Kur jeta të hedh përtokë, qëndro aty!

Nga Ana Limani

Jemi bërë të besojmë se jeta është një udhëtim ku vazhdimisht duhet të luftosh, të ecësh përpara, të përballesh me sfida. Po kush shkoi në fund të saj dhe ishte i lumtur me këtë? Fundja, përkufizimi i jetës është vetë ai që ne i japim.

Duket se kemi frikë nga rëniet dhe nga të qëndruarit në qetësi. Një ngacmim ambicieje të shtyn të çohesh ende pa kuptuar ç’të ka ndodhur sepse duhet të jesh aty, për botën, për qëllimet e tua. Dhe me një shikim vetëm nga maja, biem sërish e sërish e sërish.

Por shpesh gjërat nuk kanë nevojë për një reagim të menjëhershëm. Gjërat kanë nevojë për kohë, dhe çdo përjetim ka nevojë për kohë. Prandaj, kur jeta të hedh përtokë qëndro aty.

Merr frymë e mos mendo. Ji aty për qetësinë e vetes tënde, e për asgjë tjetër. Jeta jote ka orare që vetëm ti i vendos.Llogaridhënia është gjëja e fundit që duhet të mendosh, ndaj vetes apo të tjerëve. Ndje erën që të fryn në lëkurë, dhe qelizat e dermës që të mbrojnë. Ndje atë pluhurin që të hyn në sy e njëkohësisht ta bën vizionin më të qartë për rrëmujën që të rrethon. Ndje atë shikimin e atij kalimtarit të rastësishëm. Merr ëmbëlsirën e preferuar dhe ndjeje shijen deri në përtypjen e fundit, pa qenë me nxitim për askund. Ndje përqafimin ndaj vetes dhe zemrën që rreh. Thjesht ndalo, qëndro aty.

Mos ki frikë as nga dhimbja, melankolia e shpirtit ka nevojë për të që të mbijetojë. Kur them këtë, mos e konsidero trishtimin një emocion të keq. Por lëre aty, mërzitu në dëshpërim, ndieje dhe merr esencën.

Mos ki frikë nga lëndimi apo dashuria e pakthyer. Bëhu një herë “egoist” dhe dashuroje atë tjetrin në kufijtë më të largët, vetëm për veten tënde. Mos e privo veten nga gjërat e thjeshta, vetëm sepse duhet të ndjekësh rrjedhën e jetës. Kuptoje që jeta nuk ka asnjë rrjedhë. Nëse do të mbyllësh sytë dhe të marrësh frymë, bëje! Për aq kohë sa ke nevojë.

Përmbushu, përpara se të rikthehesh sërish në fluturim. Qetësia është një dhuratë të cilën asnjëherë se konsideruam të tillë, e shiko ku jemi katandisur. Kujto vetëm diçka, të jesh e qetë përballë kaosit të jetës është triumf.

Prandaj kur jeta të hedh përtokë, qëndro pak aty. (Dhe kupto se nuk ke rënë aspak, shpirti i lirë si ai i joti mbetet gjithnjë në fluturim, të lirë, të jetës, të plotë, të mbushur me frymëmarrje.)

SHKARKO APP