Kur dhe si mund të vetizolohemi nga koronavirusi?

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë sërish thirrje për vetizolim në rast të dyshimeve për koronavirus. Ja çfarë duhet të dini për vetizolimin

Nga Joseph Lee, BBC

A kam nevojë të vetizolohem?

Ju mund të keni nevojë të vetizoloheni në rast se keni udhëtuar në një zonë të prekur, ose keni qenë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.

Nëse kaloni 15 minuta brenda një distance 2 metra me dikë me virus, ose keni kontakt ballë për ballë, vlerësohet se jeni në rrezik.

Kur dikush testohet pozitiv për virusin, autoritetet shëndetësore tentojnë të gjurmojnë këdo me të cilin ka qenë në kontakt. Më pas u thonë nëse kanë nevojë të vetizolohen.

Çfarë duhet të bëj në vetizolim?

Vetizolimi nënkupton se duhet të qëndrosh në shtëpi për 14 ditë, nuk duhet të shkosh në punë, shkollë apo në vende publike. Duhet shmangur transporti publik dhe taksitë.

Hapat logjikë nënkuptojnë që të qëndroni në një dhomë të mirëajrosur me një dritare që mund të hapet. Qëndroni larg njerëzve të tjerë në shtëpinë tuaj.

Kërkoni ndihmë nëse keni nevojë për ushqime, ilaçe apo nevoja të tjera.

Do ishte mirë që familjarët ose miqtë t’ju sjellin furnizimin që të kaloni dy javë me të. Por nuk duhet të keni vizitorë. Dërgesat mund t’ua lënë në pragun e derës.

Po nëse ndani një shtëpi me një të vetizoluar?

Nëse jeni vetizoluar dhe keni të njëjtën kuzhinë, përpiquni të shmangni përdorimin e saj kur njerëzit janë aty dhe merrni ushqimin për ta konsumuar në dhomën tuaj. Pastroni të gjithë sipërfaqet në shtëpi me produkte pastrimi shtëpiak çdo ditë.

Edhe pse mund të mos jeni në gjendje të ndaheni plotësisht nga anëtarët e tjerë të familjes ose nga shokët e apartamentit, këshilla është që të kufizoni sa më shumë kontaktet.

Njerëzit që jetojnë me dikë në vetizolim, duhet të lajnë duart shpesh, duke përdorur sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda- veçanërisht pas kontaktit me ta ose diçka që kanë prekur ata.

Nuk duhet të ndani së bashku peshqirin, tualetin ose sende të tjera shtëpiake me dikë në vetizolim dhe duhet të keni një banjë ose tualet të veçantë.

Nëse kjo nuk është e mundur, personi i vetizoluar duhet të përdorë banjën i fundit, duke e pastruar atë tërësisht nëse është në gjendje.

Çdo mbeturinë me të cilën ka qenë në kontakt personi i izoluar duhet të vendoset në dy qese. Mos i hidhni këto qese derisa të dini nëse personi i vetizoluar e ka virusin apo jo.

Nëse personi rezulton pozitiv, do ju thonë se çfarë të bëni me mbeturinat e tyre.

SHKARKO APP