Kush fiton nga fiktiviteti në arsim?!
Nga Fitnete Gruda
Sikur të mos mjaftonin disa problematika të fshehura në arsim që zbuloi covid-19, tani së bashku me Maturën Shtetërore (MSH) u zbulua fiktiviteti dhe falsiteti i tejskajshëm në arsim.E përfshirë në diskutim në vite me shqetësimin,në cilësinë me profesionin mësuese dhe ish drejtuese e cila ka ngritur zërin fort edhe në shtyp,mbi fiktivitetin e tejskajshëm në arsim,në rritje vit pas viti duke argumentuar me fakte bazuar në ecurinë e arsimit nëqytetin e Tiranës, në veçanti në shkollën ku unë kam punuar së fundmi,më del e drejta të them: “Ehh, kujt i ka interesuar të ndalojë fiktivitetin në arsim (autoriteteve të të gjitha niveleve)?!!! Askujt! Nëse do ti interesonte atyre që e kanë për detyrëta bëjnë do të merrnin seriozisht parandalimin e fiktivitetit,do të shikonin me gjakftohtësi mendimet e mësuesve apo aktorëve të tjerë të arsimit aq mëtepër kur flitet me fakte (që demonstrojnë) vërtetojnë fiktivitetin.Po kujt i nevojitet fiktiviteti ?! Fiktiviteti i nevojitet : mësuesit neglizhent, drejtuesit të shkollës (atyre që e kërkojnë), drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qeverisë me politikat e saj mbi arsimin. Të gjithë përfitojnë në një farë mënyre nga një realitet krejt ndryshe, përfshirë këtu edhe Inspektoret të ish Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë (DART) dhe drejtuesve të tij të cilët përfituan gradimin më të lartë- një fakt real. Ka mësues dhe drejtues që nuk e duan fiktivitetin dhe nuk durojnë dot situata në shërbim të fiktivitetit, por ata shtypen sepse janë më të shumtë ata që duan fiktivitetin shtuar dhe ata që nuk guxojnë të flasin.Matura shtetërore u krijua në vitin 2006 si një domosdoshmëri për një standard të ri vlerësimi- vlerësim real tëcilësisë në arsim për shkak të mungesës sëstandardeve të vlerësimit ku thelbi ishte lufta ndaj fiktivitetit. Përpos, vendosja e parimit meritë-preferencë për pranimet në shkollat e larta për të parandaluar korrupsionin në pranimet në shkollat e larta. Më pas këto standarde vlerësimi u përdorën edhe në provimet e lirimit (PL) për t’i shërbyer Maturës Shtetërore (MSH).Po serioziteti si i MSH dhe PL erdhi duke u zbehur nëveçanti vitet e fundit gati po bëhen të pabesueshme dhe “tymi“ i dolikëtë vit me tezën e gjuhës shqipe sipas medias, ku vetë maturantët guxuan mbase edhe për shkak të peripecive që kaluan për pasojë të tërmetit dhe covid-19. Për të justifikuar gabimet në tezë sipas medias,MASR “fshihet” mbas kompetencave që ka fituar nxënësi dhe pikërisht pas kompetencës: “Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar”. Por harrohet kompetenca :” Përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe (sintaksë. morfologji, leksikologji, semantikë, drejtshkrim, fonetikë dhe fonologji) dhe “kompetencën për jetën”, e cila të lë të kuptosh që nxënësit i kanë fituar gjersa vlerësojnë tezën -komentojnë, pretendojnë për gabime drejtshkrimore etj që ka në tezë. Por kjo hedh dyshime për papërgjegjshmëri ose kompetenca profesionale jo të mira të hartuesve të testeve. Gabimet në atë tezë nuk mund të kalohen me një frazë “gabime njerëzore“ aq më tepër kur janë shumë, sipas specialistëve, sepse nuk është një tezë për një test vjetor që hartohet nga mësuesi lëndor. Nëse këto gabime do të ishin gjetur gjatë një inspektimi në shkollë, tek një test i hartuar për një klasë nga mësuesi lëndor, çfarë do të kishte ndodhur me këtë mësues?!! Sipas meje nga eksperienca, ky mësues nuk do të kishte shpëtuar pa u penalizuar (vetëm nëse do të shpëtonte me forma të tjera); ndërsa flitet për test mature dhe anashkalohet thelbi nga MASR-ja kur nxënësit nuk pretendojnë që kjo tezë ishte e vështirë, as e ngarkuar (siç ndodh në rast justifikimesh rëndomë), por kërkojnë një tezë cilësore, hartuar në bazë të standardeve, një prej të cilëve është t’iu përgjigjet tek programet lëndore. Nuk është hera e parë që ndodhin gabime në hartimet e tezave edhe në PL-it edhe në matematikë, madje vitet e fundit ka humbur besueshmëria në provimet shtetërore (MSH, PL, dhe provimi në fund të klasës së pestë) pasi nuk kanë qenëtestime me integritet dhe mungesa e integriteti sjell fiktivitetin. Testimet fiktivë çojnë në analiza fiktive dhe përfundime jo reale që do të thotë;- Nuk do të dihet se cilat janë shkollat, klasat, nxënësit, mësuesit shumë të mirë, …, apo të dobët ,por penalizon dhe demoralizon ata siç ka ndodhur të paktën në ish DAR Tirana, jo pak herë. Sa keq më vjen për maturantët në këtë vit ku përfshihen edhe ish nxënësit e mi! Ata nxënës që kaluan një stres edhe në testin e matematikës në PL-it, për shkak të një teze penalizuese në hartim;për shkak të papërgjegjshmërisë së ish DART në administrim të PL dhe korrigjime; për shkak se unë isha mësuesja e tyre dhe DART dhe drejtori shkolle duhet të përdornin uljen në notë të nxënësve për tu hakmarrë ndaj meje si një zë kritik. Sa keq më vjen për prindërit – atë pjesë që kurrë nuk e kuptuan fiktivitetin dhe të vërtetat e dhimbshme në shkolla por disa viheshin në gjumë me notat fiktive të fëmijëve – edhe ata që kuptuan e nuk guxuan të flasin! Sa keq mëvjen, që kurrë nuk u dëgjova por u sulmova në format më të këqija duke u flakur në rrugë nga drejtues injorant dhe i komanduar madjehakmarrje të vazhdueshme tek familjarët e mi nga shërbëtorët e pushtetit!Në vijueshmëri kam ngritur problemet e fiktivitetit në shkollë e më gjerë në arsim, problemet e fiktivitetit në PL me fakte si mësuese dhe nëMSH si prind por askush nuk deshi t’ia dijë.Është tjetër të japësh një opinion mbi një fenomen dhe tjetër të thuash të vërtetat dhe këtu është ndryshimi. Sa keq më vjen që kurrë nuk u dëgjuan kur folën profesorë, ekspertë tëarsimit, mësues apo dhe drejtues që guxojnë! Kujtoj që në vitin 2018-të,doli një mësuese në media për të denoncuar dallaveret që bëheshin gjatë korrigjimeve të provimit të lirimit të matematikës në qytetin e Tiranës dhe problemet në formulimin e tezës, pasi ia kishte bërë prezent inspektoreve të drejtorisë arsimore. Por askush nuk e dëgjoi.. Më vjen keq për ata mësues që nuk flasin dot ,ndoshta me tëdrejtë, por kur tallen me ata që flasin thjesht sepse tallet drejtuesi apo inspektori i DAR (fajtorët) -kjo është e pafalshme! Sa keq më vjen për arsimin- ku po shkon! Sa mirë më vjen që e vërteta mbi provimet e lirimit dhe MSH sapo ka filluar të dal.Sa mirë më vjen që fiktiviteti ka filluar t’i tund sadopak edhe rangjet më lartë se shkollat.Përse u nevojitet fiktiviteti?! Fiktiviteti fsheh: a)shkallën e cilësisë në shkollë dhe në arsim; b) rezultatin real, fsheh çdo gjë që nuk funksionon në shkollë; c) frytshmërinë ose jo frytshmërinë e kuadrit. Shkallën e zhvillimit profesional të tyre; d) frytshmërinë ose jo frytshmërinë e reformës së teksteve; e) ecurinë e çdo reforme në arsim; f) Fiktiviteti bën jetëgjatë drejtues matrapazë, një shembull i së cilës është shkolla 9-vjecare “MarieLogoreci”- rasti i fiktivitetit dhe formalitetit qesharak. g) Fiktiviteti me rezultate më të larta nga realiteti, vë prindërit në gjumë duke menduar se gjërat po shkojnë normalisht drejt një cilësie të lartë; h) Nxënësit marrin masivisht mësimin se me mashtrime mund të ecet në jetë por edhe duke korruptuar; etj… Provimet e MSH të vitit shkollor të sapo mbyllur, mjaft të përfolura dhe në media, lehtësisht na lënë të kuptojmë që mund të mendohet nga gjithkush për fiktivitet në përmasa jo të vogla aty-këtu dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për një analizë serioze të cilat çojnë shpesh në bërjen e selektimeve dhe nuk çojnë në zbulimin e shkaqeve të vërteta. Që të mos ndodhin më këto situata në tezat e provimeve kombëtare mendoj se, duhet të ketë transparencë për hartuesit e testeve
, mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së tyre, personat përzgjedhës. Kësisoj, në rastet problematike të tezave del përgjegjësia. Është e rëndësishme që hartuesit e provimeve kombëtare të njohin programet lëndore sepse tekstet ka vite që nuk janë unike në të gjitha shkollat për të njëjtat klasa (Alterteksti). Gjithashtu vlerësimi fiktiv i mësuesve çon dhe përzgjedhjen jo reale kur nevojiten mësues rezultativ për hartim testesh etj.Zbutja e fiktivitetit do të fillojë, nëse politikat arsimore do të jenë qartësisht të realizueshme; nëse institucionet duke filluar nga MASR, ZVA, drejtori shkollash nuk do të pretendojnë shifra të larta rezultatesh gjë që shtyjnë më pas mësuesit të tentojnë shifra fiktive.