Konsensusi negativ i udhëheqësive politike!

Nga Arian Galdini
Për rastin e Shqipërisë mund të themi se vështirë se mund të gjendet një rast tjetër i ngjashëm në të cilin të ketë marrë jetë një ‘marrëveshje e elitës’ apo më saktë e thënë, marrëveshje e udhëheqësive të majta dhe të djathta të politikës shqiptare, për mos-konkurrim të hapur, të vërtetë, të lirë dhe të ndershëm publik, ndërkohë që për ‘konsum demokratik’ ofrohet dhe zhvillohet një sistem multi-partiak, kryesisht me struktura militante, të mbyllura dhe jodemokratike, të cilat konkurrojnë në zgjedhje që pala humbëse i konteston që prej vitit 1996 e këtej. Pikëpamja jonë është se, ‘tranzicioni ende i pasuksesshëm për në demokraci’ në Shqipërinë e pas viteve 1990 pas rënies së regjimit komunist është drejtpërdrejt i lidhur me mungesën e vullnetit të Sali Berishës, askohe President Republike, sot Kryeministër, për të thirrur e realizuar për herë të parë ‘zgjedhjet themeluese’ të lira dhe të ndershme. (McFaul, 1995: 226-227, Linz and Stepan, 1996: 392-394). Mungesa e vullnetit për realizimin e ‘zgjedhjeve themeluese’ të lira dhe të ndershme është domosdoshmërisht atribut edhe i Fatos Nano, Ilir Metës dhe Edi Rames kur të 3 këta kanë kryer detyrën e kryeministrit në periudha zgjedhjesh, ndërsa kanë qenë edhe figura tepër të forta mbizotëruese politike brenda të majtës shqiptare. Jo barazvlefshëm, por gjithsesi qëndron edhe mbi supet e Lulzim Bashës, pesha e tij e atributeve të mosvullnetit për realizimin e zgjedhjeve themeluese të lira dhe të ndershme, për aq sa i ka takuar atij ndërsa ka qenë bashkërendues apo bashkorganizator zgjedhjesh, qoftë si kryetar bashkie, qoftë si lider i opozitës së djathtë. Kjo mungesë vullneti e ‘udhëheqësive’ politike shqiptare pas vitit 1990 ka hapur rrugën për procese zgjedhore vazhdimisht të kontestuara nga pala humbëse. Në fakt, gjithçka e thënë më sipër merr kuptim nëse pranojmë se eksperiencat në Shqipërinë post-komuniste janë shumë larg ‘modeleve të ujdive’ në biseda tryezash të rrumbullakëta me rregulla të qarta loje në funksion të interesit publik, sikurse ka ndodhur në disa vende të Europës Lindore si Polonia dhe Hungaria. (Linz and Stepan, 1996, Elster, 1996). Paradigma se: “Demokracia me dyer të mbyllura është një demokraci e vrarë”, merr plotnjëmendësi në vendin tonë, ngase kuptimi i ‘ujdisë’ apo ‘marrëveshjes’ në tranzicionin e Shqipërisë post-komuniste është larg prej kuptimit që kanë ato në vende sikurse ilustruam më sipër, që janë në ‘tranzicion për në demokraci’ (apo ndoshta janë bërë demokraci). ‘Ujditë’ dhe ‘marrëveshjet’ në Shqipërinë e këtyre 27 viteve kanë qenë më shumë të ngjashme me ‘ujditë’ dhe ‘marrëveshjet’ mes karteleve, klaneve të cilat kanë rënë dakord për eliminimin e konkurrencës politike, ekonomike dhe publike, si edhe për të pranuar institucionet informale në kurriz të shtetit të së drejtës. Kësisoj, këto ‘ujdi’, ‘marrëveshje’ në vend që ta përforconin demokratizimin, e kanë bllokuar atë. Në Shqipërinë post-komuniste ne mund të gjejmë gjurmë e fakte të konsensuseve negative, sikundër janë përfolur e debatuar gjatë marrëveshjet Nano-Berisha në vitin 1991 në Trieste, 2002 dhe 2007 në Tiranë, apo 2010 në Vjenë, marrëveshja Berisha–Rama, në prillin e vitit 2008 në Tiranë dhe marrëveshja e bashkëqeverisjes Berisha–Meta në vitin 2009 në Tiranë, e së fundmi Pakti Rama – Basha i 17 – 18 majit 2017, etj. Thënë të gjitha këto, ç’mund të thuhet më tepër për incentivat e këtyre pjesëmarrësve në ‘pakte’, ‘ujdi’, të cilët në vend që të prodhojnë ligje, rregulla e norma të reja në shërbim të qytetarit–sovran, prodhojnë cikle të reja konfliktesh të tipit: ‘luftë e të gjithëve kundër të gjithëve’. Nëse do të vazhdohet kështu, atëherë ekziston një mundësi e madhe për shpërbërjen e vetë politikës, njëlloj sikurse ndodhi në vitin 1990 kur kolapsoi dhe ra regjimi komunist. Ndonëse udhët e ndjekura duken me fund qorr, është e pakuptueshme përse pjesëmarrësit në ‘pakte’, ‘ujdi’, filldrejtohen nga gjetja e ekuilibrave të mbrapshtë dhe konsensuseve negative, në një kohë kur marrëveshjet për ngritjen dhe forcimin e shtetit të së drejtës u duken më pak të mundura dhe më pak tërheqëse. Ndoshta do të mund të shihnim shans për jetënisjen e mbizotërimit të shtetit të së drejtës dhe të institucioneve formale pikërisht për shkak të qorrsokakut ku mund t’i drejtojë konflikti disa aktorë të lojës politike, të cilët, si rrjedhojë ngase ndihen shumë të dobët për të aplikuar ‘strategji force, mund të shohin vlerën e institucioneve formale si i vetmi burim apo si të vetmet ‘armë’ që mund të garantojnë mbijetesën e tyre në lojë. (Geddes, 1996: 18-19). Përdorimi korrekt dhe i drejtë i rregullave dhe ligjeve formale nga ‘aktorët e dobët’, gjithsesi ngre një standard dhe në një farë mënyre shtyn edhe palët e tjera në konflikt të përdorin të njëjtat ‘armë’ gjithashtu. Ndaj edhe kjo ‘luftë e të gjithëve kundër të gjithëve’ ka gjasa që të mund të transformohet gradualisht në ‘betejë bazuar në ligje, parime e rregulla’. Transferimi i ‘betejës bazuar në ligje, parime e rregulla’ në sferën e politikës elektorale të masave nëpërmjet zgjedhjeve konkurruese dhe ndryshimit të rregullt, paqësor e korrekt të pushtetit, e bën demokratizimin një proces të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm. Por, siç mund ta vëmë re ‘historitë e suksesit’ në Shqipërinë post-komuniste ndërvaren fortësisht nga ‘rezultatet kontingjent konflikti’. Ndaj, në këto raste përdorimi i institucioneve formale rezulton të mos jetë i mjaftueshëm për mbijetesën e garuesve, konkurrentëve të dobët, kështu që në këto raste fatkeqe të gjitha shpresat për lindjen e shtetit të së drejtës varrosen. ‘Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve’ ka në çdo rast mundësi ose të zgjasë pa fund, ose të na japë rezultatin neto të fitores së tipit: ‘fituesi i merr të gjitha’. Të dyja këto modele nëpër të cilat do të mund të kalonte udha e lindjes së shtetit të së drejtës, qoftë koalicioni i konsensusit negativ, qoftë ‘beteja bazuar në ligje, parime dhe rregulla’, janë të bazuara në supozimin se instalimi i mbizotërimit të institucioneve formale dhe të konkurrencës politike janë të zhvilluara pak a shumë në mënyrë simultane. Në rastin e Shqipërisë, edhe pse regjimi politik në dukje, normë dhe procedurë është konkurrues, në terma elektoralë, prapëseprapë roli i institucioneve formale është larg mundësive për të mbizotëruar. Këtu konkurrenca politike është e ‘mbijetuar’ me gjithë mungesën e shtetit të së drejtës. As më shumë e as më pak, por grupet në pushtet, udhëheqesitë politike të majta dhe të djathta në Shqipërinë post-komuniste ia kanë dalë mbanë të përqendrojnë mjaftueshmërisht burime, mundësi dhe instrumente për të parandaluar ndryshimin e pushtetit me mjete elektorale, ndaj edhe, më së pari eliminojnë incentivat për vetëpërgjegjshmëri si pjesë e kornizës së institucioneve formale. Debati dhe diskutimet elektorale marrin vlerë për instalimin e mbizotërimit të institucioneve formale vetëm nëse konkurrueshmëria nuk cenohet apo shuhet për shkak të balancës së burimeve dhe nevojave midis aktorëve dhe për shkak të themeleve strukturale të konflikteve ndër/brenda-elitare. Ajo që është e dukshme deri në dhimbje në Shqipëri, është e vërteta se konsensusi negativ i udhëheqësive të majta dhe të djathta të politikës shqiptare ka mbytur dhe synon të vazhdojë të mbysë zgjedhjet e lira, lirinë e mediave, shpirtrat e lirë, njerëzit e lirë, mendimtarët e lirë, aktivistët e lirë, biznesin dhe sipërmarrjen e lirë, njerëzit e talentuar, virtuozë dhe të virtytshëm. Për 27 vite ia kanë dalë mbanë të mbysin konkurrueshmërinë e lirë, të vërtetë dhe të ndershme politike, elektorale , mediatike ekonomike dhe financiare. Volitet të pranojmë se ka ardhur koha që shumica e heshtur dhe e moralshme të ngrejë kokën. Ka ardhur koha që morali, shpresa, virtyti, liria, dinjiteti, talenti dhe zotësia të fitojnë mbi frikën, bindjen, servilizmin, mashtrimin, industrinë e baltës dhe mohimit, grabitjen, vjedhjen, dhe sundimin arbitrar. Ka ardhur koha që ata qytetarë shqiptarë që e kanë kêtë vetëdijësim e njëkohësisht janë edhe guximtarë e të aftë, të shpallin kurajën e tyre për të qenë aktorë, faktorë dhe agjentë të transformimit pozitiv të shoqërisë shqiptare.

SHKARKO APP