Konferenca e plotë për shtyp e Presidentit Meta
Konferencë për Shtyp e Presidentit Meta.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta dha sot një konferencë për shtyp ku bëri publik në mënyrë transparente dhe institucionale qëndrimin e tij zyrtar lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” të paraqitur nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në konferencën për shtyp :
“U detyrova sot, jashtë dëshirës sime, të bëj publike përgjigjen për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, lidhur me kërkesën e saj “për autorizim negociatash me palën greke” me qëllim qartësimin e opinionit publik, brenda dhe jashtë vendit, për këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe më e debatueshme gjatë dekadës së fundit.
Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me fqinjët në përgjithësi dhe me Greqinë në veçanti, jo vetëm në detyrën aktuale të Presidentit të Republikës, por edhe në vijimësi, në të gjitha detyrat shtetërore dhe politike të mëparshme, theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe përfundimtare të kësaj çështjeje të rëndësishme.
Pikërisht për të arritur këtë objektiv është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë të të gjithë procesit nga të gjitha institucionet e shtetit, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese me nr.15 datë 15 prill 2010.
Me këtë rast dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit të Republikës ndaj kësaj çështjeje do të jetë i bazuar vetëm mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka cilësuar dhe interpretuar qartë, për herë të parë, rolin dhe kompetencën e Presidentit të Republikës në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe specifikisht të marrëveshjes mbi përcaktimin e hapësirave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
Kushtetuta dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë, jo vetëm për Presidentin e Republikës, por për të gjitha institucionet shqiptare që përfshihen në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim.
Pyetje: Në sqarimin publik që ju bëtë gjatë ditës së sotme në rreshta lexova se Kushtetuta njeh autoritetin e Presidentit si Institucionin më të lartë në Marrëdhëniet me Jashtë Republikës së Shqipërisë. Pyetja e parë – A keni ju ambicie për ta drejtuar vet ekipin negociator në marrëdhëniet me Greqinë ?. Dhe pyetja e dytë – Keni patur disa takime me përfaqëues të opozitës rreth kësaj çështje ?. A mund të dimë se cilat kanë qenë vendimet e përfaqësuesve të partive e opozitës në lidhje me përcakimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë?. Faleminderit!
Presidenti Meta: Kam patur takime me gjithë kolegët e nderuar që kanë shërbyer si Presidentë përpara meje dhe me përfaqësuesen e mazhorancës, drejtueses të Komisionit të Jashtëm, znj. Kodheli dhe me përfaqësuesin e opozitës në Komisionin e Jashtëm, z. Shehu, për t’i njohur me këtë situatë dhe për të shkëmbyer mendime. Opozita mund të bëjë vet më të qartë qëndrimin e saj se sa unë, por qëndrimi i opozitës ose i përfaqësuesit ka qenë që, kjo çështje duhet të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare në mirëkuptim midis palëve. Sigurisht që kjo është një mundësi. Ndërkohë që, sikurse jeni në dijeni, qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjithet përsëri përmes negociatave. Duke respektuar qëndrimin e opozitës, ajo ka të drejtën e saj, për të mbajtur këtë qëndrim. Njëkohësisht respektoj qëndrimin dhe iniciativën e qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje përmes negociatave të reja, por më duhet të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një ‘vijë e kuqe’ për të gjithë, duke filluar nga Presidenti i Republikës. Në këtë drejtim, është detyra e Presidentit që të respektojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese sepse, Presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës. Do të doja të cilësoja vetëm tre momente nga përgjigja që Institucioni i Presidentit i ka kthyer Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me këtë rol apo lidhur me disa përcaktime të rëndësishme që për herë të parë Gjykata Kushtetuese ka bërë për këtë çështje apo për çështje të tjera të ngjashme:
“37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”.
“c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.”
Kjo e fundit i referohet ligjit të vitit 2016.
Përsa i takon rolit të Presidentit, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar dhe përcaktuar në mënyrë të qartë se cili është roli i Presidentit në këto lloj marrëveshjesh, dhe në mënyrë të veçantë për këtë marrëveshje:
“36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.”
Presidenti nuk synon të bëjë edhe atë rol që i jep Gjykata Kushtetuese bazuar në normën kushtetuese, e cila nuk ka ndryshuar me ndryshimet kushtetuese, pra që të ulet dhe të drejtojë bisedimet sepse kjo nuk do të ishte e mirë as për Presidentin dhe as për shtetin sepse do të tregonte mungesë besimi tek cilido tjetër. Presidenti nuk është ekspert, por Presidenti ka për detyrë që të përmbushë të gjitha përcakimet e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me titullin e qartë, objektin, kufijtë e asaj që dot ë negociohet, draftin e marrëveshjes, metodologjinë dhe pa dyshim dhe me ekipin negociator. Presidenti nuk ka nevojë të caktojë një njeri aty sepse të gjithë ata që do të marrin këtë besim, sepse qoftë autorizimi, qoftë plotfuqia është delegim i besimit të Presidentit të Republikës në emër të shtetit për të bërë një marrëveshje ndër-shtetërore. Të gjithë ata janë njerëz të besuar të shtetit dhe të Presidentit të Republikës. Por, Presidenti nuk mundet kurrësesi të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht edhe me disa probleme të cilat kanë nevojë të saktësohen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sikurse është bërë tashmë publike dhe letra dhe përgjigja që Institucioni i Presidentit i ka dërguar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pyetje: Zoti President, a po e përdorni ju këtë çështje për politikën e brendshme duke pasur parasysh faktin se ju keni dhe dy momente të tjera në dispozicion për ta kontrolluar marrëveshjen para se ajo të firmoset dhe momenti i dekretit ?
Dhe pyetja e dytë – Qëndrimi juaj a rrezikon ta shtyjë arritjen e kësaj marrëveshjeje në kohë dhe në këtë sens, a ndiheni ju nën presion nga Ministri i Jashtëm Bushati dhe nga Kryeministri Rama?
Presidenti Meta: Faleminderit për pyetjen! Në radhë të parë duhet t’ju bëj me dije se nuk do të doja kurrë të kisha dalë në një konferencë për shtyp për këtë çështje dhe për të hyrë në disa çështje që sjellin debate të panevojshme. Aq më tepër në marrëdhëniet me një vend fqinj dhe shumë të rëndësishëm, por e theksoj që jo për shkak të dëshirës sime, por për shkak të detyrës sime si President, dhe betimit tim për respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, jam i detyruar të marr të gjitha përgjegjësitë që përcakton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm për këtë çështje. Presidenti nuk mundet të anashkalojë këto detyrime kushtetuese sepse këto janë ‘vija të kuqe’ për Presidentin, dhe sigurisht dhe për mua personalisht, dhe e ka për detyrë që të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë e tij nga fillimi dhe deri në fund në kurrorëzimin e kësaj marrëveshje.
Pyetjes suaj se, Presidenti ka dhe momente të tjera ku mund të shprehet, mund t’i përgjigjem shumë thjeshtë – Presidenti nuk mund të anashkalojë asnjë moment kur veprimet e tij janë të përcaktuara sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do të ishte një shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës dhe një President që bën një shkelje të tillë nuk meriton të rrijë as një sekondë në këtë Institucion dhe në krye të shtetit. Së dyti, kjo ka qenë çështja më e debatueshme në 10 vitet e fundit, por qëllimi i Presidentit nuk është, nuk ka qenë as përpara disa javësh apo që nga 24 korriku, kur ka hyrë në këtë Institucion dhe as nuk do të jetë në të ardhmen, të bëjë lojë politike në marrëdhënie me fqinjët, në marrëdhënie me Greqinë dhe aq më tepër në një çëshje kaq serioze dhe delikate për të cilën ka dhe një sensibilitet të jashtëzakonshëm mediatik dhe qytetar. Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera. Presidenti nuk mund të reagojë në fund në rast se kjo marrëveshje nuk i plotëson këto kushte sepse do të thotë që nuk e ka bërë detyrën e tij dhe më pas të thotë se nuk jep besimin që të nënshkruhet marrëveshja sepse do të kontribuonte për thellimin e krizës dhe jo për zgjidhjen e problemit. Presidenti ka për detyrë nga fillimi deri në fund të bashkëpunojë siç përcakton Gjykata Kushtetuese në mënyrë të përgjegjshme, transparente, konstruktive me qeverinë dhe me gjithë institucionet dhe aktorët e tjerë që kanë detyrat e tyre për të konkluduar me sukses dhe mënyrë të drejtë Republikën e Shqipërisë, por edhe për Greqinë një marrëveshje, e cila do t’i qëndrojë kohës dhe nuk do të jetë e kontestueshme. Kjo është detyra e Presidentit.
Njëkohësisht, meqënëse këto argumente që ju dhatë janë dhënë më parë dhe nga persona me detyrë të rëndësishme shtetërore dhe zyrtare. Është e vërtetë që në vitin 2016 është bërë një ndryshim ligji, por do të kemi parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë arsyetimin dhe interpretimin e përgjegjësive kushtetuese që ka Presidenti në këto marrëveshje ndërkombëtare, dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është Kushtetuta që duhet të respektojë Presidenti dhe kushdo për këtë çështje. Ashtu sikurse mund t’ju them se, edhe praktikat e mëpasme, pas miratimit të këtij ligji për marrëveshje shumë më pak të rëndësishme, në kuptimin e rëndësisë së tyre, kanë qenë në vijim të kësaj llogjike dhe të këtij përcaktimi që ka bërë Gjykata Kushtetuese vetëm për këtë çështje.
Për shembull, Presidenti i mëparshëm, zoti Nishani, ka lëshuar një autorizim për lëshimin e plotëfuqisë për Ministrin e Punëve të Jashtme “Për negocimin dhe siglimin e Traktatit për themelimin e Komunitetit të Transportit”, e cila është diçka standarde. Dhe kërkesa dërguar Presidencës për këtë autorizim që i është lëshuar Ministrisë së Jashtme nga Ministria e Transportit, pra bëhet fjalë për vitin 2017 është shumë e qartë. Pasi ka informuar për këtë planifikim, pasi kanë bërë të qartë dhe delegacionin se cili është, kanë dërguar dhe draftin e këtij Traktati edhe relacionin, edhe gjithçka tjetër.
Për të mos thënë që kemi edhe raste të tjera, ku më model është ai i Ministrisë së Brendshme që i drejtohet në dt.12.12.2017 Presidentit të Republikës, i cili , në këtë rast është zoti Ilir Meta, ka lëshuar autorizim për lëshimin e plotëfuqisë përsëri për Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së “Roja evropiane kufitare dhe bregdetare” dhe kjo është një marrëveshje standard. Para se të lëshohej ky autorizim për negocim, në mënyrën më përfekte Ministria e Brendshme ka dërguar këtu kërkesën për dhënie autorizimi, për lëshimin e plotëfuqisë për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së dhe kanë vendosur të gjithë delegacionin në mënyrën më të qartë me emra, me titullarë, me funksione dhe në fund fare edhe relacionin dhe një kopje të projekt-marrëveshjes që do të negociohej.
Ka dhe raste të tjera të cilat e përcaktojnë shumë qartë këtë praktikë. Kemi dhe nga Ministria e Financave për projektin e “Burimeve Ujore dhe Ujitjes” që nuk ka të njëjtën vlerë, të njëjtën peshë kushtetuese, sovraniteti, integriteti, politike, shtetërore, kombëtare siç është çështja e kufirit apo e hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë.
Pra, asnjë nga këto çështje nuk qëndron. Më vjen keq për këtë debat dhe për këto sqarime që më duhet të jap përpara jush. Por, nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cënimi të Kushtetutës, asnjë shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e asnjë bashkëfajësie, edhe pa dashje me cilindo, i cili nuk dëshiron, ose i lexon ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Pyetje: A ndiheni në presion nga qeveria?
Presidenti Meta: Nën presion për se?
Pyetje: Për faktin se qëndrimi juaj mund të sjellë një shtyrje në kohë të arritjes së marrëveshjes? Është planifikuar në kohë, kanë dalë lajme publike që pritet një nënshkrim i marrëveshjes në pranverë mes Kryeministrit Rama dhe zotit Tsipras. Në këtë sens, a ndiheni ju nën presion?
Presidenti Meta: Më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë për Kryeministrin Tsipras, me të cilin kam pasur mundësinë të takohem në pozitat e mëparshme! Për konstruktivitetin e tij gjithmonë, edhe në situatat më të nxehta e të panevojshme të retorikave populiste midis dy vendeve. Dhe kjo konsideratë për të më shtyn që t’i uroj suksese gjatë vizitës së paralajmëruar nga mediat në Korçë dhenë Shqipëri, por axhenda e cilitdo personalitet të nderuar nuk mund të më imponojë, mua të paktën, por askujt, që të mos përmbush detyrimet e mia për realizimin me sukses, në mënyrë transparente, të qëndrueshme dhe përfundimtare të një marrëveshjeje historike, që duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë mes dy vendeve dhe që duhet të forcojë më tej mirëbesimin midis tyre.
Qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjet që janë në kompetencën e plotë të saj sipas Kushtetutës, me qeverinë e Greqisë dhe me të gjithë qeveritë e tjera. Absolutisht! Sepse kam diskutuar edhe për shumë çështje të ndryshme, por në këtë çështje, ua bëra edhe një herë të qartë se cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës.
Unë kam qenë këtu nga 24 korriku e deri tani. Deri më sot, në respektin tuaj dhe për të evituar çdo lloj keqkuptimi dhe spekulimi, Institucioni i Presidentit nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë.
Jo vetëm kaq, por i kam bërë të qartë Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme që për këtë çështje kaq të rëndësishme të ecurisë të marrëdhënieve me Greqinë, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar. Për të evituar çdo lloj spekulimi, çdo lloj keqkuptimi dhe përgjegjësie të pamerituar të cilitdo, ose të paktën të Presidentit të Republikës. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion. Unëjam i qetë. Jam i duruar. Jam konstruktiv. E urrej protokollin në kuptimin që jam ihapur për të punuar tërë natën, tërë ditën kur ka çështje të rëndësishme për të cilat duhet bashkëpunim dhe duhet të mbash përgjegjësi, por unë mund të përgjigjem vetëm për sjelljet dhe për detyrimet e mia kushtetuese dhe institucionale. Dhe unë për këto përgjigjem para Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, sepse kam vënë dorën mbi Kushtetutë. Përgjigjem para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që më ka zgjedhur. Përgjigjem edhe para qytetarëve shqiptarë. Vullneti për t’u kontribuar marrëdhënieve me Greqinë ka qenë, është dhe do të jetë maksimal, por gjithmonë në respekt të detyrimeve kushtetuese që ka Institucioni i Presidentit të Republikës. Presidenti nuk mund të vihet para faktit të kryer nga askush. Nuk ndikohet nga asnjë axhendë e brendshme apo ndërkombëtare në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Presidenti është i palodhur, është i pagjumë për të punuar 24 orë në njëzet e katër orë për të garantuar interesin shtetëror, interesin kombëtar. Dhe duhet të kemi parasysh se demokracia dhe shteti i së drejtës janë të sigurt vetëm kur çdo institucion njeh kufijtë e veprimit të tij, dhe respekton edhe kufijtë e veprimit të institucioneve të tjera. Edhe për çështje më të thjeshta, jo më kur bëhet fjala për kufij shtetërorë dhe ndërkombëtarë.
Pyetje: Në letrën tuaj drejtuar Ministrit të Jashtëm, por dhe për dijeni të Kryeministrit, janë tre pika, që ju i cilësoni si problematike. Ndoshta për të parën dhe për të tretën mund të arrihet një konsensus me letrën në po përgatitet nga Ministria e Jashtme, por pika më e debatuar është e dyta që lidhet më emrat e negociatorëve. Ju cituat disa marrëveshje që i kanë edhe negociatorët, por nga ana tjetër Ministri Bushati thotë se ligji nuk e parashikon këtë detyrë që mund ta ketë Presidenti i Republikës, i cili sipas ministrit lëshon vetëm autorizimin.
Pyetja e dytë, nëse nuk do të vijë, çfarë do të bëni ju? Do të refuzoni të lëshoni autorizimin dhe në kuadër të transparencës pse nuk e bëtë publike dhe kërkesën e Minstrit Bushati?
Presidenti Meta: Së pari, unë nuk do të dëshiroja të bëjë publike as letrën e Institucionit të Presidentit drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në fakt, nuk është një veprim shumë normal, por kam qenë i detyruar për shkak të hamendësimeve, për shkak të spekulimeve, për shkak të keqkuptimeve dhe unë nuk kam dëshirë të bëhem pjesë as e spekulimeve, as e populizmit me këtë çështje apo me çështje të tilla dhe as e përgjegjësive të pamerituara në të ardhmen për një çështje që mund të mos shkojë në drejtimin e duhur, absolutisht.
Kështu që përsa i takon kërkesës që ka bërë Ministria për Evropën dhe Punët e jashtme, ajo ndodhet këtu. Nëse ministria do që ta bëjë publike, mund ta bëjë publike. Unë nuk kam vullnetin të bëj publike qëndrimet e institucioneve të tjera, por qëndrimin e Institucionit të Presidentit të Republikës isha i detyruar jashtë dëshirës sime për ta bërë publik. Lidhur me ligjin që thatë ju, nuk ka ligj mbi Kushtetutën dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti është betuar për Kushtetutën, nuk është betuar për ligje apo interpretime apo teknikalitete dhe marifete, të cilat devijojnë përgjegjësitë kushtetuese të përcaktuara qartë për Presidentin e Republikës në vendimin e posaçëm të Gjykatës Kushtetuese.
Përveç kësaj, ekziston edhe një praktikë edhe për çështje më të parëndësishme dhe rastet që unë ju përmenda janë pas miratimit të këtij ligji. Sepse këto çështjet – autorizimi, plotfuqi, negociata, negociatorë – të gjitha këto janë instrumente të cilat kanë të bëjnë me delegimin e besimit që Presidenti si Kryetar i Shtetit i jep për mbrojtjen e interesit shtetëror në një marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria gjithashtu brenda Kushtetutës dhe ligjeve ka të drejtë për çështje të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin midis qeverive të lidhë marrëveshje edhe pa autorizimin apo pa pëlqimin e Presidentit të Republikës.
Kështu që besoj se gjithçka është e qartë, të paktën për mua. Në rast se qeverisë, në rastin konkret, nuk i pëlqen ky vendim i Gjykatës Kushtetuese padyshim ajo ka mundësinë ta çojë në Gjykatë Kushtetuese dhe të bëhet një vendim i ri që përcakton rolin e Presidentit të Republikës apo të qeverisë në marrëveshje të tilla ndërkombëtare. Ose ka të drejtë të bëjë votat dhe të bëjë një ndryshim të normës kushtetuese për të përjashtuar Presidentin nga përgjegjësia e tij kushtetuese për një marrëveshje të tillë. Besoj se jemi shumë të qartë për këtë çështje.
Presidenti është këtu dhe do të jetë këtu sa herë që do të jetë e domosdoshme për të informuar qytetarët shqiptarë, institucionet, partnerët ndërkombëtarë, që mund të kenë shqetësime dhe është këtu për të bashkëpunuar me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe çdo institucion 24 orë në 24 pa u lodhur asnjë moment, në mbrojtje të interesit shtetëror, në mbrojtje të interesit kombëtar, në interes të forcimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe akoma më shumë në interes të forcimit të marrëdhënieve me Republikën e Greqisë, sepse kemi interesa të jashtëzakonshme, jo vetëm shtetërore, por edhe njerëzore me Greqinë, siç e kemi thënë me qindra herë.
Përgjigja ime ka qenë shumë e qartë, këto janë negociata mjaft delikate dhe të vështira sikurse e dimë dhe nga përvojat e kaluara, nuk do të dëshiroja të ndaja me ju mendime të tjera, sepse nuk dua të devijoj boshtin e kësaj konference për shtyp, që është mjaft institucionale dhe konstruktive, por ne e dimë që për këto çështje jemi një vend që nuk ka burime njerëzore kaq të panumërta në fushën e dijeve, në fushën e detit, të zonave ekskluzive ekonomike e kështu me radhë.
Dhe është shumë e rëndësishme që personat të jenë njerëzit më të ditur më të aftë në këtë fushë, por edhe më me integritet ashtu sikurse mund të ketë nevojë edhe për plotësime të tjera, por absolutisht ata kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Sepse është përgjegjësia jo vetëm për të mos u përsëritur ato gabime që janë bërë në vitin 2009, jo vetëm sa i takon plotfuqisë, por edhe përsa i takon themelit, dhe përsa i takon objektit, dhe përsa i takon, dhe përsa i takon titullit, dhe përsa i takon metodologjisë.
Njëkohësisht kanë një përgjegjësi sepse kjo është një marrëveshje e cila duhet të mbyllet me sukses nuk duhet të vazhdojë të jetë një problem i hapur në marrëdhëniet midis dy vendeve tonë. Roli i negociatorëve është vendimtar për arsye edhe të metodologjisë që e ka të përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Pra, nga integriteti i tyre, nga aftësia e tyre do të përcaktohet edhe në mënyrën më të drejtë interesi i Republikës së Shqipërisë.
Pyetje: Zoti President në letrën tuaj drejtuar ministrit të Jashtëm ju i kërkonit emrat konkretë të negociatorëve, jo vetëm pozicionet e tyre. Por duke qenë se vijmë nga një konktekst i caktuar jo vetëm politik, ku disa zëra janë shprehur kundër kësaj marrëveshje që pritet të ndodhë, kalimi në filtrin e Presidentit të këtyre emrave, mos ndoshta do t’i ekspozojë publikisht dhe do t’i anatemojë ata duke e rrëzuar besueshmërinë e tyre? Ju kërkuat projekt-marrëveshjen e bërë deri tani, ose minutat e takimit ose shumë detaje nga dy bisedimet Bushati-Kotzias. Mos keni frikë se është arritur një marrëveshje para se të vinte te Presidenti, duke qenë se edhe pak më parë thatë që Presidenti nuk mund të vihet para faktit të kryer? Ju thatë që u detyruar ta publikonit letrën drejtuar Bushatit. A na tregon kjo para syve të Greqisë si një shtet me probleme të brendshme jo serioze?
Presidenti Meta: Besoj se isha i qartë: publikimi ka ndodhur jashtë dëshirës sime, por është në përgjigje edhe të shumë qëndrimeve apo spekulimeve që unë kam vënë re si President i Republikës, që janë përcjellë edhe nga ju, jo për fajin apo përgjegjësinë tuaj, sepse detyra juaj është të pasqyroni çdo qëndrim apo hamendësim, por është për të sqaruar pozicionin e Presidentit në raport me institucionet në vend, në raport me qytetarët, me Kuvendin e Shqipërisë, që ka gjithashtu rol të veçantë për këtë marrëveshje dhe marrëveshje të tilla kaq të rëndësishme, por edhe me partnerët.
Do të ishim një shtet edhe më pak serioz nëqoftëse nuk do të jemi të sinqertë, të hapur dhe konstruktivë me partnerët për ato mundësi që ne kemi për të realizuar këtë marrëveshje. E lehtë nuk është se duhet të jemi edhe me Kushtetutën e Shqipërisë, edhe me qytetarët e Shqipërisë, por edhe me partnerët tanë, sa më korrekt. Do të ishte shumë e pandershme që Presidenti në një moment të dytë të shfrytëzonte momentin tjetër për të mos mundësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk do të ishte diçka pozitive. Jemi në kohë për të garantuar një proces normal. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të qartë, ose janë optimistë që marrëveshja do të jetë shumë e mirë. Nuk kemi asnjë arsye, ose të paktën unë nuk kam asnjë arsye për ta paragjykuar këtë çështje, por këto janë përgjegjësi të Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që është vetëm për këtë çështje. Kështu që besoj se secili duhet të bëjë detyrën e tij në mënyrën më konstruktive, dhe shpresoj që të mos jetë e nevojshme që të mos dal për këtë çështje përsëri përpara jush dhe para opinionit publik.
Pyetje: Ministri Bushati ka deklaruar në një studoi televizive se kërkesa për autorizim është e ndryshme nga kërkesa për plotfuqishmëri, e cila sipas tij do të vijë në një moment të dytë. Është kërkesa për plotfuqishmëri ajo, e cila sipas tij, do të ketë edhe emrat e negociatorëve. Keni një koment?
Presidenti Meta: E kam sqaruar edhe gjatë kësaj konference disa herë këtë qëndrim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje është kushtetuta dhe vija e kuqe që duhet të ndjekë Presidenti dhe çdo institucion tjetër.
Pyetje: Një koment tuajin zoti President përsa i përket propozimit që ka hedhur Kryeministri Rama për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë. A është një ide për Shqipërinë e Madhe? Si ka ardhur te ju ky propozim? Dhe së dyti, për ish-kryeprokurorin Llalla që është shpallur “non grata”. Cili është komenti juaj?
Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për çështje, të cilat nuk kanë të bëjnë me boshtin e kësaj konference për shtyp. E cila besoj se ka qenë me një temë shumë të qartë, të paralajmëruar për ju dhe opinionin. Ju faleminderit shumë dhe shpresoj të takohemi së shpejti në raste të tjera, por shpresojmë jo për këtë çështje!