Kush është Ivanka Trump, vajza, këshilltarja dhe tanimë diplomatja e presidentit të SHBA?

Ishte vigjilja e hapave historikë të Presidentit Donald Trump me Korenë e Veriut dhe ndërsa delegacioni i SHBA ishte duke u rreshtuar për një foto me homologët e tyre të Koresë së Jugut në Shtëpinë Blu, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u shty pas grupit.

Trump dhe Presidenti Moon Jae-in kishin marrë vendet e tyre në qendër, pasuar nga gruaja e Moon, Kim Jung-sook. Zyrtari i ardhshëm i SHBA në foto nuk ishte anëtar i kabinetit të Trump ose ekipit të sigurisë kombëtare, por vajza e tij dhe këshilltarja e lartë Ivanka Trump.

Ndërsa kamerat u ndezën dhe Pompeo po sillej në mënyrë të çuditshme, vajza e parë, Ivanka kuptoi se Pompeo po përpiqej të zinte vendin që atij i takonte në foto. Më në fund ajo u zhvendos për të lejuar Sekretarin e Shtetit të merrte vendin e tij në foto.

Ky moment nënvizoi rolin jashtëzakonisht të shquar që Ivanka Trump ka luajtur gjatë udhëtimit të Trump në Azi: një vajzë e parë duke marrë në qendër të vëmendjes dhe detyrën e dëshirën e saj për të qenë një diplomate e kalibrit të lartë.

Në Uashington, zyrtarët e sigurisë kombëtare u habitën me vëmendjen dhe rëndësinë e madhe të Ivankës jashtë shtetit. Por ata që janë më pranë Presidentit e përshkruajnë atë si gjë të zakonshme.

Administrata e Shtëpisë të Bardhë e ka bërë të qartë që Ivanka nuk duhet të ngatërrohet me rolin që mban Gruaja e Parë e Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, Melania Trump nuk shkoi në Samitin e G20, dhe në vend të saj u paraqit Ivanka, edhe si pjesë e familjes presidenciale, por edhe si pjesë e delegacionit të Trump.

Kurrë më parë, një fëmijë i Presidentit të SHBA-ve s’ka pasur mundësinë, ndikimin dhe marketingun të krijonte një hapësirë në administratë, por Ivanka shfaqet në nivel të barabartë me zyrtarët e nivelit të lartë të qeverisë amerikane. Një shenjë e kësaj: përpjekjet e saj për të ndërtuar marrëdhënie me udhëheqësit botërorë në samite të tilla sikurse G20.

Gjatë udhëtimit katër-ditor, Ivanka Trump mori pjesë në takime të shumta bilaterale në G20 në Osaka. Ajo ishte në skenë për një forum për fuqizimin ekonomik të grave me kryeministrin japonez Shinzo Abe dhe mbretëreshën Maxima të Holandës, duke referuar për iniciativën e saj të Zhvillimit Global dhe Prosperitetit të Grave.

Ajo u shfaq në një video e publikuar nga Shtëpia e Bardhë duke dhënë një përmbledhje të një takimi trepalësh midis Trump, presidentit indian Narendra Modi dhe Abe, një përgjegjësi e kryer tradicionalisht nga një anëtar i stafit të sigurisë kombëtare.

Ivanka Trump gjithashtu udhëtoi me delegacionin në Seul, ku ajo mori pjesë në një darkë në Shtëpinë Blu, dhe pati aty një diskutim mbi gratë në ekonominë globale me Ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut Kang Kyung-ëha dhe vizitoi DMZ, ku babai i saj shtrëngoi duart me diktatorin Kim Jong Un dhe u bë presidenti i parë i SHBA që ka hyrë në Korenë e Veriut.

Edhe pse Ivanka është kritikuar jo pak nga kundërshtarët e babait të saj, për vizitat zyrtare që ajo bën, dhe që normalisht nuk duhet t’i bëjë, fakti mbetet se ajo është një ndër këshilltaret më të afërta të Trump. Kjo është një traditë që vazhdon që prej shumë kohësh, kur ajo këshillonte babain e saj për biznesin e pasurive të paluajtshme.  Kritikat që i shkojnë asaj është se ajo nuk duhet të përfaqësojë SHBA-në nëpër takime, për sa kohë që nuk mban një post zyrtar në shtetin amerikan dhe nuk është e zgjedhur. Megjithatë situata duket se nuk do ndryshojë dhe për sa kohë që Trump të jetë President, Ivanka do të mbajë postin e një diplomateje të lartë që konkurron madje dhe Pompeon.

/ SCAN

SHKARKO APP