Jeta me dinjitet e një mjeshtri të paharruar

Nga Nikolla Sudar*-Të sakrifikosh për popullin, për vendin tënd do të thotë të futesh në kujtesën e tij, do të thotë të fitosh përjetësinë. Durrësi, kjo perlë jo vetëm e Adriatikut, por edhe e Mesdheut, me histori të panumërta ka nxjerrë burra të shquar në të gjitha aspektet e jetës. Ndonëse koha evolon, ata do të mbeten të gdhendur në mendjen dhe zemrën e brezave, sepse përbëjnë domethënien e tij.

Në historikun e ndërtimtarisë së qytetit bregdetar kanë zënë vend nderi një sërë mjeshtrash duarartë, si arkitekt Sotiri, Rexhep Çëtaku, Jusuf Hidri e mjaft të tjerë, por ndërmjet tyre gjithnjë do të shkëlqejë ndërtuesi i përmendur dhe atdhetari i nderuar, siç e kujtojnë edhe sot me respektin më të madh bashkëqytetarët e moshuar, të paharruarin usta Hajdar Toskën.

Kush ishte usta Hajdari? Çfarë e bëri atë të veçantë? Lind ai në Tiranë, në vitin 1883, në një familje të nderuar, atdhetare e me autoritet. Ai u rrit me dashurinë dhe përkujdesjen e patreguar të Hysenit, këtij prindi të mençur e me tradita të shquara, i cili dijti t’i edukojë fëmijët me dashurinë dhe respektin e thellë për atdheun dhe për punën. Pasi kreu me nota shumë të mira mejtepin, ai ndjek shkollën ruzhdije (e mesme turke) ku do të spikaste për zgjuarsi dhe zellin e madh, sidomos për shkencat ekzakte. Në mënyrë të veçantë i pëlqente matematika, e cila më vonë do t’i shërbente pa masë në profesionin e tij të nderuar si ndërtues. Akoma pa mbushur mirë të njëzetat, e marrin në shërbimin ushtarak. Për fatin e tij të keq, ashtu si edhe shumë të tjerë nga “Arnautistani”, shërbimin e vështirë ushtarak do ta kryente në Arabinë Saudite. Shpesh do ta kujtonte ai periudhën e vështirë shumëvjeçare të shërbimit, në këtë vend ku mbizotëronte “rëra dhe mjerimi”(siç thoshte ai). Me aftësitë e tij, me nvelin e lartë arsimor për kohën, do të fitonte respektin e ushtarakëve turq të karierës.

Lëvizjet e vrullshme patriotike të viteve 1908-1912 do ta gjenin atë të gatshëm për interesat e larta të atdheut, por tashmë në Durrës. (Kjo prefekturë në atë kohë përfshinte Kavajën, Shijakun, Tiranën dhe Krujën). Këtu do të kontribuonte me të gjitha energjitë fizike dhe morale në organizatën patriotike “Bashkimi”, që drejtohej nga atdhetari i shquar, Dr. Neki Libohova. Aktiviteti i gjithanshëm patriotik i ustait do ta bënte atë të zgjidhej në grupin prej 31 përfaqësuesish të qytetit, që do të zgjidhnin delegatët për në kuvendin historik të Vlorës. Bashkëkohësit do të rrëfenin më vonë për këtë ngjarje historike:

“Ishte mesdita e 23 nëntorit 1912, kur bashkëqytetarët durrsakë do të mësonin lajmin e madh. Përfaqësuesit e qytetit do të zgjidhnin delegatët për në Vlorë. Në mes të një entuziazmi të paparë u zgjodhën si delegatë atdhetarët e shquar: Abaz Çelkupa, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha e Dom Nikoll Kaçorri”. Dhe në protokollin e kësaj ngjarjeje të paharruar si zgjedhës figuron emri i usta Hajdarit.

Ai nuk do të mjaftohej me kaq, por si shumë atdhetarë të kohës, do të luftonte për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-13. Në Durrës u kthye i tronditur nga dorëzimi i turpshëm i Shkodrws, megjithatë ai deri në fund të jetës së vet nuk do të kursehej në të mirë të atdheut.

Tashmë i formuar si moralisht ashtu edhe profesionalisht, gjeometri i palodhur do të jepte kontributin e tij mbresëlënës në fushën e ndërtimeve. Vendi kalonte vite të vështira ekzistenceje. Në periudhën e pushtimit autrohungarez usta Hajdari studjoji me vëmendje veprimtarinë e gjithanshme të inxhinierëve të aftë austriakë dhe përfitoi mjaft prej tyre.

Ishte vitit 1920, tashmë edhe me një përvojë të konsiderueshme pune, kur usta Hajdari ngriti të parën firmë ndërtimi në Durrës. I pajisur, jo vetëm me talent krijues, por edhe me një humanizëm të thellë, ai dijti të mbledhë rreth vetes mjeshtra ndërtimi nga të gjitha shtresat. Nuk kursehej ustai që me durim të ndihmonte punëtorët e rinj për t’u profilizuar në ndërtim. Në tërë veprimtarinë do të binte në sy edhe gadishmëria e tij për të ndihmuar materialisht, jo vetëm punonjësit e firmës së tij por edhe më gjërë.

Ishte koha kur me entuziazëm Durrësi po linte pas pamjen e qytetit të dikurshëm mesjetar dhe nuk do të kalonin shumë vite kur ai do të merrte tiparet e një qyteti të vërtetë evropian. Sukseset e arritura dhe perspektiva e bukur e qytetit do të gjenim mishërimin e vet në planin rregullues të vitit 1930, të hartuar nga inxhinieri i talentuar Hivzi Korça dhe të miratuar nga qeveria e kohës. Në këtë aspekt do të vazhdonte të jepte kontributin e vet të dukshëm usta Hajdari. Ai do të projektonte dhe realizonte ngritjen e shumë ndërtesave disakatëshe si në bulevardin kryesor (sot “Rruga tregtare”), si edhe ngritje vilash dhe ndërtesa banimi në qytet dhe në plazh. Ai do të merrte pjesë direkt edhe indirekt në ngritjen e vilës së Zogut, në ndërtimin e objekteve të shumtë industrialë në qytet dhe Shkozet, në zgjerimin e portit dhe mirëfunksionimin e ujësjellësit të qytetit etj.

Usta Hajdari ishte skrupuloz në punë e në jetë dhe i papërtueshëm si autodidakt. Ai ndërmerrte herë pas here udhëtime në shumë qytete dhe metropole të Evropës. Si zotërues i disa gjuhëve si turqishja, arabishtja, italishtja dhe gjermanishtja, mbante kontakte të ngushta me studio të përmendura të kohës. Në zyrën e tij do të gjeje katalogë të ndryshëm ndërtimesh të cilët i studjonte me vëmendje dhe i zbatonte në mënyrë krijuese.

Historikisht Durrësi njihet si zonë sizmike, prandaj ustai konsultohej me specialistë të tjerë lidhur me vendin ku do të ngrihej objekti dhe gjithmonë përdorte materiale cilësore. Ai i këshillonte kolegët e vet që të mos përdornin rërën e detit, për arsye të kripës që përmbante e që shkaktonte të njolla të shëmtuara lagështie ne fasada. Usta Hajdari qe i pari që ngriti poligonin e inerteve në lumin Erzen, me rërën e të cilit kreu ndërtime të shumta e mbresëlënëse.

Të shumta janë veprat projektuese dhe ndërtuese të këtij mjeshtri të madh, i cili e shtriu veprimtarinë e vet edhe jasht territorit të Durrësit. Edhe sot pas shumë dekadash, kur sektori i ndërtimit paraprin në ekonominë e vendit, objektet të realizuara nga usta Hajdari i kanë rezistuar kohës dhe sikur thonë “ne jemi”, të tillë si hotel “Internacional” në Tiranë, ndërtesa e bukur dhe funksionale e Normales së famshme të Elbasanit, ndërtesa e spitalit të Gjirokastrës etj. etj.

Normalja e Elbasanit

Marrëdhëniet e tij me kolegët ishin më se të mira. Ustai u bë njëri nga veprimtarët më aktivë të shoqërisë “Puna” të Durrësit, të ngritur në vitin 1935 e të drejtuar nga vëllai i tij, mjeshtri i madh, Rexhep Çëtaku.  Usta Hajdari do të shquhej edhe në jetën e tij private e familjare. Ai bëri shoqe jete Bedrije Domin, vajzën e klerikut patriot e humanist, Hamdi Domit, i cili me në krye të vëllanë, atdhetarin më në zë në gjithë nënprefekturën e Shijakut, “Mësuesin e Popullit” Qazim Domi, do ta mbanin gjallë atdhedashurinë jo vetëm në fisin e tyre të madh, por edhe në tërë krahinën edhe gjatë pushtimit fashist.Të dy vëllezërit do ta përkrahnin fuqimisht luftën aniifashiste për çlirim kombëtar dhe shoqëror.

Familja ime ka pasur fatin e madh të strehohet në fisin e shquar Domi dhe t’i njihte nga afër mjeshtrat e shquar. Fare mirë më kujtohet gëzimi i madh që shkaktonin vizitat në Shijak, në familjen e nderuar e bamirëse të hoxhë Hamdiut, e dhëndurëve, të Hajdarit dhe Rexhepit të cilët kishin bashkëshorte dy nga vajzat e hoxhës, Bedrijen dhe Nadiren. Nënë Bedrija, shoqja e jetës së usta Hajdarit, kjo grua e rrallë e zemërbardhë, gjithmonë e qeshur, i donte shumë fëmijët. Të gjithë në lagje e thërrisnim me dashuri e respekt “hallë Bedrie”. Usta Hajdari dhe nënë Bedria, patën fatin e keq që disa nga fëmijët t’i humbisnin që në moshë të re, por ata asnjëherë nuk i mposhtën dot fatkeqësitë e jetës.

Në pasionet e veçanta të ustait përmendet gjuetia. Shpesh, sidomos në periudhën e dimrit, kur edhe punimet pakësoheshin, usta Hajdari vishte çizmet e gjuetisë, mushamanë e tij karakteristike, merrte me vete langoin, çiften dhe dilte për gjueti. Më e çuditshmja ishte se kur kthehej nga gjuetia, ndalesën e parë e bënte në shtëpinë e të vëllait, të usta Rexhepit. Pasi linte aty thëllëza dhe rosa të vrara, pjesën e mbetur e sillte në familjen e vet.

Të rrallë janë shembujt e një dashurie, mirëkuptimi dhe respekti të gjithanshëm midis vëllezërve siç ekzistonin ato mes usta Hajdarit dhe usta Rexhepit, si në veprimtarinë profesionale, ashtu edhe në marrëdhëniet familjare.

Vendosja e të ashtuquajturit pushtet popullor dhe sidomos masat e tij drastike menjëherë mbas çlirimit, do ta dëshpëronin pa masë burrin e ndershëm dhe të palodhur, mjeshtrin usta Hajdari. Shtetëzimi i pasurisë, i të gjitha objekteve që zotëronte, e që i kishte vënë me mund e me sakrifica, e rënduan jashtë mase fizikisht e moralisht. Nuk do të kalonte shumë dhe në vitin 1951, ky veprimtar dinjitoz, me brengë të madhe në zemër do të ndahej nga nga jeta, pa e ditur se bashkëqytetarët e vet durrsakë, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në funeralin e tij, do të tregonin dashurinë dhe respektin e madh për këtë bir të paharruar të qytetit të lashtë bregdetar.

Në kujtimet e tij, mjeshtri i madh i elektronikës shqiptare, nipi i usta Hajdarit, Ai Çëtaku thekson:  “Për xha Hajdarin, si më i parë në fisin tonë, të gjithë tregonim respekt të veçantë, duke filluar që nga baba. Në çdo ngjarje gëzimi apo hidhërimi, në krye të vendit do të qendronte xhai ynë i nderuar dhe i paharruar. Me plot gojën mund ta them se të parët tanë, jo vetëm që u përpoqën të na edukonin si qytetarë të vërtetë, por na ngjizën atë frymë të mrekullueshme dashurie e respekti midis të dyja familjeve, të cilën me nder ua kemi trashëguar edhe fëmijve tanë”.

Fëmijët e usta Hajdarit, Lutfija, Rapi dhe Jolldyzi, ruajtën me nder virtytet e larta të familjes dhe krenarinë për veprën e prindit të paharruar, “mjeshtrit të madh durrsak” Hajdar Toska.

*Historian dhe përkthyes

SHKARKO APP