Japonia, 76 mijë Euro Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”
Sot, Makoto Ito, Ambasadori i Japonisë në Shqipëri nënshkroi një marrëveshje granti me Drejtoreshën e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj për t’i dhuruar shumën prej 76,325 EUR këtij spitali. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Sh.S.Znj. Ogerta Manastirliu, ishte e pranishme në këtë aktivitet.
Ky donacion u realizua në kuadër të skemës së granteve të qeverisë japoneze të quajtur “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal” (GGP) dhe synon shfrytëzimin e kësaj shume për blerjen e një sistemi Laparoskopie 3D, i cili do të ndihmojë personelin e kualifikuar mjekësor të spitalit “Mbretëresha Geraldinë” për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale “minimalisht invazive”, duke zvogëluar kohën e nevojshme për shërimin dhe shtrimin në spital të pacientëve pas operacionit dhe përmirësimin e efikasitetit të operacioneve gjinekologjike në maternitet.
Gjatë ceremonisë, Ministrja u shpreh mirënjohëse për ndihmën që Qeveria e Japonisë i ka akorduar sektorit të shëndetësisë në Shqipëri përgjatë viteve. Ajo e konsideroi sistemin e Laparoskopisë 3D si një pajisje të domosdoshme dhe moderne që nuk mund të gjendet as në klinikat private në Shqipëri. Sipas saj, ky projekt adreson nevojat e grave dhe nënave në Shqipëri dhe do të përmirësojë në mënyrë drastike shërbimet që u ofrohen atyre.
Në fjalimin e tij, Ambasadori Ito konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Japonisë për t’i ardhur në ndihmë sektorit shëndetësor në Shqipëri, të cilin e konsideroi si njërën nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit midis dy vendeve. Për më tepër, Ambasadori Ito shprehu dëshirën për një zbatim sa më të shpejtë dhe të suksesshëm të këtij projekti, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të kujdesit shëndetësor në Shqipëri si dhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Kjo nuk është hera e parë që Japonia ofron kontributin e saj për zhvillimin e sektorit shëndetësor në Shqipëri. Gjatë viteve të kaluara, Qeveria e Japonisë e ka mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri me projekte të ndryshme që arrijnë vlerën e 10 milion USD. Në vitin 2004, pesë spitale të nivelit të dytë në Shqipëri u furnizuan me pajisje të domosdoshme mjekësore. Në vitin 2009, katërmbëdhjetë qendra të urgjencës mjekësore në mbarë vendin u furnizuan me pajisje mjekësore për raste emergjencash, pajisje diagnostikuese, pajisje laboratorike klinike, autoambulanca të nevojshme për modernizimin e qendrave të urgjencës.