Jiriçek: Venediku, donte kokën e Skënderbeut

Historia e Ballkanit nuk mund të tregohet pa rrëfimet apo qëndrimet mbi Skëndërbeun. Shumë studiues janë përpjekur të tregojnë rolin e tij në histori. Fakte nga jeta dhe koha e tij sjell dhe historiani çek Kostantin Jiriçek. Sipas tij, jo vetëm Porta e lartë, por edhe Venediku, donte kokën e Skënderbeut. Në studimin “Historia e serbëve”, Jiriçek (1854-1918), tregon qartë përpjekjet për eliminimin e heroit shqiptar. Është koha kur kufijtë ende nuk janë të mire përcaktuar e trojet kalojnë në zotërim sa të njërit, tek tjetri princ, qoftë ky serb, bullgar, apo shqiptar… Dyert e fisnikëve janë të lidhura me njëra–tjetrën mes krushqish, madje historitë e shkuesive, martesave, ndarjeve, janë aq të shumta, saqë zor se gjen një familje të këtij rangu të papërzier në “pazare” martesore, qëllimi i së cilave ishte përvetësim pronash, forcim pushtetesh, etj.

Dhe në gjithë këtë vorbull nuk ka se si të mbeten jashtë edhe shqiptarët. Krahas përshkrimit të qyteteve dhe lëvizjeve politike në mesjetën shqiptare, një moment i rëndësishëm në studimin e Jiriçekut i kushtohet Gjergj Kastriot Skënderbeut, prijësi i shqiptarëve në luftën kundër osmanëve. Që në momentin e parë, kur përmendet emri i Skënderbeut, ai paraqitet si shqiptar dhe bir shqiptari. Nuk ka asnjë tendencë për ta nxjerrë origjinën e tij serbe, siç ka pasur tentativa nga historiografia serbe, apo edhe historianë të tjerë të huaj. Ndonëse qëllimi i Jiriçekut nuk është të flasë në veçanti për Skënderbeun, ai na jep të dhëna për marrëdhëniet e tij me princërit shqiptarë, me fqinjët, për luftërat për zotërime, për mbrojtjen nga pushtuesit osmanë, etj. Ai ofron gjithashtu një fakt interesant, sipas të cilit, në një moment, kur Venediku u ndie i cenuar nga Skënderbeu në çështje pronash, u dha urdhri për eliminimin e tij fizik. “Atëherë Skënderbeu ngriti pretendimet e tij për Danjën dhe për Drishtin që dikur ishte serbe dhe, i mbështetur nga Araniti dhe princër të tjerë, nisi luftën kundër Venedikut, si në Durrës ashtu edhe në Shkodër (fundi i 1447-ës). Thuhej se despoti e paska nxitur me financime. Nga ana tjetër despoti dhe Skënderbeu shpresonin shumë nga marrëdhëniet e tensionuara midis Venedikut dhe mbretit Alfons të Napolit, tek i cili shumë shpesh shkonin të dërguar të despotit duke kaluar nga Raguza. Së fundi venedikasit shpallën si çmim një pagesë të përjetshme prej 100 dukatesh për vrasjen e Skënderbeut (4 maj 1448)”, shkruan Jiriçek.

Më tej ai pohon se Skënderbeu ishte një nga njerëzit më të shquar të kohës së vet, i cili i bëri ballë turqve, deri sa ishte gjallë. Ja cfarw shkruan Jiriçek: “Kudo në vendet e Ballkanit të krishterët filluan të gjallërohen. Me anë të vojvodit Petar Kovaçeviç, Despoti pushtoi qytetin malor të Srebrenicës dhe zyrën e atjeshme të doganës ua dha me qira raguzianëve. Edhe në Novo Brdo ndodhi një kryengritje. Nëpër rrugë të tërthorta zyrtarët e qytetit morën barut nga raguzianët, por Daud beu, qeveritari turk i Prishtinës, i mposhti serbët në Sitnicë dhe plaçkiti Novo Brdon. Edhe Srebrenica shumë shpejt ra sërish në dorë të osmanëve. Te bizantinasit vëllai i perandorit, despoti Konstantin, nisi ofensivën në Greqi dhe detyroi dukatin e Athinës që t’i paguante tributin perandorit grek.
Nën prijësit bizantinë u ngritën edhe shqiptarët dhe vllehët e Pindit kundër turqve të Thesalisë. Në Shqipërinë e Mesme tanimë në gusht të vitit 1443 prijësi i sprovuar Araniti (Arianites) e filloi sërish luftën. Pasi kishte fituar, bashkë me të bijtë, qytetarinë raguzianë, ai mori prej andej një flamur, arkebuze dhe armë zjarri. Fqinji i tij verior Ivan Kastrioti kishte vdekur pak kohë më parë. Ai kishte katër djem që quheshin Stanish, Repos, Kostandin dhe Gjergj.

Gjergji i cili pas vitit 1426 jetonte tek i ati si i krishterë, më vonë, duke qenë peng te turqit, u kthye në muhamedan dhe mori emrin Skënder bej, sipas Iskanderit, Aleksandrit të Madh të famshëm edhe në legjendat orientale. Gjatë luftës për Selanikun, Ivan Kastrioti kërkoi në Venedik që nuk duhet ta mbajnë atë si përgjegjës nëse i biri, i cili tanimë ishte bërë turk, do të sulmonte me urdhrin e Sulltanit zonën venedikase (1428). Në 1438 venedikasit i dhanë Stanishës dhe Gjergjit të njëjtat të drejta siç i kishte gëzuar edhe i ati i tyre. Po ashtu në vitin 1439 raguzianët i njohën Gjergjit dhe të vëllait të drejtën e qytetarisë raguziane. Është për tu shënuar që në të dyja dokumentet ai del përsëri me emrin e krishterë. Pas fushatës së Zlaticës ai pushtoi kështjellën e Krujës, e cila nuk i përkiste zotërimeve të tij atërore dhe andej e tutje në dokumentet e tij të hartuara në serbisht, latinisht dhe italisht nënshkruan si “Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënder Beg”. Si dhëndër i Aranitit ai dalëngadalë bëhet personi kryesor në Lidhjen e sundimtarëve shqiptarë (domini Albaniae) kundër osmanëve. Në rimiratimin e privilegjeve venedikase dhe në dhënien e qytetarisë (12 shkurt 1445) venedikasit e përmendin tashmë Gjergjin përpara vëllait të tij më të madh, Stanishit.

*
Në këtë kohë Venediku ishte ngatërruar në një luftë me Skënderbeun dhe me despotin. Lekë Zaharia i Danjës u vra nga vasali i tij Nikollë Dukagjini. Nëna e Zaharisë ia dorëzoi kështjellën e tij venedikasve (1445). Atëherë Skënderbeu ngriti pretendimet e tij për Danjën dhe për Drishtin që dikur ishte serbe dhe, i mbështetur nga Araniti dhe princër të tjerë, nisi luftën kundër Venedikut, si në Durrës ashtu edhe në Shkodër (fundi i 1447-ës). Thuhej se despoti e paska nxitur me financime. Nga ana tjetër despoti dhe Skënderbeu shpresonin shumë nga marrëdhëniet e tensionuara midis Venedikut dhe mbretit Alfons të Napolit, tek i cili shumë shpesh shkonin të dërguar të despotit duke kaluar nga Raguza. Së fundi venedikasit shpallën si çmim një pagesë të përjetshme prej 100 dukatesh për vrasjen e Skënderbeut (4 maj 1448). Në qershor vojvoda i despotit, Altomani, fushoi me 12 000 burra në Kotorr. Crnojeviçët kaluan nga Venediku në anën e despotit; të njëjtën gjë bëri një pjesë e Pashtrovçëve, zhupat e Grbaljit etj. Të dërguarit Andera Venier, i cili erdhi në Shkodër me qëllim që të bënte paqe me Skënderbeun dhe me despotin, tashmë iu dha kërkesa që Gjergjit t’i riktheheshin qytetet e diskutueshme të bregdetit, kundrejt pagesës përkatëse ndaj Republikës. Papritur në Venedik mbërriti lajmi (në korrik) se ushtria serbe ishte shkatërruar plotësisht nga trupat venedikase, ndoshta në afërsi të Tivarit. Andej e tutje nuk bëhej më fjalë për dorëzim të qyteteve te despoti. Venedikasit ranë në ujdi për një paqe vetëm me Skënderbeun në fushimin e tij përpara Lezhës (4 tetor 1448). Ai i hoqi dorë nga pretendimet e tij dhe mori një pagesë vjetore prej 1400 dukatesh.
*
….Për fatin e madh të Hungarisë Muradi II nuk e shfrytëzoi fitoren në Amselfeld. Në vend të kësaj në Epir ai dëboi Toçot në ishull dhe luftoi Skënderbeun, i cili deri atëherë i kishte paguar një haraç prej 6000 dukatesh. Kështjella e tij Svetigrad (Kështjella e shenjtë), sipas Hahnit në Koxhaxhik në Dibrën e Sipërme, ku deri pak kohësh gjendej një koloni krejt e izoluar osmane, u sulmua nga jeniçerët (1449). Verën pasardhëse (1450) Muradi II me djalin e tij Mehmetin, rrethuan Krujën e fortë, por bombardimi dhe sulmi kryesor dështuan dhe Sulltanit iu desh të tërhiqej sërish. Nga kjo Skënderbeu u bë një nga burrat më të famshëm të kohës. Por ai përveç Krujës kishte humbur gjithçka, edhe këtë kështjellë ua ofroi (në tetor) venedikasve dhe (në dhjetor) mbërriti personalisht në Raguzë që të kërkonte para. Por megjithatë ai mundi të mbahej, edhe pse disa rivalë në Shqipëri, si Dukagjinët dhe Muzakajt, i hapnin shumë vështirësi. Zotërimi i tij në Mat dhe në Dibër ishte i vogël, ushtria e tij nuk kishte as 12 000 burra. Qytetet e mëdha fqinje, si Beratin dhe Ohrin, ai nuk i mori dot kurrë; forca e tij qëndronte kryesisht në mbrojtjen në vendin e ashpër malor.
Vepra të tjera mbi shqiptarët

Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, 40-vjeçare, Jiriçeku u kushtoi punime gati të gjithë popujve të Ballkanit. Mbi historinë e popullit shqiptar, Jiriçekut i përkasin punimet “Shqipëria në të kaluarën”, e botuar në “Kërkime Iliro-Shqiptare” (Illyrische-Albanischen Forschungen I). “Pozita dhe e kaluara e qytetit të Durrësit në Shqipëri”, tek IAF, “Shkodra dhe zona e saj në mesjetë”, “Vlora në të kaluarën”, “Dy dokumente nga Shqipëria e Veriut”. Jiriçeku shqiptarët i ka përmendur edhe në punime të tjera, që nuk kanë si objekt direkt ata, por popuj dhe tematika të tjera, si në punimin “Historia e serbëve” I,II, në “Rrugët tregtare dhe minierat e Serbisë dhe të Bosnjës në Mesjetë”, në “Elemente të krishterë në nomenklaturën topografike në tokat ballkanike”. Gjithashtu edhe tek “Romanët ne qytetet e Dalmacisë gjatë mesjetës”. Jiriçeku ka treguar interes të madh për ilirët, origjinën, shtrirjen e tyre në Ballkan, për etnogjenezën shqiptare, marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe politike, por edhe për marrëdhëniet e tyre me popujt fqinjë, sidomos në kohën e feudalizmit. Është një ndër bashkautorët e përmbledhjes dokumentare së bashku me Shuflain e Tallocin, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”(1913-16), vepër monumentale në dy vëllime, e cila përfshin aktet dhe diplomat që ilustrojnë ngjarjet në Shqipëri në kohën e mesjetës.

SHKARKO APP