Koronavirusi prek edhe sytë
Koronavirusi prek dhe sytë, duke shkaktuar inflamacione të sipërfaqes okulare. Ne një intervistë për Rtv Ora, mjekja okuliste Nora Burda, shpjegon simptomat që shfaqin pacientët e prekur nga Covid-19 në sy.
Edhe sytë preken nga koronavirusi. Mjekja okuliste, Nora Burda, në një intervistë për Rtv Ora, shprehet se Covid 19, mund të infektojë dhe sipërfaqen okulare, duke shkaktuar inflamacione.
Nora Burda: Ka shenja të një inflamacioni okular, lotim të shprehur, ndjesi bezdie të një trupi të huaj në sy, skuqje, ndjesi gërvishtje në sy. Në varësi të rasteve janë trajtuar dhe janë shëruar, nuk paraqesin rrezikshmëri për pamjen.
Por sytë nuk rrezikohen vetëm nga virusi. Përdorimi i shtuar i teknologjisë gjatë qëndrimit në shtëpi, sjell një sërë problemesh.
Nora Burda: Pajisjet elektronike kanë një dritë blu e cila kap sipërfaqen okulare dhe dëmton, dëmton dhe pjesën qëndrore të syrit, retinën.
Për ti minimizuar ato, okulistja sjell disa këshilla.
Nora Burda: Kompjuterin ta mbajnë në një kënd 30 gradë, ta vendosin shumë më poshtë se niveli i syrit. Të ulin intensitetin e dritës dhe kontrastin.Të mbyllin kapakët e syrit herë pas here ose të hedhin lot artificial herë pas here.
Mjekët infeksionistë që trajtojnë të sëmurët me koronavirusi krahas veshjes mbrojtëse aplikojnë edhe maskë për pjesën e syve për shkak se janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët.
/Ora News