Kushtuar Hysni Milloshit, në 6-vjetorin e ndarjes nga jeta

Poeti që la mallin e zemrën këtu

Nga Ismail Metaj

Ismail Metaj

Jetojmë me ndryshimin dhe pak e përjetojmë atë, por e vërteta është se ndryshimi vjen si risi e evolucionit. Duket se dhe stinët kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar njerëzit. E çuditshme kjo botë. Na merr malli për gjithçka kishim, por me shumë për ata që na mungojnë. Na merr malli vërtetë shumë për ata njerëz që ju kishte hije fjala e vepra dhe që nuk janë më mes nesh. I tillë ishte Hysni Milloshi, i cili u nda krej pa pritur prej nesh vite më parë. Sot e ndjejmë mungesën e tij fizike, fjalën, por ndjejmë shpirtin e tij të madh, fisnikërinë e tij, thjeshtësinë, mençurinë dhe dashurinë njerëzore, që ai rrezatonte. I jashtëzakonshëm për nga vlerat që kishte dhe transmetonte, i matur, guximtar, fjalëpak e mendjehollë, që dinte të rrinte kudo dhe ishte i aftë t’i jepte përgjigje cilitdo, i çdo moshe qoftë, sepse ai fliste këmbëkryq me njerëzit, fliste gjuhën e tyre. Ai ishte simbol i njeriut të mirë, që tretej çdo ditë nga pak në vetvete për tu dhënë të tjerëve qetësi e shpresë për të ardhmen.

Ai kishte mallë për Macukullin ku u lind, ndjente mallë për gurët, pyjet, ajrin, njerëzit, plakun e moçëm, të riun, legjendat, luftërat, folklorin, zakonet e traditat shekullore, ndjente mallë për Labërinë e Vlorën, ndjente mallë për Bajram Currin e Isa Boletinin, Hasan Prishtinën… Kishte mallë për njerëzit e thjeshtë, mallë e dashuri për të gjithë, nga Çamëria e në Mitrovicë, për Kosovën e shqiptarët kudo që janë me trojet e rrënjë.

Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare ishte e shtrenjtë dhe e shenjtë për ‘të. Mendja e tij punonte orë e çast për atdheun, për popullin e tij, për ditë më të bardha.

Ai nuk dinte të urrente, por te çdo njeri ai gjente një vlerë, ndaj ulej gju me gju me njerezit e thjeshtë, i dëgjonte ato me aq dashuri dhe bëhej një me hallet dhe shqetësimet e tyre të përditëshme. Rrallë kush si Hysni Milloshi i shkroi atdheut të vet me aq dashuri e dhimbje në 50 vitet e fundit?

“Me një zemër majë shpatës, këmbëzbathur mbi flori, ngriheshe mbi mal legjendash e qefinin mu në gji,

sa kish deti ujë e valë, yje qielli i paanë, / mëmëzote, lokemadhe ti ke patur kapedanë.”

Botimet e tij të para në poezi si: “Dëshira të një skënderbegasi”,”Vatra e kuqe”,”Pushka dhe poeti”, “Djaloshi nga Dropulli”, “Tek postblloku pret një vajzë”, “Me dëborë mbi supe”, dramat e tij “Vajza e komitit”,“Komandanti i lirisë”, “Komediani në mal”, “Familja Bulku”, librat politike “Shqiptari i madh Enver Hoxha”,”Komisari i epokës”, romani “Skënderbegasit e vitit 1946” etj, por mbi të gjitha spikat poema “Atdheu”, e cila pa dyshim përbën një nga perlat e letërsisë shqipe, por që fatkeqësisht është lënë qëllimisht në hije, për shkak të mesazhit që jep dhe interesave meskine të kritikes letrare. Ja si shkruan:

Atdhe, atdhe, që Europën dikur në djep përkunde / si vallë mirënjohje prej saj kurrë të gjeje nuk munde?

Ti Botën ushqeve pareshtur me gjak e heronj të begatë / po bota përse të ushqeu përherë me natë e me plagë?

Lexojmë sot dhe na vjen mirë tek mbushen gazetat me krijues të rinj e mjaft botime dinjitoze, ashtu siç na vjen keq që lihen në harresë vlera të jashtëzakonshme të krijuesve të mëdhenj, mes tyre dhe veprës së Hysni Milloshit. A mos vallë duhet të presim gjatë për tu rikthyer atëherë sirtareve të harruar të bibliotekave? Desha tu bëj një apel shumë njerëzor poetëve e shkrimtarëve të mëdhenj, kritikës letrare, që të nxjerrin nga terri krijimtarinë letrare Hysni Milloshit. Të tillë miq e shokë si: Dritero Agolli, Lirim Deda, Arben Duka, Xhevahir Spahiu, Agim Doçi, Zija Çela etj, por dhe artistëve të mëdhenj të interpretimit të fjalës poetike si Reshat Arbana, Timo Flloko, Tinka Kurti e të tjerë, të cilët do t’i bënin nder brezave, atdheut.

Hysni Milloshi ishte poeti që i këndoi luftrave e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e zhvillim, i këndoi vegjëlisë, pjesë e së cilës ishte edhe ai vetë, dashurisë si një Esenin i vërtetë. Iu këndoi të rënëve për atdhe, trimave që me gjakun e tyre shkruan historinë që ne sot jetojmë, i këndoi atdheut, të cilin ai e deshte aq shumë me po aq dashuri e dhimbje, siç shkrojtën dikur rilindsasit e mëdhenj.

“Nënë moj, do pres gërshetin, / e do dal malit përpjetë, / shokë e shoqe po me presin, / atje lart ku puthen retë,

në mu kalbtë rripi i pushkës  /  nënë moj në shi, në erë,  /do ta lidh në ballë të luftës / me gërshetin tim të prerë”,

“Kasollja e Galigatit”, “Një djep në barrikadë”… jehonte zëri brilant i të mëdhenjëve Vaçe Zela, Avni Mula e Marinda Grabovari, që këndoi të vetmen këngë fituese të Festivalit Kombëtar të Këngës në RTSH etj, u bënë himne për brezat, pasi aty ishte shpirti i shqiptarit të mirë që shpërthente në skenë e ngrinte zemrat peshë si kushtrim për brezat që do të vinin pas.

Eh, sa shumë na mungon Hysniu ynë i shtrenjtë! Na mungon tani që s’e e kemi, madje na mungon të gjithëve, edhe atyre që e paragjykuan në bindjen e tij sa ishte gjallë. Na mungon fisnikëria e tij e rrallë, guximi prej njeriu që nuk u step kurrë për të thënë e paralajmëruar ngjarje të errëta, aftësia e tij për të imponuar respekt te secili, njeri që kurrë nuk i binte gjoksit, por ama edhe kurrë nuk e ktheu shpinën. I mungon kohës për të cilin kishte sot nevojë. Ai shkruan:

Ndër kohëra të errëta, sa larg, ta vodhën, atdhe historinë

që shkroi Iliria e madhe, t’ia vjedhin pastaj edhe etninë,

heronj e lavdi pa kufi t’i vodhën hajdutët barbarë

që vinin nga pole pa emër, pa gjuhë, pa shpirt e pa farë…

Në krijimet e tij gjen Eseninin që flet shqip. Do të na mungojë neve që u rritëm me Hysniun, atyre që e njohën nga afër dhe Iarg, do t’iu mungojë shumë atyre bashkëpunëtorëve e bashkëluftëtarëve të idealeve të tij, që e deshën vërtetë shumë e mbështetën me gjithë shpirtin e tyre në përpjekje të vështira e të guximshme, atyre që e nderuan, derdhën lot, vendosën lule e u përulën përpara tij. Do t’iu mungojë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen ky symbol i shqiptarizmës, që atdheun kishte mbi gjithçka.

Tre vite më parë, në elegjinë për Hysni Milloshin, miku i ngushtë i tij, poeti i madh Arben Duka, ndër të tjera shkruan:

“Qaj moj Shqipëri, djepi i kreshnikëve, / se tu shua sot kreshniku i kreshnikëve, / shkoi Hysni Milloshi si ylli mbi re, / ai që të deshte më shumë nga të gjithe ne”.

SHKARKO APP