Kongresi amerikan nënvizon përjashtimin e Ambasadorit të Iranit nga Shqipëria

Në një rezolutë të prezantuar nga Kongresistët McClintock dhe Brad Sherman, si dhe 37 anëtarë të tjerë të Kongresit të SHBA-së, bëhet thirrje për dënimin e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti iranian dhe shprehjen e mbështetjes për dëshirën e popullit iranian për një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore të Iranit.

Në një pjesë të rezolutës H.R. 374 deklarohet: “Sipas Veprimtarive të Zgjedhura Operacionale të Sponsorizuara nga Irani në Europë, të publikuar nga Departamenti i Shtetit më 5 korrik 2018, ‘‘Dy operativë iranianë janë arrestuar me akuza terrorizmi nga autoritetet shqiptare,’’ për një komplot me bombë kundër mbledhjes së mijëra anëtarëve të opozitës iraniane me rastin e Vitit të Ri në mars 2018 në Tiranë; duke qenë se në dhjetor 2018, Qeveria e Shqipërisë përjashtoi Ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, dhe shefin e stacionit të MOIS në Shqipëri, Mostafa Roudaki, për planifikimin e veprimtarive terroriste kundër disidentëve iranianë dhe anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK);

Duke qenë se përjashtimi i Ambasadorit Iranian nga Qeveria e Shqipërisë është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm, që përçon mesazhin e duhur se asnjë ambasadë iraniane nuk duhet të përdoret për komplotim terrorizmi dhe kryerjen e veprimtarive të spiunazhit kundër disidentëve;

Duke qenë se veprimtaritë malinje të Iranit në Ballkan, konkretisht prania dhe veprimtaritë e tij në Shqipëri, përbëjnë një kërcënim serioz për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara;

Duke qenë se zyrtari i Departamentit të Shtetit i ka nxitur ‘‘të gjitha kombet që të jenë vigjilente për sa i përket përdorimit të ambasadave nga Irani si mbulime diplomatike për të organizuar sulme terroriste;

Duke qenë se zyrtarë të lartë të qeverisë, ushtrisë, drejtësisë dhe sigurisë iraniane për dekada të tëra kanë urdhëruar apo kryer shkelje jashtëzakonisht të rënda të të drejtave njerëzore dhe akte terroriste;

Duke qenë se popullit iranian i janë mohuar liritë themelore, arsye për të cilën e ka refuzuar diktaturën monarkike dhe po i kundërvihet tiranisë fetare;

dhe duke qenë se në Kongresin e 115-të, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi H.R. 4744 ku i bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i ‘‘dënojnë abuzimet e të drejtave njerëzore nga Irani kundër disidentëve, duke përfshirë masakrën e 1988-ës dhe shtypjen e demonstratave politike në vitet 1999, 2009, dhe 2017, dhe të ushtrojnë presion mbi Qeverinë e Iranit që t’u ofrojë familjarëve informacionet e detajuara që u janë mohuar rreth vend-varrimeve të viktimave të humbura të këtyre abuzimeve’’: Atëherë, të merret Vendim, Që Dhoma e Përfaqësuesve t’i dënojë sulmet terroriste të shkuara dhe të tanishme të sponsorizuara nga shteti iranian kundër qytetarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, si dhe disidentëve iranianë, duke përfshirë komplotin terrorist të regjimit iranian kundër tubimit ‘‘Free Iran 2018 – the Alternative’’ në Paris; t’u bëjë thirrje agjensive pëkatëse të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët europianë, duke përfshirë ata në Ballkan, ku Irani e ka zgjeruar praninë e tij, ta bëjë përgjegjës Iranin për shkeljen e privilegjeve diplomatike, dhe t’u bëjë thirrje kombeve që t’i parandalojnë veprimtaritë malinje të misioneve diplomatike të regjimit iranian, me qëllimin e mbylljes së tyre, duke përfshirë ambasadën iraniane në Shqipëri; të qëndrojë përkrah popullit të Iranit i cili vazhdon të zhvillojë protesta legjitime dhe paqësore kundër një regjimi shtypës e të korruptuar; dhe ta njohë të drejtën e popullit iranian dhe përpjekjen e tij për të themeluar një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore në Iran.”

SHKARKO APP