Kartolinat e para nga Korça

“Fotot hapin dyert e së kaluarës, por gjithashtu lejojnë të vështrosh në të ardhmen”
Sally Mann, 1951

Nga: Kristaq BALLI

Veç të tjerash, Dardha e Korçës është e përmendur si një prej oazeve etnokulturore të Shqipërisë, prej ku u lindën dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre një plejadë e madhe ikonografësh e më tej fotografësh, madje këta të fundit përbëjnë edhe pikën e referimit të nisjes dhe lëvrimit të fotografisë në Shqipërinë Jugore paralelisht në kohë me dinastinë Marubi në Shkodër. Fotografi i vjetër dardhar Jani Zengo (Papa Jani Zengo) që mendohet se ka realizuar foton e parë të tij më 1862, konsiderohet nga studiuesit si fotografi i parë autokton shqiptar. (Q. Vrioni, N. Kotherja, K. Balli). Kësisoj krijimtaria e fotografëve të vjetër dardharë ze një vend të posaçëm në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
Gjatë dekadave të fundit të shekullit XIX Dardha kish pësuar një rritje të vrullshme të popullsisë së saj. Meqënëse burimet natyrore për sigurimin e jetës, kryesisht toka, u bënë të pamjaftueshme për përballimin e nevojave të prodhimit bujqësor e blektoral për ushqim e të ardhura, burrat dardharë kishin gjetur një alternativë tjetër punësimi, atë të spatarit, sharxhiut, qymyrxhiut, pra të përpunimit të drurit. Këto profesione ishin të kërkura në vendet e Ballkanit si në Greqi, Serbi, Rumani, Turqi, ku këta burra punëdashës nuk nguruan të shkonin e të punonin për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të tyre në fshat. Shpesh kryefamiljarët merrnin me vete edhe djemtë e tyre të rinj apo adoleshentë për të punuar, por edhe për të rënë në kontakt me një mjedis më të zhvilluar, ku ata mund të punonin, por edhe të edukoheshin e kultivoheshin me një kulturë më kozmopolite. Një nga këto familje ishte edhe ajo e Jovan Kaçaunit, i cili ushtronte profesionin e përpunuesit të lëndës drusore në Greqi, Rumani e Rusi. Si plot të tjerë ai merrte me vete edhe tre djemtë e tij, njëri nga të cilët ishte Perikliu, apo shkurtimisht Peroja. Nga fotot e familjes Kaçauni, vihet re se ajo ishte në gjendje ekonomike relativisht të stabilizuar në sajë të punës dhe se babai Jovan kishte synim edhe të ardhmen më të mirë të fëmijëve të tij. Ndoshta kjo ishte një nga arsyet që Peroja iu përvesh mësimit të një prej profesioneve të reja asokohe në botë, atij të fotografit dhe këtë ai e bëri në Odesa të Rusisë, siç do ta vlerësojmë edhe më tej, tepër cilësore, pasi influencat artistike e estetike të saj do të linin gjurmë edhe në krijimtarinë individuale të paskëtajme të tij në Dardhë dhe SHBA.
Peroja kishte lindur në Dardhë në vitin 1880 dhe kur studioi e praktikoi për herë të parë fotografinë duhet të ketë qenë riosh, rreth moshës 20 vjeçare, pasi dihet që ai u kthye në Dardhë si fotograf i formuar rreth vitit 1900, ku menjëherë “ngriti” studion me sfondin e tij të njohur antik, të pikturuar me kollona antike të lashtësisë, ashtu sikundër objekt i kamerës të tij ishin edhe fotot në natyrë në mjedise arkitekturore, familjare, festive, piknikë, ceremoni masive e ngjarje të shënuara fetare, sociale,etj. Madje ai ishte edhe një fotograf shëtitës në fshatrat e zonës përreth, ku në atë kohë nuk kishte fotografë.
Veprimtaria fotografike e Peros në Dardhë zgjati rreth 10 vjet. Sigurisht, duke ushtruar vetëm këtë profesion, prodhimtaria e tij është e bollshme dhe e identifikueshme. Zor se mund të ketë familje në Dardhë, apo edhe më tej, që të mos ketë trashëguar fotografi të vjetra (1900-1910) të Pero Kaçaunit, ashtu siç nuk mund të ketë ngjarje masive të asaj kohe që të mos jetë fiksuar në thierrëzat e tij. Por, meqë bëhet fjalë për vitet 1900-1910, dhe në Shqipëri ende nuk parashikohej e vlerësohej vizioni i vlerave historike e artistike të fotografisë, edhe krijimtaria e këtij mjeshtri nuk bëri përjashtim nga mossistemimi, pakujdesitë, dëmtimet, sidomos pas largimit të tij përfundimtar në ShBA.
Por dihet se numuri, larmia tematike dhe e subjekteve e fotove të tij ishte shumë e madhe. Në fotot masive të banorëve të fshatit në natyrë dallohet përkujdesja e tij për të zgjedhur tablo ku evidencohen dhjetra burra, gra e fëmijë para peizazheve të njohura si Sheshi i Shën Thanasit, Kodra e Vogël, Shën Pjetri në raste festash, ceremonish të ndryshme, dasmash, festash fetare, piknikësh e ngjarjesh kulturore, etj., që zakonisht organizoheshin gjatë stinëve të ngrohta, kur burrat e djemtë e tyre ktheheshin nga mërgimi sezonal dhe punonin në fshat në punët bujqësore e blektorale. Një veçori që të bije në sy është se, përgjithësisht, ai preferon shkrepje “rastësore” të turmave të veshura me kostume tradicionale dardhare dhe kjo u jep një vlerë të veçantë etnografike fotove të tij.
Fotografimi në “studio” ishte ndoshta puna kryesore dhe më profesionale, ku shpaloset edhe formimi i tij mjeshtëror nga një shkollë shumë serioze. Këto foto kanë subjekt kryesor familje të shumta të Dardhës apo fshatrave përreth si kujtime e dëshmi mbresëlënëse për pasardhësit e tyre, apo për t’ia u dërguar anëtarëve të tjerë të familjes në ShBA, me të cilat ata çmalleshin.
Nga ky version fotografimi, ku fotot janë të shumta, duhet vlerësuar fakti që Pero Kaçauni ishte shumë ekzigjent dhe i duruar në fazën përgatitore të kurimit të mizansenës. I prirur pas formalizmit të skajshëm estetik, detajeve të hierarkisë familjare, kërkesës për rregullsinë e pastërtinë e veshjeve ceremoniale, të kompozimit të detajeve, ku të binte në sy qëndrimi impozant i çdo personazhi, ekspozimi nën një dritë natyrale që krijonte raporte të dalluara dritë-hijesh, kryesisht me kontraste të mprehta që nuk mënjanoheshin kollaj (pasi atë botë nuk ishte aplikuar elektriciteti), si dhe përpunimi “laboratorik” shumë i kujdesshëm, vendosja e tyre mbi një kornizë kartonçine që ato mund të vareshin apo të qëndronin mbi tryezë apo komo, i bënin këto foto jo vetëm punime të vërteta artistike, por edhe që zbukuronin dhomën e miqve me “panorama” të vyera. Fototeka e tij e shpërndarë gjithandej në Dardhë përbën shembullin e një fotografi relativisht të brezit të vjetër, por figurativisht tejet konsekuent e “ekspresionist” në pamjen e vlerësimin e përgjithshëm të fotografisë dhe që e vendos atë në vendin e merituar të historisë së fotografisë shqiptare.
Koshient, por edhe i afirmuar për nivelin e tij mjeshtëror në fotografi, pas 10 vitesh pune intensive në Dardhë, më 1910 ai vendos të shkojë në SHBA, po ashtu me synime të reja në profesionin e tij. Por, gjithsesi, duke e lënë Dardhën me një pauses tjetër, të cilin e pati ndihmës për disa kohë, i mësoi sekretet e profesionit, i dhuroi atij të gjitha aparaturat dhe, kështu, mërgoi i sigurt se Dardha nuk do të mbetej pa fotograf. Fatmirësisht, qëlloi që edhe pasuesi i tij, pra Thimi Raci të ketë po ashtu një “dorë” mjeshtri pasionant.
Pjesa e dytë dhe më e gjata e mjeshtërisë së tij si fotograf përbëhet nga ushtrimi i saj në SHBA. Ai u përshtat shumë shpejt në Boston, ku ishin edhe shumica e emigrantëve korçarë e dardharë dhe, pas një fare kohe realizoi qëllimin e tij për të hapur një studio fotografike, sigurisht me parametra e paisje më të përparuara që t’i përshtatej tregut të avancuar e shumë konkurues amerikan në këtë zeje artizanale. Jo vetëm për statistikë e kuriozitet, duhet të theksoj se Pero Kaçauni ishte i dyti fotograf shqiptar në SHBA (pas Kistaq Sotirit (1883-1970), i cili, pasi kishte mësuar profesionin e fotografit nga kunati i tij Kristo Sulidhi në Korçë, emigroi në ShBA në vitin 1900 duke ushtruar fotografinë në fund të dekadës së parë të shekullit të ri e më vonë dhe që parapriu edhe disa fotografë të tjerë shqiptarë më të rinj të njohur botërisht si Gjon Mili, George D.Boria dhe George Tames, etj., të cilët kanë lënë kontribute të vyera për Amerikën dhe gjithë Botën. (K. Balli në disa artikuj mbi ta)
Peroja kishte karakter të tipit tepër social, të komunikueshëm, të shoqërueshëm dhe aktiv e altruist në problemet që lidheshin me marrëdhëniet e komunikimin me fshatin tij të lindjes, me shoqëritë bamirëse të fshatit dhe akoma me organizatat atdhetare e politike, si dhe me gazetat e emigrantëve shqiptarë të Amerikës, për të cilët edhe punoi për shumë fotografi të karakterit patriotik, disa nga të cilat përdoren edhe sot masivisht si ilustrime në shtypin shqiptar për marrëdhëniet e atëhershme shqiptaro-amerikane.
Sigurisht pjesa kryesore e punës së tij të përditshme ishte fotografia komerciale, me të cilën ai siguronte jetesën. Ishin pothuajse të gjithë dardharët e shqiptarët në Boston e rrethinat që frekuentonin studion e tij tashmë jo anonime por të emërtuar “Perry Studio, 29 ½ Tremont Street, Boston Mass” dhe të stampuar në një kënd fotove. Emri i studios së tij u bë i preferuar nga shumë klientë dhe biznesi i shkoi mirë e ai mbijetoi në tregun amerikan.
Nuk kishte emigrant apo familje emigrantësh në Boston që të mos kishte fotografi të realizuara nga Pero Kaçauni. Një pjesë e tyre dërgoheshin në Dardhë si kujtime familjare e kjo do të thotë se fototeka e Kaçaunit është shumë e madhe dhe e larmishme. Por fotot e tij janë aq të shpërndara dhe koha ka bërë punën e vet, sa është shumë e vështirë të krijohet një koleksion gjithëpërfshirës për të. Disa dhjetra pllaka xhami negativësh të punëve të tij në Dardhë janë digjitalizuar e ruhen ende sot. Pjesë e veprimtarisë së tij në SHBA e cila është mbledhur, tregon se Kaçauni e ka perfeksionuar dhe pasuruar me detaje e vlera të reja mjeshtërinë e tij në cilësi, larmi këndvështrimesh e formatesh, ai ka aplikuar madje montazhin dhe polifoton që ishte një gjini relativisht e re dhe e jo fort e praktikuar nga fotografë të zakonshëm, po ashtu edhe kujdesin për standardin e lartë të kurimit të kornizave që i jepnin fotove një pamje më estetike .
Me emrin e Pero Kaçaunit lidhet gjithashtu botimi i kartolinës më të hershme shqiptare të ilustruar me foton e tij Ura e Dardhës e vitit 1904. (Kristaq Balli: Një prej kartolinave më të Hershme Shqiptare. Gazeta “Koha Jonë”, 13.3.2016, f.18-19)
Në një vlerësim të përmbledhur, Pero Kaçauni mund të cilësohet si një prej fotografëve të vjetër shqiptarë që ze vend të merituar në historinë e fotografisë shqiptare. Ai shfaqet si një produkt i një studioje të kualifikuar, ai u mësua dhe u kultivua me prirjen, vullnetin e pasionin e vet, punoi për rreth pesë dekada këtë profesion jo vetëm për të plotësuar kërkesat e klientëve të vet, por edhe duke tentuar që në një pjesë të tyren (sidomos ato të periudhës së Dardhës, 1900-1910) të bëjë edhe kronikanin apo fotoreporterin e historisë (Qerim Vrioni:” Pero Kaçauni – një fotograf midis Dardhës dhe Amerikës, gazeta “Vatra”, 27 Gusht 2015) traditave, zakoneve, evenimenteve e sidomos etnografisë e etnokulturës të një prej zonave tipike të zhvilluara shqiptare, si Dardha, në fillim të shekullit XX. Ndërkaq, puna e tij në ShBA e rriti atë profesionalisht e artistikisht duke e shndrruar në një mjeshtër ekselent plot sqimë e intuitë, të kulturuar e të kompletuar “më aristokratin” midis fotografëve të hershëm dardharë.
Pero Kaçauni ndërroi jetë në SHBAnë vitin 1949.

■■■■■

Burime referimi:
Niko Stefani, Vangjo Ilo:: “Të dhëna për fotografinë dhe fotografët dardharë deri në gjysmën e dytë të shekulit XX”, Kumtesë, Sesion Shkencor, Dardhë 198
Qerim Vrioni: 1. Dy fotografë të hershëm nga Dardha e Korçës
2. Pero Kaçauni – Një Fotograf Midis Dardhës dhe Bostonit
Kistaq Balli: “Kartolina më e hershme shqiptare “Inaugurimi i Urës në Dardhë”, 1904, Gazeta “Koha Jonë” dt. 13.3.2016, f. 18-19
Niko Kotherja: Enciklopedi e Fotografëve Korçarë Tiranë,2010

SHKARKO APP