Kredia për shtëpi – Tashmë është produkti kryesor i kredisë bankare

Kredia për blerjen e banesave nga individët është bërë tashmë produkti kryesor në portofolin e sistemit bankar në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, huaja për blerjen e banesave në fund të vitit 2018 përbënte 21.8% të huasë totale për rezidentët në Shqipëri. Për herë të parë, ky produkt ka kaluar në vlerë overdraftet e bizneseve, që përbënin 21.5% të portofolit total.

Kredia për blerje banesash arriti vlerën rekord të 110 miliardë lekëve, në rritje me 3.3% gjatë vitit të kaluar. Megjithëse në tërësi kredia për biznesin vazhdon të dominojë strukturën e kredisë bankare në vend, gjatë viteve të fundit vërehet një riorientim i dukshëm drejt kredisë për individë. Në vitin 2018, kredia për individë arriti në afro 35% të totalit, pesha më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Rritja e kredisë për individë është nxitur nga normat e ulëta të interesit, por edhe një ofertë më e lartë nga bankat në këtë segment, me qëllim shpërndarjen më të mirë të rrezikut të kredisë. Te individët, raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2018 ishte 6.4%, ndërsa te bizneset mbi dy herë më i lartë, me 13.3%.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kredia për biznesin ka rënë tashmë në 65% të totalit të kredisë për ekonominë shqiptare, ndërsa pesë vjet më parë përbënte rreth 70%. Mbështetur në raportin vjetor të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për bizneset rezidente në Shqipëri ra me mbi 9% gjatë vitit të kaluar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndryshe nga shumica e ekonomive të Europës Qendrore dhe Lindore, kredia në Shqipëri vazhdon të ketë një përqendrim të lartë në segmentin e biznesit. Sipas ekspertëve, një nga arsyet e dominimit të biznesit në strukturën e kredisë është mungesa e tregut të kapitalit në Shqipëri, çka do t’i jepte biznesit një kanal alternativ për të siguruar financime.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?