Ju prezantojmë me Esther Duflo!- Gruaja që fitoi çmimin Nobel në ekonomi
Çmimin Nobel në Ekonomi për vitin 2019, e ka rrëmbyer Esther Duflo. 46 vjeçarja e fitoi çmimin së bashku me burrin e saj Abhijit Banerje dhe Michael Kremer, falë një studimi eksperimental, të kryer nga ata, në lidhje me lehtësimin e varfërisë globale. Puna e tyre, konsistonte në hulumtimin e shkaqeve të cilat sillnin varfërinë dhe bënë eksperimente dhe studime në terren për të përcaktuar se si ata që janë në varfëri i përgjigjen arsimit, kujdesit shëndetësor, bujqësisë dhe programeve të tjera. Treshja mori një çmim prej 9 milion koronë suedez ose rreth 916,000 dollarë si pjesë e çmimit. Puna e profesorëve është përqendruar kryesisht në Afrikë dhe Indi.
Në komentet e bëra në një konferencë shtypi pas fitores së saj, Duflo, si gruaja e dytë që fitoi çmimin Novel, pas Elinor Ostrom në 2009, tha që ajo dëshiron të jetë një frymëzim për gratë në fushën e saj.
“Duke treguar se është e mundur që një grua të ketë sukses dhe të njihet për sukses, shpresoj se do të frymëzojë shumë gra të tjera që të vazhdojnë të punojnë dhe shumë burra të tjerë për t’u dhënë atyre respektin që meritojnë si çdo qenie e vetme njerëzore,” është shprehur ajo.
Ajo shtoi se, “Mënyra se si njerëzit flasin me njëri-tjetrin dhe i drejtohen njëri-tjetrit në seminare, tregon se ne duhet të punojmë për të siguruar më shumë respekt për kolegët dhe mbi të gjitha që gratë të trajtohen njëlloj ”.
Duflo dhe bashkëpunëtorët e saj, dëshironin ta trajtonin problemin e varfërisë nga një kënd shkencor. Studimi i treshes që rrëmbeu Nobel-in për këtë vit, tashmë ka dhënë një ndikim të madh. Si rezultat i disa prej eksperimenteve të tyre, 5 milion fëmijë në Indi kanë marrë mësime në shkolla, dhe disa vende kanë futur subvencione për kujdesin shëndetësor, sipas një deklarate nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Duflo thotë se kërkimi i tyre synon të “shpalosë problemet, një nga një, dhe t’i adresojë ato sa më rigorozisht dhe shkencërisht”.
/ SCAN