Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët

Projekti më i fundit i ABC Tirana Club është “Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët”, i cili mbështetet nga projekti rajonal “Media për qytetarët – Qytetarët për median”, financuar nga Bashkimi Evropian.

Që nga fillimi i këtij viti projekti studentor është fokusuar në dy universitetet publike, “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Një nga produktet e para të projektit të ABC Tirana Club ishte realizimi i një sondazhi me studentët, ku u pyetën 300 studentë nga këto dy institucione të arsimit të lartë dhe ku në fokus ishte kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike nga ata i përmbajtjeve mediatike.

Projekti ka si synim nxitjen e të menduarit kritik mbi informacionet që lexojnë, shikojnë dhe dëgjojnë të rinjtë, për të arritur të kuptojnë dhe dallojnë ato përmbajtje, të cilat janë të pabazuara në fakte, apo që nuk janë të verifikuara. Nga ana tjetër qëllimi është për t’i nxitur ata që të jenë efektivë dhe atraktivë kur janë vetë në rolin e prodhuesit, autorit të përmbajtjeve mediatike dhe informacione të ndryshme.

Referuar të dhënave të përftuara nga përpunimi i gjetjeve të pyetësorëve rezulton se rreth 52% e studentëve kanë si burim kryesor informimi platformat online dhe rrjetet sociale dhe rreth 43 % e tyre kanë përmbajtjet transmetuara nga televizioni. Rreth 70% e tyre pohuan se burim kryesor për argëtimin kishin lëndën që qarkullon në platformat online dhe të rrjetet sociale dhe vetëm 26% kanë televizionin.

Prirja për t’u informuar online

“Sa kohë mesatarisht brenda një dite kaloni duke duke naviguar në internet?”, ishte një nga pyetjet e sondazhit, për të cilën pjesa më e madhe, rreth 43% u përgjigj “më shumë se 3 orë”; 22% shpenzojnë “deri në 3 orë” dhe gati po kaq “deri në 2 orë”. Nuk navigojnë fare në internet rreth 3%, kurse rreth 11% pranuan “deri në 1 orë”.

Instagrami mbetet më i preferuari për komunikim nga studentët, rreth 59%; pastaj renditet Facebook-u, rreth 33%; Snapchat, rreth 3% dhe Twitter, pak më shumë se 1%.

Një në tre studentë rezulton se ka të hapura më shumë se dy llogari në rrjetet sociale; 36% kanë vetëm një llogari dhe rreth 27% kanë dy. Kurse 4% thanë se nuk ishin prezentë fare në rrjetet sociale.

Niveli i besueshmërisë për përmbajtjet mediatike

Për pyetjen “Keni besim në përmbajtjet mediatike që ndiqni?”, gjysma e studentëve u përgjigj “disi”; rreth 5% “shumë”; rreth 25% “pak”; rreth 13% “shumë pak” dhe pjesa e mbetur rreth 7% u përgjigj “aspak”.

Kur ndjekin përmbajtje mediatike më shumë problem për rreth 37% të studentëve përbën kur “informacioni është krejtësisht i pabazë”; për rreth 31% e tyre përbën rasti kur ndjekin “informacion me pasaktësi”; për rreth 13% në kushtet kur informacioni është “i saktë, por i njëanshëm” dhe për 12% kur ka “shkelje etike”.

Gjatë zhvillimit të fushatave elektorale për studentët që u përfshinë në sondazh, media klasike (televizion, radio e gazette) mbetet burim më i mirë informimi për rreth 40% të tyre. Për rreth 21% janë platformat online; për rreth 13% rrjetet sociale; për 8% si burim më i mirë i informimit është ndjekja drejtpërdrejt në terren dhe 18% pranuan “asnjë prej tyre”.

Sa ndikon media në orientimin e studentëve për votën e tyre? Më shumë se gjysma, rreth 55% thanë “aspak”; rreth 5% “shumë”, rreth 16% “disi”; 12% u shpreh “pak” dhe rreth 13% “shumë pak”.

Mangësi në edukimin e studentëve për median dhe informacionin

Lidhur me marrjen e njohurive nga ana e studentëve mbi edukimin mediatik gjatë viteve të shkollimit, 32 % e tyre pranuan se nuk kanë marrë asnjë njohuri; 14% kishin marrë vetëm gjatë kryerjes së ciklit 9-vjeçar; rreth 33% vetëm gjatë shkollës së mesme dhe rreth 21% u përgjigjën se kanë marrë njohuri edhe në 9-vjeçare edhe në të mesme.

Është e dukshme se në fushën e edukimit për median dhe informacionin studentët kanë mangësi dhe sepse në stadet e mëparshme të shkollimit nuk kanë folur, nuk kanë diskutuar, apo nuk kanë pasur hapësira në kurrikula – një mangësi kjo evidente për arsimin shqiptar, ku janë bërë pak hapa fillestarë, me ndikim minimal.

Studenti Johan Muka, drejtues i ABC TIRANA CLUB, thotë se projekti synon që t’i përfshijë rinjtë në këto problematika, t’i përfshijë në debate mbi edukimin për median dhe informacionin, pasi këto instrumente jetësore në një shoqëri demokratike janë mbështetje për aktivitetin e tyre mendor, fizik, moral, social etj.

“I ndhmon studentët në performancën e tyre, brenda dhe jashtë auditorëve universitarë, jo vetëm si konsumatorë të medias dhe informacionit, por dhe për të qenë protagonistë e aktorë seriozë dhe të besueshëm në industrinë mediatike, veçanërisht në mediat e reja e rrjetet sociale”- thotë ai.

Me kthimin e situatës në normalitet nga efektet e epidemisë së COVID 19, si dhe me rikthimin e studentëve në auditorë, ABC Tirana Club ka planifikuar dhe organizimin e tryezave të diskutimit mes studentëve në dy universitet publike në Elbasan dhe në Durrës.

SHKARKO APP