Letër tim biri për ditëlindje, në kohë karantine
Pedagogu dhe Kryetari i partisë Lëvizja e Re (LRE) Arian Galdini ka postuar ditën e sotme një letër drejtuar djalit të tij Martinit, i cili sot ka ditëlindjen dhe mbush 3 vjeç.
Kjo letër e Galdinit për të birin, është e mbushur me emocione të larta, sidomos në këto ditë të vështira kur bota është pllakosur nga pandemia e Covid 19.
Edhe Shqipëria po kalon ditë tejet të vështira ndërsa të gjithë shqiptarët po kërkohet të qëndrojnë të vetëizoluar në shtëpi.
Pikërisht në këto momente dhe nën këtë atmosferë ka ardhur edhe kjo letër e Arian Galdinit për të birin, një letër kjo që të mbush me emocione dhe duhet lexuar patjetër.
Ja edhe letra e plotë e Galdinit për të birin:
Lëtër tim biri Martinit për Ditëlindjen e tretë!
Martinatori i babit,
Ti ke lindur i veçantë.
Isha atë ditë në dhomën e spitalit kur ti pritej të vije mes nesh.
Orët kalonin e ti po vonoje.
Tensioni në sytë dhe bisedat nën zë të doktoreshës dhe mamisë që po të prisnin, dëftonin se diçka nuk po shkonte.
Na thanë se kordoni të ishte ngatërruar keq në qafë e duhej të konsultoheshin e mernin disa vendime.
Kur erdhi çasti, unë ndiqja me sy plot lëvizjet e doktoreshës dhe mamisë e vëreja se puna me ty nuk ishte edhe aq e lehtë.
Faleminderit Zotit, gjithçka shkoi shkëlqyeshëm.
Ti dole dhe unë të shoqërova në dhomën ku të pastruan për herë të parë dhe të bënë gati për takimin tënd me mami Xherinën.
Të mbajta në krahë dhe e ndjeva se ne të dy do të bëheshim po aq shokë të ngushtë sa unë isha bërë me vëllain tënd të madh Davidin.
Që nga ai 15 mars 2017, nuk ka pasur ditë të mos kesh bërë diçka prej Martini, ti.
E gjërat prej Martini janë çapkënërira që neve na habisin, gëzojnë, lodhin, rraskapisin, lumturojnë.
Ti je Biri i Tërbuar i babit, prandaj edhe unë të thërras Tërbiri.
Ti je Terminatori i babit, prandaj unë të thërras Martinatori.
Në 24 orë që ka një ditë, nuk ekziston 1 sekondë që ti të mund të jesh pa bërë diçka.
Ose do kërcesh, ose do shkosh të ndihmosh mamin apo babin kur lajnë enët dhe do të na i thyesh gjithmonë diçka, ose do shpërndash lodrat në çdo cep të shtëpisë duke e deklaruar si territorin tënd, ose do zhgarravitësh çdo mur e mobilje të mundshme, e të tilla gjëra, pafund.
Je i papërballueshëm Martinush, ama je bekimi i jetës sonë.
Kur të shoh këto ditë në shtëpi, 24 në 24, pa dalë asnjë sekondë, mendoj se sapo të mbarojë ky vetëqëndrimi ynë brenda për shkak të Koronavirusit, do të na duhet të mendojmë sesi të blejmë një shtëpi të re. ?????
Po po, do të na duhet një shtëpi e re ose një rimobilim e ndreqje totale e shtëpisë, sepse Martini dhe Vetëizolimi janë si ato filmat që sheh ti në celularin tim birush ku Hulku hidhet mbi makinë dhe ulëret me sa ka në kokë : Smash (Do ta thyej fare), Smash, Smash.
Vetëizolimin nuk e thyejmë dot, kështu që ti ia ke nisur ta hedhësh shtëpinë në tokë. ????
E megjithatë, ti je mrekullia e Zotit në shtëpinë tonë.
Ti je i veçantë, zemra e vogël e babit.
Sepse ti jeton me kaq shumë energji dhe liri brenda teje sa të duhet parreshtur të shprehesh.
E gjithë kjo harlisje e çdosekondshme që ti ke, rrëfen në sytë tanë një Martin magjik, plot imagjinatë dhe bukuri brenda tij.
Kur ne të shohim herë të habitur, e herë të shqetësuar, herë të mahnitur e herë të rraskapitur, që ti të jesh ti në çdo sekondë të çdo dite, ne nuk rreshtim gjithashtu së qenuri të lumtur dhe me dashuri pafund për ty.
Ti je i veçantë Martin.
Ndaj edhe këtë 3 vjetor e ke unik si pak njerëz në këto kohë karantine globale….
Ti doje të bëje një ditëlindje plot kaos me Minions dhe Hulk, me Spiderman dhe Pikimons (Mickey Mouse, çudi sepse ky është i vetmi personazh të cilit ti ke qejf ti vësh emrin sipas dëshirës tënde dhe e ke ndarë mendjen ta quash veç Pikimons).
Nuk do të mundemi sot.
Sepse ti je i veçantë.
Edhe kur nuk të plotësohen dëshirat, ndonjëherë thjesht do të thotë se je i veçantë.
Kur bota ka mijëra vjet që jeton me maska që nuk duken për të fshehur vetveten, ti e feston ditëlindjen në ato pak ditë kur të gjithë i vendosin maskat haptazi.
A nuk është e jashtëzakonshme kjo?
Kur bota ka mijëra vjet që i ka bërë njerëzit me 10 personalitete, 1 për shtëpi, 1 për punë, 1 për miqësi, 1 për sajdisje, 1 për dallfisje, 1 për Facebook, 1 për Instagram, e kështu me radhë, dhe kryesisht veten e lënë krejt vetëm e të strukur në shtëpi, për të dalë jashtë me personalitetet e tjera të tyre, ti e ke ditëlindjen në këto pak ditë kur të gjithë njerëzit bashkë me veten dhe gjithë personalitetet e tyre rrinë në shtëpi.
A nuk është magjike kjo?
Ndoshta këto ditë do të na shërbejnë të gjithëve për të njohur më mirë vetet tona e tu bëjmë e japim vendin që u takon veteve tona.
Sikur kjo të ndodhë, e pas karantinës, shumica e njerëzve të fillojnë të dalin me vetet e tyre nga shtëpia, a nuk do të kishim një botë të mrekullueshme?
Jam i sigurtë se ti nuk do ta harrosh kurrë këtë 3 vjetor.
Nuk ka Minions e as Pikomons, nuk ka lojëra e as njerëz për të festuar.
Ama jemi ne me vetet tona.
Duhet të mësojmë të festojmë për vetet tona dhe me vetet tona.
Është gjë rallë kjo kur ndodh.
A nuk mezi presim ne fundjavat që të rrimë pak bashkë me njëri tjetrin?
A nuk mezi presim ne festat e fundvitit që të rrimë pak bashkë me njëri tjetrin?
A nuk mezi presim ne pushimet e verës që të rrimë pak bashkë me njëri tjetrin?
Ja kështu duhet ti shohim edhe këto ditë vetëqëndrimi në shtëpi, si dhuratë që na bëhet nga kohë e ditë të vështira.
Është dhuratë.
Dhe ndonëse sot ti nuk do të hapësh dot dhurata për ditëlindjen tënde, ne besojmë se koha që po kalojmë bashkë si familje, këto ditë, është dhurata jonë e përbashkët.
E sheh që ti je i veçantë?
Edhe pse sot ti duhej të kishe dhurata veç për veten, ditëlindja jote është dhuratë për të gjithë ne, në ditë dhuratë për ne që ti kalojmë veç së bashku.
Gëzuar ditëlindjen birush.
Të dua pafund Tërbiri im i veçantë.
Babi