Keith Flint e kishte paralajmëruar vetëvrasjen: “Kur të përfundojë, do ta vras veten”

Keith Flint, i cili u gjet i vdekur pardje në mëngjes rreth orës 8 në shtëpinë e tij në Essex e kishte paralajmëruar vetëvrasjen e tij në një intervistë katër vjet më parë për revistën FHM.

Frontmenin e bendit “Prodigy” policia e gjeti në shtëpinë e tij. Mjekët u përpoqën ta rikthenin, por nuk arritën ta shpëtonin.

“Gjithmonë e ndieja në vete se kur kjo të përfundojë unë do ta vras veten. Betohem në Zotin se nuk është vetëvrasje, kjo është një gjë pozitive. Nuk kam frikë se kush jam, por kur shikoj pas vetes dhe e shikoj jetën time dua që ajo të jetë e mbushur. Kjo është e gjitha. Vetëm ditë të lumtura”, kishte thënë Flint atëherë.

Kolegu i tij nga bendi Liam Howlett e konfirmoi në profilin e tij në Instagram se Flint kishte bërë vetëvrasje. Bashkëshortja e Flint Mayumi Kai, e cila është DJ, për momentin është në Japoni, sepse që nga Viti i Ri kishte performanca në Tokio. Ajo e kishte shpëtuar Flintin nga ferri i drogës.

Flint e fitoi popullaritetin e tij në vitet nëntëdhjetë, me vallëzimin e tij energjik dhe pamjen ekscentrike. Bendi i tij ishte më i njohur për këngët e tyre të shpejta, duke përfshirë Firestarter, Breathe dhe Smack My Bitch Up.

Fqinjët e tij thanë se ishin të shokuar për vdekjen e tij. Ata thanë se Flintit i pëlqente të kalëronte, të vraponte dhe ta ngiste biçikletën. Fqinji i tij shtatëdhjetë vjeçar, Rye tha për “The Daily Mail” se e kishte parë Flintin se si vraponte rreth dhjetë ditë më parë.

“Ishte goxha i shpejtë dhe dukej shumë mirë. Është dashur të shkonte në turne në Amerikë, sepse vazhdimisht vraponte për të qenë fizikisht i gatshëm për performanca. Gjithmonë dukej i lumtur”, ka thënë Rye.

Fqinja e tij Jane Addison, e cila jeton pranë pronës së tij, tha se Flint i donte shumë kafshët. Ajo gjithashtu zbuloi se ai i kishte tetë qen, shumë zogj dhe kanarinë. Ata e mbajnë mend si fqinj shumë të mirë, i cili gjithmonë ishte përshëndetur përzemërsisht me ta, shkruan KOHA Ditore.

“Gjithmonë të përshëndeste me dorë, do të thoshte përshëndetje, ishte gjithmonë shumë i sjellshëm. Ishte i mrekullueshëm, e kam takuar disa herë në pije, ishte gjithmonë shumë miqësor dhe i sjellshëm. I pëlqente kalërimi dhe i donte qentë e tij. Ishte vërtet i mirë”, tha fqinji i tij.

SHKARKO APP