Ku po shkon punësimi? – Nuk arrihen objektivat, qeveria rishikon planin e veprimit

Objektivat e vendosura nga qeveria për për rritjen e punësimit në vend nuk janë përmbushur. Qeveria ka hedhur për konsultim “Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim në 2019-2022” e cila është një korrigjim i strategjisë 2014-2020, ku vlerëson se për disa tregues të këtij dokumenti, progresi nuk ka qenë i mjaftueshëm për të arritur objektivat e vitit 2020. Megjithatë plani i Veprimit i Rishikuar i Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi do të përqendrohet në katër përparësi strategjike, të cilat nuk ndryshojnë nga strategjia e vjetër.

Konkretisht synohet nxitja e mundësive për punë të denjë, nëpërmjet politikave të frytshme të tregut të punës. Në këtë pikë do të krijohet Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, dhe do të ofrohen shërbime punësimi për të gjithë individët e regjistruar. Gjithashtu parashikohet një riorganizim funksional i zyrave të punës, ndërsa në fokus është dhe zgjerimi i gamës dhe shtrirjes së shërbimeve dhe programeve aktive të tregut të punës. Edhe kjo strategji mbështetet në ofrimin e arsimit dhe kualifikimit profesional cilësor për të rinjtë dhe të rriturit si urë për t’u integruar në treg.

Një tjetër prioritet është nxitja e përfshirjes sociale dhe e kohezionit territorial përmes zgjerimit të mbulimit, përfshirjes dhe efektivitetit të shërbimeve të punësimit dhe arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë dhe të rriturit, përfshirë dhe popullsinë e rrezikuar për përjashtim. Si dhe fuqizimi i qeverisjes së tregut të punës dhe i sistemeve të kualifikimeve.  Ndërsa nuk parashikohen shifra konkrete të punësimit në 4 vitet e ardhshme.

/ SCAN

SHKARKO APP