Kur presidenti i Greqisë i quan çamët kriminelë…

Nga Alfred Peza –

Ka kaluar çdo cak këtë radhë, gjuha e përdorur nga Presidenti i Greqisë gjatë një thirrje drejtuar qytetarëve të vendit të vet, për tu bashkuar në mbrojtje “pa lëshime të çështjeve kombëtare”.
“Nuk ka perspektivë, ecuri të Shqipërisë drejt zonës evropiane, kur për fat të keq, ende edhe sot nuk i ka braktisur kërkesat e pakonceptueshme të gjoja të drejtave të çamëve kriminelë, bashkëpunëtorë të nazistëve. Çfarë duhet të bëjmë, t’u japim të drejtë bashkëpunëtorëve të nazistëve?! Jemi absolutisht të sinqertë, qëndrimi ynë nuk ka asgjë hakmarrëse. Qëndrimi ynë kërkon respektin e së drejtës dhe të historisë,”-tha Prokopis Pavlopoulos.
Përdorimi i një gjuhe të tillë ekstreme dhe me tone kërcënuese është e papranueshme. Ajo nuk i bën nder mbi të gjitha Athinës zyrtare, e cila e konsideron veten si “djepin e qytetërimit perendimor”. Këto vlera, dy popujt tanë i mbrojnë sëbashku në NATO dhe sëshpejti edhe në BE.
Dikush duhet ti kujtojë z. Pavlopoulos se të drejtat e pamohueshme të çamëve nuk mund të asgjesohen me gjuhën e shekullit të kaluar.

SHKARKO APP