Ju duket sikur koha po “fluturon’? Ja si mund ta ngadalësoni atë

Ndonjëherë duket sikur jeta po na ikën shumë shpejt. Kur jemi fëmijë, koha kalon nga udhëtime të pafundme me makinë tek pushimet verore që duket se zgjasin përgjithmonë. Por, si të rritur, koha duket sikur përshpejtohet me një ritëm të frikshëm, me Krishtlindjet dhe Ditëlindjet që duket sikur vijnë më shpejt çdo vit. Por ndoshta nuk ka nevojë të ndjehemi kështu medoemos. Përvoja jonë e kohës është fleksibël, përshpejtohet në disa situata dhe ngadalësohet në disa të tjera. Ka edhe disa gjendje të ndërgjegjes, në të cila koha duket se ngadalësohet në një shkallë të jashtëzakonshme. Pra, ndoshta duke kuptuar proceset psikologjike të përvojave tona të ndryshme të kohës, ne mund të jemi në gjendje t’i ngadalësojmë disi gjërat.

Ekzistojnë një numër “ligjesh” themelore të kohës psikologjike, siç përjetohet nga shumica e njerëzve. Një nga këto është se koha duket sikur përshpejtohet ndërsa rritemi, ndërsa duket sikur ngadalësohet kur ne jemi të ekspozuar ndaj mjediseve dhe përvojave të reja. Këto dy ligje shkaktohen nga i njëjti faktor themelor: marrëdhënia midis përvojës sonë të kohës dhe sasisë së informacionit (përfshirë perceptimet, ndjesitë dhe mendimet) që mendja jonë proceson. Sa më shumë informacion marrin mendjet tona, aq më ngadalë duket sikur kalon koha. Kjo shpjegon pjesërisht se pse koha kalon kaq ngadalë për fëmijët dhe ndryshon kur rritemi. Për fëmijët, bota është një vend interesant, plot me përvoja të reja dhe ndjesi të freskëta. Ndërsa rritemi, kemi më pak përvoja të reja dhe bota rreth nesh bëhet gjithnjë e më e njohur. Ne bëhemi më pak të ndjeshëm  duke fituar përvojë, që do të thotë se ne përpunojmë më pak informacione, dhe koha duket se përshpejton.

Kur shkoni në një vend të huaj ju jeni shumë më të ndjeshëm ndaj mjedisit që ju rrethon. Çdo gjë është e panjohur dhe e re, kështu që ju i kushtoni shumë më tepër vëmendje dhe merrni më shumë informacion. E njëjta gjë kur kaloni një ditë në një kurs trajnimi, duke mësuar gjëra të reja me një grup njerëzish të panjohur. Ndihet sikur ka kaluar më shumë kohë se sa nëse do të kishit qëndruar në shtëpi me rutinën tuaj të zakonshme. E gjithë kjo çon në dy sugjerime të thjeshta se si mund ta zgjerojmë përvojën tonë të kohës.

Së pari, pasi e dimë se njohja e bën kalimin e kohës më shpejt, mund të ngadalësojmë kohën duke e ekspozuar veten në sa më shumë përvoja të reja që është e mundur. Duke udhëtuar në vende të reja, duke i dhënë vetes sfida të reja, duke takuar njerëz të rinj, duke i ekspozuar mendjet tona me informacione të reja, hobi dhe aftësi, e kështu me radhë. Kjo do të rrisë sasinë e informacionit që mendja jonë proceson dhe do të zgjasë eksperiencën e kalimit të kohës. Së dyti, dhe ndoshta më efektivisht, mund të ngadalësojmë kohën duke bërë përpjekje të ndërgjegjshme për të qenë më “të vëmendshëm” për përvojat tona. Koshienca e plotë nënkupton të gjithë vëmendjen tonë për një përvojë, për atë që ne po shohim, ndjejmë, provojmë, nuhasim ose dëgjojmë, në vend të mendimeve tona.

Burimi: QUARTZ -Scan

SHKARKO APP