Kabatë përmetare pikojnë lotë e këngë për njeriun…

Nga Kristo Mërtiri /

-Kush këndon, tremb mjerimin e dëshpërimin; ai që vetëm qan, i shton ato…Vitet rrokullisen njeri pas tjetrit, por këto fjalë mencurie të mikut tim të vecantë e bashkëvuajtës në emigracionin ekonomik të detyruar, Vasil Logo, nuk i harroj lehtë sot e kësaj dite. E as vetëm unë. Nëpër udhët helm të arratisë së pamerituar (“dhuratë” e pushteteve që vijnë e shkojnë kaluar, fodullë e zemërpaqëruar), në castet më të vështira shpesh vërshonte zëri i tij i paarritshëm sidomos me këngën magjiplote “Për ty, Atdhe!”. I jepte krahë besimit, shpresës së krisur e optimizmit të thyer. Jo rastësisht mjaft ish nxënës të tij përmetarë e thërrisnin ende Profesor refugjatin e respektuar, organizatorin e talentuar të veprimtarive kulturore e atdhetare në kërthizë të Athinës e në rrethinat e saj. Rrethina ku edhe një gur të lëvizësh, mund t’iu flasë shqip. Brezat e refugjatëve shqiptarë fatgremisur dhe shoqatat e vërteta me prush mëmëdhetarie, në memorien e tyre ruajnë me dashuri edhe kronikanin origjinal e të papërsëritshëm me kamerën e vet private dhe aparatin fotografik. Cilido që do marrë mundimin e të shkruajë një ditë historikun e atij emigracioni të dhimbshëm, pa arkivin e pasur të Vasil Logos me siguri do të ndihej i mangët dhe larg të vërtetave të pakundërshtueshme. Sidomos filmimet e shumta me figurë e me zë, kasetat aq të vyera që duhet t’i ketë ende Aleksandra, bashkëshortja e shtrenjtë e lotëpatharë…”Kam porositur një apartament të vogël në Tiranë, o lako, te pellgu i Stacionit të Trenit. Do kthehem përfundimisht nga kurbeti dhe ti do më ndihmosh të bëjmë disa dokumentarë televizivë, që vitet e mërgimit të mos zhduken pa nam e nishan…Por më tepër do rri në Përmet, te burimi”. Kështu më tha pak muaj para se të mbyllte sytë përgjithmonë, Vaska ynë i dashur, mësuesi i palodhur dhe veprimtari i qytetëruar. Njeriu që mbante gjallë Shoqatën “Naim Frashëri” dhe takimet masive të përmetarëve në emigracion. Por edhe gjurmët e korit të famshëm nga qyteti i trëndafilave buzë Vjosës e në këmbë të Dhëmbelit. Pa folur këtu për kontributin në organizimin e funksionimin e shoqatës së madhe gjithpërfshirëse me emrin “Vëllazërimi”; në protestat për mbrojtjen e të Drejtave të punëtorëve refugjatë dhe kulmet shpërthyese të shqiptarisë për Luftën Clirimtare të Kosovës etj.

Ikja jote papritur e pa zhurmë, më hidhëroi jo pak, miku im fatkeq i kohëve mjegullira ! Sa herë që flas me Aleksandrën e Llaqin, me Apostolin e me nxënësit e tu sot Akademikë të nderuar në metropol, mua nuk më ndahet një si komb në grykë dhe një perde e lagur në sy. Bubullimë kujtimesh të pasosura apo vesë malli e krenarie për një përmetar atdhetar jo dosido ?…Ti nuk arrite dot ta përcillje në dheun e Nartës, mikun tonë të përbashkët, Vangjel Daiun syshkruar që nuk na linte kurrë vetëm nëpër udhët halleshuma të Athinës ! Telefoni i tij nuk bie më as për mua e as për Isufin e drithëruar përtej oqeanit në Perëndim. Ashtu i sëmurë e pa u ankuar asnjëherë, i miri Vangjel erdhi në Përmet e të hodhi ca lule e grushte dheu në Bolëngë… Mirëpo kjo botë e hidhur, herë pas here sikur qetësohet e mediton njerëzisht nën tingujt e Sazeve plot kaba të kulluara që qajnë e këndojnë edhe për bijtë zëbilbila të qytetit që kundërmon erë borziloku e trëndafili. Kohët e fundit, sazet përmetare po bien dhimbshëm edhe për Lili Nasin, berberin këngëtar të shquar në vite e që u fali aq shumë gëzim dhe melodi nuseve e dhëndurëve me briskun e parë në faqe. Iku në paqe me të gjithë. Por zërin e tij të mrekullueshëm e dëgjojnë dhe do ta dëgjojnë gjatë e krejt natyrshëm nëpër lokalet e qytetit të mirësisë e të urtësisë, në cdo familje e matanë Trebeshinës, kudo në Shqipëri e jashtë saj. Fjala vjen, a mund të harrohet “Në oborrin tënd mbiu një qershi” ? Bashkë me Jorgo Cullin, dikur shkëlqyen në një Festival Folklorik të Gjirokastrës. Shkëlqim që nuk e ka humbur ndricimin e ngrohtësinë sot e gjith ditën ! Por kronikani tjetër dëshnicar, Muharem Kamani (që nuk i shpëton asnjë ngjarje nga ajo trevë) këmbënguli me të drejtë për të thënë dy fjalë në shtypin qendror pluralist të përmbytur nga Polit(h)ika. Se artistë të tillë të lindur e pa shkolla muzike të posacme, vijnë rrallë e për mall në jetë.

-“Lilin tonë të ëmbël e llafkursyer e donin edhe gurët e rrugës. Ishte i shkurtër e topolak, prandaj Vangjushi, Thomai e Gavrili e thirrën në vite “Gjymcja i Poles”. Po kështu shokët e kompleksit vokal cilësor, Sotiraqi, Kocua, Xhelali etj. U gëzuam shumë së bashku kur ky kompleks i mirënjohur u dekorua me “Urdhërin e Klasit të Parë “Naim Frashëri”. E festuam edhe me ndonjë gotë “ujë të bekuar” nga llullaja e kazani i rrallë përmetar,-rrëfen plot dashuri, Zini Dino, kompozitori i mirënjohur e tepër modest, që e kishin “qarkulluar” nga sektori i Kulturës për në oficinën e SMT-së si punëtor ! Vonë mësova se shoqja jonë e klasës në Pedagogjiken “Pandeli Sotiri”, Neta ishte mbesa e tij e dhembshur dhe sot me halle të pamerituara në kurbet…Dëshirën time për ta rikthyer Ziniun me kulturën, nuk e realizova dot (ndoshta një nga pengjet e mia të vogla, të cilën po e them për herë të parë publikisht). Të vërtetën e plotë nuk e mora vesh kurrë nga ingranazhet e korkolepsura shtetërore të kohës. Po kështu për dy djem të zotë nga Zhepova në gjunjët e Taroninës, që punonin në Arsim e Blegtori….-“Ilia Nasi këndonte si marrës por edhe si pritës i këngëve popullore të vendlindjes. Ishte dhe mbeti një tenor mjaft i mirë, por edhe aktor amator i adhuruar për publikun në kuplete e parodi. Bashkë me kushëririn e tij, Dhimitraqin, shokun tim të fëmijërisë, këndonim për qejfin tonë. Dhe nuk harronte krijimin e Agim Prodanit “Kjo këngë”. Dhe hidhej menjëherë në folenë popullore…Por kohët e fundit, para se të shkonte pranë Laverit, Mentorit, Sulejmanit, Xhelalit, Jorgos, Llazos, Krenarit e Sazanit, merrte frymë thellë, psherëtinte dhe zbraste merakun jo pa nota dëshpërimi: – Ah, o Zini, më duket se po humbet kënga jonë përmetare, ky brez sikur e ka mendjen gjetkë…”.

Sazet e Përmetit, vec të tjerave, qajnë e këndojnë edhe për Vasil Logon e Ilia Nasin. Që nga kabaja e mocme që e donte shumë usta Laveri dhe e pagëzoi saktë si “E qara e Mediut”. Sepse pa këto saze pjellore, nazike e virtuoze, vështirë se do të ndritnin tërë ata këngëtarë. Mbi 66 vite më parë, përkrah Laverit do të hynin me dinjitet në Radio-Tirana edhe Qemal Ponoci (që unë e njoha edhe si mjeshtër që u jepte jetë e shëndet hardhive në vreshtat e Bolëngës, babai i muzikantit të kulturuar, Irfanit të papërtuar). Nxorrën në dritë perla nga shpirti i gëzuar përmetar. Unë pata fat që i njoha gati të gjithë. Më donin dhe i desha shumë. Aty mësova të shkruaj e të botoj, por edhe të këndoja vendce e pa qibër në ziafete e sebepe. Ustallarë që nuk u bënë kurrë rrogtarë me bordero shtetërore. Punonin gjetkë. Por mbrëmave Shtëpia e Kulturës me emrin e Naimit, shenjtorit të Poezisë e të Gjuhës Shqipe, ziente deri vonë. Vetë Vjosa shekullore sikur hidhte përkohësisht pas krahëve gurgullimat e saj dhe përcillte pa bujë sazet e famshme me zërin e Mentorit të madh, artistit ishpartizan dhe shoqëruesit të tij Ylki Zeqiri. Instrumentistët e rinj si Gëzimi, Genci, Iliri, Jareku, Fredi, Arturi, Drini dhe këngëtaret Adriana, Donika, Vaska e mjaft të tjerë u bënë vërtet gjaku i ri në trupin e sazeve. Por të larguarit nuk i rrëmbeu vetëm toka e Bolëngës, por edhe kucedra e mërgimit. Vec sazet nuk u përthanë. Muzikën e ëmbël popullore përmetare po e mbajnë gjallë e me dinjitet Sadiku, Josifi,Qirjakua,Albani e Ylli. Por edhe Evgjenia këngëtare kutaliote(vajza e miqve të mi të dashur,Roza e Viron Thomallari,të cilën unë e ndiqja vogëlushe në Festivalet e Pionierëve)… Se Tranzicioni rrumpallë hapi edhe ca plagë të dhimbshme nëpër kulturën tonë popullore. Por në qytetin e luleve të paprekshme, ndoshta ndihen më pak se kudo. Dhe kjo nuk do të thotë aspak që Qeveritë e majta e të djathta të mbajnë “festen” mbi sy apo të tregohen të lira në miell e të shtrenjta në krunde ! Shkurt, nuk thosh kot i paharruari Vasil Logo : Kush këndon, tremb mjerimin e dëshpërimin; ai që vetëm qan, i shton ato…

SHKARKO APP