Kriza politike dhe fatura mbi ekonominë / Si përplasjet politike po ndikojnë në rënien e biznesit

Sipërmarrësit shprehen me shqetësim për anulimet e prenotimeve që janë bërë në hotele. Sipas tyre nëse pas qershorit 2019, Shqipëria nuk rikthehet në hartën e destinacioneve të kërkuara, do të na duhet një dekadë e tërë për ta rikthyer brandin në nivelet që e kemi.   

Një prej dëmeve është kalimi në depozitë i 1 mld euro i sipërmarrësve shqiptarë, si edhe kalimi i shumave të mëdha të qytetarëve në depozita. Ka rrezik që këto para të shkojnë për biznes në vende të tjera.

Përpos biznesit vendas, kjo situatë ka trembur ndjeshëm dhe investitorët e huaj, të cilët konsiderohen dhe si “aset” për vendin, duke i hapur “korsi” të lirë vendeve në rajon. 

Kjo situatë po shkatërron motorët kryesorë të ekonomisë, po shkatërron turizmin, po shkatërron gjithë prodhimin vendas, janë dhe faktorë të tjerë, por kjo është padiskutim një ndër elementët që po dëmton.

Ky vit ka nisur ters për ekonominë e vendit, dhe jo për faktin se nuk ka performuar mirë në vetvete, por se po ecën me një barrë kostosh të transferuara direkt nga politika. Kriza që ka përfshirë politikën shqiptare, mos gjetja e një “të mesmeje të artë”, agravimi në protesta të cilat jo rrallë kanë dalë nga kontrolli e kroniza paqësore, jo vetëm që kanë “nxirë” imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve dhe turistëve të huaj, por ka dhënë rezultate konkrete negative tek sipërmarrjet dhe konsumatotët, duke shkaktuar frenim dhe rënie zinxhir pothuajse në të gjithë sektorët, madje edhe tek ata që nuk e kanë njohur rënien ndër vite.

Efektet në turizëm

Protestat e opozitës, të cilat herë pas here kanë prodhuar dhunë, goditjen kryesore e kanë dhënë në sektorin e turizmit, duke qenë se ndodhemi në prag të sezonit. Dhe rreziku është që dëmi të jetë i pariparueshëm, edhe për vitet e ardhshme. Pavarësisht se në sytë e qytetarëve shqiptarë protestat janë periferike dhe ndodhin kryesisht përpara Kryeministrisë apo Parlamentit, në optikën e turistëve të huaj, Shqipëria shikohet si një vend me trazira, pa stabilitet politik, dhe deri diku i rrezikshëm për të pushuar. Kjo për shkak se edhe mediat e huaja i kanë bërë jehonë të gjerë situatës që ka prodhuar politika në vend.

E si e tillë, turizmi ka filluar të japë shenjat e para të krizës, duke shënuar kthesë në një pikë kur pritej që t’i bashkëngjitej rajonit.  “Tregu i turizmit në 4 muajt e pare, rezulton sipas të dhënave 9.5 % në ulje. Çfarë do të thotë ulje në sektorin e turizmit? Mund të themi që çfarë po ndodh sot, nuk do të mund të japë efekte të menjëhershme, pavarësisht se ka një network shumë të madh të operatorëve botërorë, referuar situatës në vend. Ata nuk mundet të ndalojnë dot operimin  të cilin tashmë e kanë filluar në Shqipëri, janë shumë skeptikë se si do të kalojë ky sezon, janë të gjithë duke parë me shumë vëmendje për ta kaluar 2019-ën,  por ajo që është më e rëndësishme për turizmin është se në muajin Maj dhe Qershor, janë të gjithë vendimmarrjet për 2020-ën.

Pas Qershorit 2019, nëse Shqipëria rikthehet përsëri në hartën e dyshimtë për të qenë destinacion, do të na duhet një dekadë e tërë për ta rikthyer brandin në nivelet që kemi.  Rreziku më i madh, është ndalesa dhe futja apo mbajtja në hartën e pushuesve në industrinë e turizmit dhe kjo do të ndjehet shumë më tepër nëse ne nuk japim një reagim shumë të shpejtë për stabilitetin për klimën politike dhe kjo do të ndihet në 2020-ën ”, shprehet  Enver Mehmeti, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.   Sipërmarrësit shprehen me shqetësim për anullimet e prenotimeve që janë bërë në hotele.   “Kjo situtë ka shkaktuar kosto të mëdha. Edhe si sipërmarrës, ne që kemi investuar në hotele shikojmë kancelime, ulje të numrit të turistëve, vjet pati një dynje shumë të madhe, sivjet nuk ndjehet, sepse edhe qeveria nuk po punon, sepse më shumë mendojnë se sa policë do të vënë tek gardhi se sa turistë do na vijnë në aeroport për t’i pritur.  Më shumë mendojmë se si do presim një miting të ardhshëm, se sa si do presim turistët që do vijnë në aeroport apo në hotele”, thekson Luan Bregasi, President i “Biznes Albania”.  

Tkurret paraja në qarkullim

Nëse të gjitha reformat e qeverisë kanë synuar në thelb përmirësimin e klimës së biznesit, promovimin e sektorëve specifikë apo luftën ndaj informalitetit, duket se një krizë disa mujore i ka zhbërë këto objektiva.  Nuk duhet dhënë kurrë ky sinjal që ne duhet të ikim nga Shqipëria. Por, për hir të së vërtetës, klasa politike me krizën e vet të një pasnjëshme, e cila i shoqëron prej një periudhë  30-vjeçare dhe pothuajse është e njëjta precedencë, veç se ndërrohen kahet, vazhdon të krijojë një mosbesim të ndjeshëm edhe tek sipërmarrësi edhe tek qytetari. Në këtë situatë që është krijuar dilemat janë të mëdha-ja janë për këdo, për qytetarin dhe për investitorin. Por ajo që është më e rëndësishme është se ne nuk presim më interesin e investitorëve të huaj apo dhe të turistëve për të ardhur në Shqipëri”, argumenton Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.  Sipas tij, për momentin ka një faturë të llogaritshme që lidhet më “ngrirjen” e parave nga ana e qytetarëve. “Çfarë do të bënte biznesi në këto kushte? Jam i bindur që edhe biznesi ka një agjendë për të bërë. Është e rëndësishme që ne të nxjerrim faturat që i shkaktohen ekonomisë, sipërmarrjes dhe qytetarit në raste të tilla kur krizat politika janë të tej zgjatura dhe të pakompromista. Një prej dëmeve është kalimi në depozitë i 1 mld euro i sipërmarrësve shqiptarë. Por edhe kalimi i shumave të mëdhaja të qytetarëve shqiptarë në depozita, që nuk gjenerojnë ekonomi në Shqipëri, por gjenerojnë në vende të tjera”, thotë z. Jaka.  Ndërkohë që sipas tij, por rishfaqet fenomeni i informalitetit. “Jo vetëm që ka rënë ndjeshëm  qarkullimi tregtar, por është rritur në mënyrë të frikshme edhe informaliteti,  janë rritur të gjithë ato fenomene negative që japin sinjale të hidhura për ekonominë dhe prodhimin shqiptar. Pra të gjitha këto janë dëme që i shkaktohen ekonomisë dhe të gjitha këto janë dëme që i shkaktohen sipërmarrësve. Janë shumë sektorë të cilët rëndohen dhe cenohen nga mungesa e stabilitetit ekonomik në Shqipëri”, thekson Jaka. 

Konsumi në rënie

Një tjetër efekt që ka dhënë destabiliteti në vend, është rrudhja e ndjeshme e konsumit në vend dhe nxitja e pasigurisë tek qytetarët, për të shpenzuar. “Menjëherë konsumatori, i pasigurt për të ardhmen tkurr blerjet e tij, tkurr vizitat në dyqane, markete, në ambiente tregtare, tkurr buxhetin e tij dhe qëndron vetëm tek ushqimet apo veshmbathjet më të domosdoshme dhe të detyrueshme për një jetesë normale, dhe kjo sjell një tkurrje direkte në xhiron dhe të ardhurat e subjekteve që merren me tregti të produkteve dhe mallrave të konsumueshëm”, argumenton Mira Pogaçi, përfaqësuese e Shoqatës, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë.  Sipas saj,  përveç efekteve në xhiro dhe në taksa, edhe numri i të punësuarve mund të vijë në ulje, pra mund të kemi një rritje të papunësisë. “Kështu që efekti zinxhir që sjell pasiguria, mungesa e stabilitetit, nga konsumatorët tek bizneset, është një zinxhir i pandërprerë që sjellë pasoja që kalojnë nga një hallkë tek tjetra”, shprehet znj. Pogaçi

Tremben investitorët

Përpos biznesit vendas, kjo situatë ka trembur ndjeshëm dhe investitorët e huaj, të cilët konsiderohen dhe si “aset” për vendin, duke i hapur “korsi” të lirë vendeve në rajon.  “Investitorët e huaj që kanë ardhur këtu, nuk kanë ardhur as për nje vit as për 5 vjet, por kanë ardhur për investime aftagjata, investimet të cilat kanë një vlerë të shtuar në ekonominë e vendit tonë. Ky impakt që po krijohet tek të gjithë ata investitorë që i kanë hedhur sytë nga Shqipëria, bën që ose të spostohen diku tjetër, ose të shtyhen vendimet e tyre për për të ardhur në vendin tonë. Dhe në të njëjtën kohë, ata investitorë që janë këtu, janë të dyzuar për të vazhduar ose jo më tej investimet e tyre edhe në sektorë të tjerë të vendit tonë”, shprehet Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj.

Shqetësim edhe për eksportet

Eksportet, po ashtu, e kanë pësuar nga kjo situatë, pavarësisht se ishin në një trend rritës.  “Shihni eksportet me sa kanë rënë këto katër muaj me 4 muajt e vitit të kaluar. I keni të gjitha eksportet në rënie. Edhe fasonët që kanë mbi 10 vjet që janë gjithë kohën në rritje, këtë radhë i keni në rënie. Ka 5-6 vjet bujqësia që ka një tendencë rritje eksportesh dhe rënie të importeve, është ulur raporti import-eksport, nga 1 me 7 para gjashtë viteve, ranë 1 me 3 para disa muajsh.  Sivjet për herë të parë kemi përsëri, rritje të importeve, dhe rënie të trendit të eksporteve të produkteve bujqësore”, thekson Kreu i Shoqatës së Eksportuesve të Shqipërisë, Alban Zusi. Sipas Zusit, janë dëmtuar motorrët e ekonomisë.  “Shkoni pyesni tatim-taksat, sa është numri i klikimeve në sistem, pra numri i kuponave të prerë në 4-mujorin e 2018-ës, dhe shihni sa është numri i kuponave të prerë tani.  Kjo situatë po shkatërron motorrët kryesorë të ekonomisë, po shkatërron turizmin, po shkatërron gjithë prodhimin vendas, janë dhe faktorë të tjerë, por kjo është padiskutim një ndër elementët që po dëmton. Edhe nëse u bënë disa punë të mira vitin që kaloi, në sistemin e sigurisë ushqimore, formalizmit, rritjes së deklarimeve, sivjet po hapen përsëri subjektet që u mbyllën vjet, por në informalitet tashmë, prandaj absolutisht kjo situatë duhet të mbarojë” shprehet ai.

Efektet në ndërtim

Për ndërtimin ende nuk ka një pasojë konkrete momentale, për shkak se si sektor, efektet i ka të largëta. “Ende nuk mund të nxjerrim një faturë konkrete për pasojat. Problem është që çdo sektor ka pasoja dhe ndikime në një kohë shumë të shkurtër veprimi, si në konsum dhe turizëm, por ka dhe sektorë që duke qenë se veprimtaria e tyre ekonomike e jep efektin me shumë vonesë, ndikimet e tyre reflektohen mbas mjaft kohësh, siç është dhe sektori i ndërtimi, sektori i investimeve, sektori i industrisë, etj. Unë gjykoj që i gjithë biznesi shqiptar duhet të ketë një klimë të qetë. Politika duhet të jetë në mbështetje të ekonomisë shqiptare”, shprehet Luigji Aleksi, Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Reagimet

Shalsi: Kriza është stisur

Eduard Shalsi, Ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes shprehet se “Kemi të bëjmë me një krizë të stisur politike. Sepse nëse do t’i referohemi raporteve mbi ekonominë shqiptare, në qoftëse do t’i referohemi sondazheve të zhvilluara në kohët e fundit, të cilat tregojnë edhe shqetësimet kryesore të biznesit dhe mund të them me bindje se pas një analize të hollësishme të sondazheve, ajo që del dukshëm është pikërisht frika nga politika të themi, frika nga kriza politike.

Ndërkohë që vihet re se bizneset janë optimiste për të ardhmen, vihet re se pavarësisht vështirësive, janë optimiste për faktin se dita ditës po u përmirësohen shërbimet, dhe kur thashë që kemi një krizë të stisur doja të tregoja pikërisht këtë,  që opozita e cila ka dalë në rrugë, ka ngritur disa pretendime,  ku një pjesë janë ekonomike. Ndërkohë që ne e dimë fare mirë që në vitin 2013 Shqipëria ishe në buzë të humnerës, kishim një krizë financiare, kishim një krizë bankare, e mbani mend sa ishte numri i kredive të pakthyera, afro 30 për qind, kishim një krizë energjitike, pra kishim një uri nga pikëpamja e dashjes për të ndryshuar sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Ndërsa 5-6 vjet më parë bizneset ishin në këtë situatë, të gjitha sinjalet tregojnë se Shqipëria tashmë, me një rritje mbi 4 për qind, është duke rikuperuar, përditë e më shumë dhe duke përmirësuar gjendjen e saj ekonomike. Pra, në këto momente thirrja e biznesit, kemi një fjali ne që biznesi nuk e pranon dhunën sepse i bie në kurriz dhe e ka bërë disa herë kryeministri i vendit thirrjen për dialog. Pra nëse do të kishim një situatë ekonomike të përkeqësuar, nëse do të kishim një pakënaqësi të popullit, nëse do të kishim indikatorë të degraduar të demokracisë, atëherë mund të legjitimohej edhe një opozitë e ashpër dhe shumë e ashpër.

Ndërkohë që sot, parametrat ekonomikë i kemi shumë më të mirë nga sa i kishim, kemi klimën e biznesit më të mirë nga çfarë e kishim, kemi një qeveri e cila reagon shumë shpejt karshi shqetësimeve të biznesit, kemi vendosur një urë komunikimi si asnjëherë tjetër me biznesit, zyra ime është 24 orë në 24 e hapur, në shërbim të biznesit.

Çupi: Krizë shumëdimensionale

Dhurata Çupi,  ish-deputete  e PD ka një tjetër pamje për situatën që po kalon vendi. Sipas saj “Shqipëria dhe vendi jonë nuk është thjështë në një krizë të biznesit, por është në një krizë të madhe shtetërore, është në një udhëkryq të krizës morale, politike, shoqërore dhe padyshim edhe të asaj ekonomike. Sigurisht Partia Demokratike ka qenë vazhdimisht në krah të biznesit, Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të mbetet në krah të biznesit. Mos harrojmë që Partia Demokratike, që në krijimin e saj në vitet ’90, i ka prirë tregut të lirë, i ka prirë biznesit, i ka prirë konkurrencës, konkurrencës së lirë dhe të barabartë, mos harrojmë që ka qenë dhe mbetet në krah të biznesit. Mbetemi me shpresën që kjo krizë do të zgjidhet, jemi partia që kemi hapur biznesin, kemi zhvilluar biznesin, madje jemi dhe krenar për reformat që janë bërë në kohën tonë”.

/ SCAN Magazine

SHKARKO APP