Kur luftonim në portat e Vishegradit
75 vjet më parë Divizioni VI i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare mori pjesë në operacionin 26 ditor për çlirimin e Vishegradit. Vetëm nga efektivi i Br. VIII S dhanë jetën 30 partizanë.
(20 janar – 14 shkurt 1945)
Naxhi Zhupa*
Divizioni i VI Sulmues i U.N.Ç.SH. u formua më 18 nëntor 1944. Në përbërje të tij u përfshinë Brigada VI, VII, VIII dhe XXI Sulmuese. Kishte si efektiv më shumë se 4.000 partizanë e partizane. Forcat e tij kaluan kufirin dhe u vunë në ndjekje të armikut në drejtimin Shkodër-Podgoricë, në Mal të Zi e deri në qytetin Vishegrad të Bosnjës, duke kryer veprime luftarake jashtë kufijve shtetërorë në 76 ditë… Vetëm nga efektivi i Br. VIII S dhanë jetën 30 vetë, midis të cilëve dy partizanet trime Nervo Berdaj më 12.12.1944, ndërsa Sado Maliqi në Bosnjë më 13,02,1945; dhe u plagosën dy partizanet Marie Brisku dhe Merushe Sadikaj më 14.12, 1944 … Kam qenë pjesë e kësaj Njësie Partizane dhe nuk mund të më shlyhet nga kujtesa qëndresa e bashkëshokëve/qeve jo vetëm të kësaj Njësie por edhe të të tjerave…
***
Luftimet për çlirimin e Vishegradit janë përjetësuar që gjatë atyre ditëve nga vetë partizanët “rapsodë” e “poetë” të kohës. Ajo luftë herë është quajtur “Beteja e fundit”, herë të tjera “Vallja e lirisë” por edhe “Vishegradi anë lumit”. Por gati në të gjitha këto epitetime zënë vend në mënyrë kuptimplote vargjet: /… Dridhet qyteti e xhamia / Por jo trimat nga Shqipëria /…
Për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (LANÇ-in) në tërësi dhe për operacione të veçanta të saj është folur e shkruar mjaftueshëm. Por në të ardhmen, me gjithë heshtjen tridhetëvjeçare të administratës shtetërore dhe disa shkrimeve helmuese të disa penave të përlyera, me siguri që do të shkruhet shumë më tepër dhe më me respekt se deri tashmë. Vendimet politike, urdhërat luftarakë dhe veçanërisht veprimet luftarake në terren si gjatë LANÇ-it në territorin shqiptar deri më 29 nëntor 1944, por sidomos pjesëmarrja e forcave partizane në kuadrin e Koalicionit Antifashist Botëror jashtë kufijve shtetërorë shqiptar, do të jetë një shtysë më shumë për t’i pasqyruar më gjerësisht dhe për t’i bërë më shumë jehonë kësaj epopeje të lavdishme, e cila tek e fundit nënëshkroi me gjak garantimin e të ardhmes të vendit dhe popullit shqiptar si komb dhe si shtet sovran, njëherësh duke e radhitur meritueshëm në popujt liridashës. Për këtë arësye dhe në këtë kuptim, sakrificat e panumërta të luftëtarëve/eve të Ushtrisë Partizane për të ndjekur me luftime armikun e përbashkët të njerëzimit jashtë kufijve shtetërorë, me qëllim që ta mbërthente atë në luftime të vazhdueshme për të mos lejuar largimin e tij pa u dëmtuar dhe të pa konsumuar, për të ulur aftësinë luftarake të tij në ndeshjet e pritshme me forcat tona aleate, përbëjnë një ndihmë të çmueshme për aletatët tanë e cila nuk mund të mohohet por as edhe të nëpërkëmbet apo baltoset. Lufta e popullit shqiptar ka patur si moto çlirimin e vendit dhe të popullit të tij por edhe pjesëmarrjen aktive në luftime si pjesë e Koalicionit Antifashist Botëror ku ai ta gjykonte të domosdoshme.
***
Shqipëria në luftimet jashtë kufijve shtetërorë mori pjesë me dy divizione. Kështu Divizioni i Pestë veproi në Kosovë e Sanxhak ndërsa Divizioni i Gjashtë në Mal të Zi e në Bosnjë. Veprimet e shumta të kordinuara, të organizuara, të planizuara, të komanduara dhe të drejtuara me kompentencë profesionale nga komandat dhe shtabet, si dhe veprimet vullnetplota, këmbëngulëse dhe heroike të luftëtarëve/eve, janë dëshmia më e pakundërshtueshme që populli shqiptar dhe ushtria e tij partizane përmbushën me dinjitet dhe partneritet të plotë me aleatët e Koalicionit. Ushtria Partizane gozhdoi forca armike në luftime të pandërprera në territorin shqiptar dhe jashtë tij përkatësisht 70.000 deri më 29 nëntor 1944 dhe rreth 50.000 gjatë muajve dhjetor 1944 – shkurt 1945.
Natyrisht që kalimi në territore të huaja dhe luftimet e zhvilluara atje nuk mund të mos bëheshin me marrëveshje të dyanshme dhe me miratin “të të Zotit” të shtëpisë, siç thotë një fjalë e urtë popullore. Këshu edhe veprimet luftarake në Bosnjë nga Divizioni VI i U.N.Ç.Sh. në muajt janar-mars 1945 zënë një vend të veçantë në kontributin që dha populli shqiptar jo vetëm në periudhën e LANÇ-it në Shqipëri por edhe jashtë kufijve shtetërorë si pjesëtar i vogël por besnik dhe me kontribute të çmueshme gjatë 5 vjetëve. Këtë të vërtetë udhëheqja e lartë e Shtetit të Ri Shqiptar e pat deklaruar që kur zhvilloheshin luftimet në Mal të Zi, Kosovë, Sanxhak e Bosnjë më 15 janar 1945, ku përpos të tjerash theksohej: “ … me luftën tonë në ndihmë të Aleancës jashtë kufijve shtetërorë, ne garantojmë të ardhmen tonë si komb… ”. (Shif letrën dt. 15 janar 1945). Me këto motive shkuam në luftimet e Vishegradit të Bosnjës dhe zonës për-rreth edhe ne ish-partizanët e Divizionit VI, luftime për të cilat është shkruar mjaft herë në formë kronikash, kujtime e artikuj shtypi, por asnjëherë nuk është trajtuar si operacioni ushtarak i veçantë, i vetmi dhe i fundit i LANÇ-it jashtë kufijve me një përmbajtje shumëdimensioale sa i takon vlerave politiko-ushtarake. Për nga hapësira ku u zhvillua, kohështrirja (20 janar-14 shkurt 1945), mënyra e organizimit dhe e drejtimit me një urdhër luftarak të quajtur “Urdhër-Veprimi” të formës më klasike ushtarake; dhe nga forcat pjesëmarrëse, ai në fakt përfaqëson një operacion të mirëfilltë ushtarak të shkallës së lartë. Në këtë operacion u angazhuan katër Brigada Partizane dhe secila prej tyre kishte bërë emër të mirë në luftimet e mëparshme. Brigada e VI S zinte vend dallues në forcat e Ushtrisë Partizane, më vonë ajo u nderua me titullin e lartë “Brigadë Heroinë”. Jo më pak emër kishte bërë Brigada VII S, e cila veç të tjerash, kur u nis për në Veri çau me heroizëm përmes reaksionit vendës nga Kulmaku i Skraparit në Orosh të Mirditës e në Kërzhanjë të Malit të Zi. Brigada VIII S, po për merita të spikatura ishte vlerësuar si “Brigada I e Re” duke kaluar fitimtare nga beteja në betejë, ndërkohë Brigada XXII S edhe pse e re si njësi ushtarake, kishte në përbërje partizanë të viteve 1942-1943 nga Peza të kalitur më së miri në luftime. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, këto forca partizane bënë emër po kaqë të mirë në luftimet e rradhës në këtë operacion edhe pse gabimisht (pa ditur mirë kuptimin e termave ushtarake taktike, operative dhe strategjike) është trajtuar thjesht si një betejë e rradhës. Është me interes të kujtojmë se edhe në këtë operacion nuk u luftua “alla partizançe”, apo se ishte “luftë bandash” etj. siç kanë anatemuar disa gojë të ndyra, por u kryen luftime me koncepte e detyra shumë të qarta.
***
Ja disa dokumente:
“Urdhër-Veprimi” nr. 4; dt. 03. 02. 1945 i Shtabit të Divizionit VI, dërguar Brigadave VI, VII, VIII dhe XXII në orën 09.oo, dhe për njoftim Korpusit II Jugosllav, përbën shembullin e një modeli se si veprohet në një operacion ushtarak. Po citoj disa pjesë nga urdhëri i mësipërm:
“Situata: Forcat armike ndihen të vendosura në Vishegrad në vende që të mbrojnë hekurudhën Dobruzh-Vishegrad-Magjegja-Zagreb e në rreth tyre duke i fortifikuar me armatime si mitroloza, mortaja, artileri e lehtë, etj.
Informatat e marra nga Brigadat dhe seksioni informativ konfirmojnë tërheqjen e paprerë dhe mbrojtjen që bën armiku me 5 batalione të veçanta dhe forcat në tërheqje prej rreth 8.000 veta të Divizionit 181, D.22 të granadjerëve …
Ata janë përqëndruar në të majtë të rrugës të katundeve Çeçiçe-Drinsko-Polijaniçi-Suhagora-Zanozje-Turjak-Mirilovac. Këto forca kanë për qëllim të lehtësojnë tërheqjen drejt Sarajevës dhe të ruajnë municionet (100 vagona) gjatë rrugës. Edhe pse kanë materiale me shumicë, vuajnë për ushqime dhe morali i tyre ka rënë shumë…”. (A.Q.SH, fondi D.6, kutia 35, dosja 8, fq. 202)
Qëllimi i armikut është: forcimi i pikave dominuese, sigurimi i tërheqjes së befasishme nga Vishegradi dhe evitimi i këputjes të ndonjë bishti të kolonave në tërheqje…”.
Detyra jonë: Të sulmohet armiku në mënyrë që të izolohen forcat e tij nga njëra-tjera. Të këputet xhadeja në të dy anët e Dobrun-Vishegrad si dhe Vishegrad-Megjegja. Masi të izolohen me sulme të rrufeshme tue i asgjësuar forcat e rrethuara, të çlirohet qyteti i Vishegradit” (Urdhëri i Veprimit) Koncepti i veprimit: Do marrin pjesë forcat e Brigadës VII, VIII dhe VI…
Urdhërojmë: Brigada VIII të sulmojë majtas përballë armikut në Drinsko tue drejtuar një batalion për këputjen e hekurudhës Vishegrad-Magjegja e duke mbetur atje. Me tre batalione të tjera sulmon majtas, prapa armikut, tue patur objekt kryesor çlirimin e Vishegradit. Forcat e të dy Brigadave (VII-VIII) do të veprojnë me manovër në formë dare dhe me shpejtësi rrufe të mbyllin rajonin Mirdoviçi-Urugla. Prej këndej Brigada VIII me tre batalaione sulmon Vishegradin, kurse Brigada VII likujdon forcat që mbeten të izoluara me Brigadën VI… Brigada XXII qëndron atje ku ndodhet si rezervë…
Koha e veprimit: (sulmit, N,ZH) fillon 05.oo të mëngjezit të dt. 05.02.1945”.
Urdhri vazhdon me pika të tjera, por vlen të thuhet se ashtu si në rastet e tjera edhe për çlirimin e Vishegradit luftimet e Njësive të Mëdha Partizane janë zhvilluar jo siç është folur e flitet rëndom e me keqdashje “alla partizançe” por me koncepte të qarta për organizimin e veprimeve të mirëfillta taktiko-operative dhe arritjen e qëllimeve të përcaktuara të LANÇ-it. Operacioni për çlirimin e Vishegradit më 14 shkurt 1945 ishte një nga operacionet kryesore që zhvilloi Ushtria N.Ç.SH brenda e jashtë vendit, duke zënë kështu edhe vend nderi në Epokën e ndritur të L.A.N.Ç-it si pjesëtar i denjë i Koalicionit Antifashist Botëror. Ky operacion bën pjesë në ata të fituarit, por njëkohësisht edhe me “kosto”, sepse në 26 ditët e mësymjes në terren të hapur e të mbuluar nga dëbora, të imponuar të fillonin veprimet sulmuese nga poshtë-lart kundër vijave mbrojtëse të parapërgatitura me fortifikimin e nevojshëm, pati dëme njerëzore të ndjeshme dhe të dhimbshme. (këtë fakt e pohon edhe Historia Botërore e Luftrave). Për çlirimin e Vishegradit dhanë jetën 119 partizanë përkatësisht: 29 të Brigadës VI; 48 të Brigadës VII; 30 të Brigadës VIII; 12 të Brigadës XXII, duke përfshirë këtu edhe vdekjet nga epidemia e tifos në zonën ku vepruan. Divizioni VI i U.N.Ç.SH edhe në këtë operacion i përmbushi me nder e lavdi detyrat ndaj popullit e Atdheut, por gjithësesi si pjesë integrale e Koalicionit Antifashist Botëror, duke dhënë kështu ndihmesë konkrete për çlirimin e Malit të Zi e të Bosnjës Jugore. Ky është një fakt historik i padiskutueshëm, i cili ne luftëtarëve/eve por edhe popullin tonë, na bën krenarë për përmbylljen e një epopeje të çmuar të L.A.N.Ç-it, por që çuditërisht edhe aktualisht në Shqipëri ekziston një heshtje e pakuptimtë. Nuk ka asnjë simbol, asnjë lapidar, asnjë memorial, asnjë pllakë përkujtimore që të përkujtojë 119 viktimat, ku ne bashkëshokët e tyre, që marrin ende frymë, të vemë të paktën një kurorë me lule në kujtim të jetës së tyre të re të vënë në altarin e lirisë të popullit.
*Ish-partizan i Br.VIII, veteran dhe invalid i LANÇ-it.