“Komunizmi nis në 1944”, Kapri: Godet kujtimin e mijëra viktimave, krimet e luftës civile të pazbardhura

Të enjten Parlamenti, me vetëm disa vota kundër, i hoqi të drejtën ligjore Institutit që studion krimet e komnuzimit, që të prek periudhën para 1944.

Në ligj përcaktohet që periudha komunizmit nis më 29 nëntor 1944, ndërkohë që ka fshirë të gjithë veprimtarinë që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kjo është një goditje e rëndë e kujtimit të mijëra viktimave që shkaktoi komunizmi, thotë studiuesi, Erald Kapi në një intervistë për ABC NEWS.

“Ky ndryshim ligjor godet kulturën e kujtesës në Shqipëri, godet kujtimin e mijëra viktimave të vrarë nga komunizmi dhe është mjaftë e rëndë që ndodhi që në të njëjtën ditë kur Parlamenti miratoi një Rezolutë që njeh Holokaustin, që të nderojë kujtimin e viktimave hebreje të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërkohë me ligj kufizon vetveten të studiojë krimet e veta.”

Ardhja e komunizmit ndërkohë ka ndodhur disa vite përpara asaj që njihet si periudha zyrtare.

“Komunizmi dhe diktatura erdhi si pasojë e Luftës Civile në Shqipëri dhe kjo meriton një studim shumë të thelluar, kush u përfshi, arsyet e krimeve gjatë luftës, lufta për pushtet ka nisur në luftë. Si mund ta mohojmë ne këtë në studim. Në mesin e nëntorit të 1944 është bërë masakra e “Hotel Bristolit” në Tiranë, vëllezërit e Musine Kokalarit janë vrarë aty, janë dhjetëra viktima të gjetura në bodrumin e hotelit të kryera nga komunistët. Me ligj ky krim nuk i lejohet të studiohet, ndërkohë gjyqi special që është bërë në ’45, pak muaj më pas, mund ta studiosh. Kjo është non sens.”

Sipas Kaprit janë disa faza, përfshirë dhe atë të Luftës Civile, të 1943-1944, ku u shkaktuan mijëra viktima, që duhen studiuar.

“Gjithë periudha e luftës, që me themelimin e Partisë Komuniste, me mënyrën si ajo u vu në shërbim të Jugosllavëve, mënyrën si është organizuar gjithë organizata në pikëpamje terroriste për të kryer ekzekutime gjatë luftës qoftë brenda llojit, qoftë kundërshtarë politikë me ligj nuk lejohet të studiohen.”

Ndryshimet në ligj, që u iniciuan nga PS, kanë si qëllim edhe përjashtimin nga studimi të të gjithë veprimtarisë së Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare që nga themelimi po ashtu dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“E majta e lidhur shumë me të kaluarën e diktaturës kërkon ta ndajë çështjen e luftës me çështjen e diktaturës. Çështjen e luftës e sheh si diçka heroike, aty ku ka origjinën e vet, nuk kërkon pra ta bëj pis.”

Drafti kishte mbi dy vjet në sirtarët e Kuvendit dhe, sipas Kaprit, u miratua jo larg datës së zgjedhjeve, për t’i çuar një sinjal elektoratit më mbështetës të PS-së. /abcnews.al/

SHKARKO APP