Leksionet e tepruara të Bashkimit Europian

Nga Federico Fubini

Përpiquni për një moment të imagjinoni panoramën europiane nga kati i trembëdhjetë i Berlaymont-it, në Bruksel. Aty mblidhet çdo javë Komisioni Europian, praktikisht rreth 50 herë në vit.

Ajo që do të shihni është një shfaqje që nuk mund t’ju japë siguri: është konvergjenca e tre problemeve të rënda gur, që vijnë nga kryeqytete të ndryshme dhe mblidhen në tryezën e rrumbullakët të asaj salle; por edhe në atë të ndodhur në pallatin nga ana tjetër e Rue de la Loi, ku udhëheqësit dhe ministrat e qeverive evropiane presin t’u paraqiten hipoteza bindëse zgjidhjeje. Tre problemet në fjalë – pjesërisht të ndara nga njëra-tjetra e pjesërisht jo – mbushin kronikat e mediave të botës prej disa muajsh: largimi gjithnjë e më me ankth i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ndërsa Londra rrezikon të humbasë kontrollin; deficiti i Italisë, në kundërshtim me rregullat europiane, nën retë e tregjeve financiare dhe të recesionit në horizont të Brexit-it kaotik; revolta e “jelekëve të verdhë” që rrezikon të paralizojë presidentin Macron dhe po e shtyn të ofrojë para për të qetësuar protestën, duke rritur kështu deficitin.

Do të ishte e ndërlikuar përballja me vetëm njërën prej këtyre sfidave. Në fakt, të tria peshojnë njëkohësisht në tryezat e Brukselit, ku bëhen propozimet e Komisionit dhe qeverive të vendeve anëtare. Nuk merret në konsideratë fakti se ata që vendosin në Europë janë qenie njerëzore si të tjerët, të nxitur nga një përzierje mes përllogaritjeve dhe emocioneve si frika. Instiktivisht, edhe ata kanë tendencën për të minimizuar rreziqet e menjëhershme për veten e tyre. Nuk duan të thuhet se ata kanë vepruar në mënyrë arbitrare duke shkelur procedurat ose duke e detyruar orientimin e përgjithshëm.

Ata nuk duan akuza se kanë shkuar kundër rrymës, nëse nuk ka pasur një fund të lumtur. Ata nuk duan të jenë të tillë që, duke bërë lëshime, të zbulojnë se sistemi evropian nuk është prej graniti, por edhe mund të shantazhohet. Pastaj nëse janë liderë kombëtarë, nuk duan t’i sfidojnë ata që i kanë zgjedhur me votë. Ky instinkt natyrisht merr forma të ndryshme në raste të ndryshme dhe në rastin e Francës i nxit shumë që të mos e pengojnë përpjekjen e Macron për të modernizuar vendin. Basti i presidentit të ri është shumë i rëndësishëm për mbajtjen e euros, tepër i rëndësishëm për një Gjermani që nuk dëshiron të projektojë imazhin e vetvetes si liderja e vetmuar në Evropë. Që nga viti 2007, të ardhurat për banor të francezëve janë rritur me 0.4% në vit, gjysma më pak e pasur e vendit ka humbur terren.

Kjo i jep kuptim faktit që Macron mbështet të ardhurat, ndërsa përpiqet të vërë në zbatim reforma të vështira: edhe nëse, gabimisht, kjo rrugë tashmë është përjashtuar, në të kaluarën, në vende të tjera evropiane. Në lidhje me Italinë dhe në Britaninë e Madhe, në anën tjetër, logjika e përbashkët e Brukselit sot lëviz në drejtim të kundërt. Për t’u dukur të çimentuar, në 2016 ata i mohuan kryeministrit David Cameron ato pak lëshime që do ta kishin ndihmuar ta fitonte referendumin, duke parandaluar Brexit-in. Tani pas refuzimit a priori për të rinegociuar marrëveshjen e largimit të Londrës, ku Parlamenti është në revoltë, shohim një dëshirë të papërshkrueshme për t’i dhënë asaj një mësim duke i treguar koston e shkëputjes nga BE-ja.

Sikur Bashkimi të mbështetej te frika dhe jo mbi pasione dhe interesa pozitive. Sikur ndarja historike me Britaninë, me një kosto shumë të lartë për të gjithë, nuk premtoi prishje gjakrash dhe probleme të tjera për shumë vite të ardhshme. Edhe në rastin e Italisë, ideja e dhënies së një leksioni qëndron pas derës. Buxheti i paraqitur nga qeveria është i papërshtatshëm: përpiqet të shpërndajë para në një kohë deficiti, pa asnjë vizion për të ringjallur një vend që ka nevojë dëshpërimisht. Por, pas “jo”-së, çfarë u propozon Brukseli italianëve, të ardhurat e të cilave kanë rënë me 6% që nga viti 2007? Garancia e depozitave evropiane është shtyrë përsëri, një fond i risigurimit mbi papunësinë është përjashtuar (kjo do ta amortizonte krizën), i paqartë dhe minimalist projekti i një bilanci anti-shok në eurozonë. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë nga këto. Ka mbyllje që shpeshherë duken jo më pak nacionaliste dhe oportuniste se ato të vetë populistëve. Ka një narrativë moralizuese për llogari të të gjitha vendeve, të cilat përfundojnë duke zbuluar një kompleks intrigues superioriteti. Mësimi shembullor është i mirë, por më vonë çfarë do të ndodhë? / Corriere della Sera-TemA TV /

SHKARKO APP