, ku në shumicën e rasteve është krijuar radhë edhe për të ruajtur distancën sociale.
Me përjashtime të vogla, janë konstatuar edhe raste kur distanca nuk është respektuar dhe ku ka pasur dyndje qytetarësh në tregje.
Por sa po e përdorin shqiptarët mënyrën e blerjes online për të shmangur daljen nga banesa?
Referuar një sondazhi të kryer nga IDRAPOLL gjatë ditëve 22-23 mars, rezulton se porosia/ blerja e ushqimeve online është shumë e ulët,”pothuajse në nivelet e tolerancës së gabimit të anketës”. Sipas sondazhit, vetëm 3 % e të anketuarve deklarojnë se e kryejnë këtë aktivitet përmes internetit.
Sondazhi kishte si qëllim që të eksploronte ndryshimet e mundshme të sjelljes së qytetarëve si rrjedhojë e situatës së krijuar nga COVID-19.
Kampioni i përftuar është N=803, i peshuar në lidhje me urbanitet, qark, gjini dhe moshë në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-54 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë popullsi është 3.5%.
SCAN