Lezha një atraksion turistik gjithë vjetor…

Nga Martin DEDAJ-Përmes këtij shkrimi që shërben edhe si një ofertë për të vizituar Lezhën jam përpjekur që të marrin përgjigje pesë pyetjet magjike të gazetarisë; Ku-Si-Çfarë-Kur-Pse, që do të bëjnë të mundur të japin një panoramë të shkurtur për Lezhën, të cilën e them me bindje se e njohim pak edhe ne që jetojmë këtu dhe lëre më të tjerë vizitorë apo turistë qofshin ato!
I. Ku ndodhet lezha, dhe disa të dhënë të përgjithshme…
I.1. Vendndodhja
Lezha ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë, në jug të fushës së Shkodrës në gjërësinë gjeografike veriore 41° 57’ 30” e 41° 39’ 45” dhe gjatësinë gjeografike 19° 32’ 20” e 19° 53’20”. Me një sipërfaqe prej 478 km2 dhe popullsi108686 banorë dhe 30708 familje (01.01.2017). Bashkia Lezhë ka në vartësi dhe administrimin të saj, qytetin Lezhë dhe 9 njësi administrative. Largësia e Lezhës me kryeqytetin Tiranë është 60 km dhe me qendrat administrative si vijon; Balldreni 6 km, Shëngjini 7 km, Kallmeti 10 km, Ungrej 26 km, Zejmeni 9 km, Shënkolli 11 km, Blinishti 21 km, Dajçi 23 km, Kolshi 2 km. Çdo vizitor mund ta eksplorojë territorin e Lezhës brenda një kohë të shkurtur, falë infrastrukturës rrugore që ka. Lezha ka një pozicion të favorshëm gjeogafik në Shqipëri, dhe ndodhet në kryqëzatën e të gjitha arterieve të transportit; rrugor, hekurudhor, detar, ajror, duke shërbyer si nyje lidhëse e kryqëzatës Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim.
I.2 Historia
Lezhë e qytetërimit të lashtë dhe modern 2400-vjeçare është një trevë e lashtë, historia e së cilës përfaqëson një areal të veçantë dhe karakteristik me pasuri të rralla traditash; historike, pasurish dhe burimesh të larmishme arkeologjike, etnologjike, gjuhësore, folklorike, kulturore etj. Trualli i Lezhës përfaqëson një zonë tipike të historisë dhe kulturës sonë kombëtare, ku në një pëllëmbë vend manifestohet ai tipar i përgjithshëm i historisë dhe kulturës sonë kombëtare, të cilën Prof. Dr. Eqerem Çabej e ka karakterizuar si “UNITE DANS LA DEVERSITE”, “Njësi në ndryeshueshmëri”. Qyteti antik i Lissusit është themeluar në vitin 385 para lindjes së Krishtit, i njëkohshëm me Lissusin është edhe Nimfeumi ose Shëngjini i sotëm.
Shpirti krijues i këtyre banorëve ka bërë që të ruhet ndër shekuj historia, kultura, tradita, besa dhe bujaria, gjuha doket dhe vlerat e një qytetërimi të hershën që vjen i tashëguar ndër breza, që nga lashtësia pagane e qytetërimit kristian dhe pasurohet me qytetërimin modern e bashkëkohor për të mbërritur deri në ditët tona. Lezha është trualli i lashtësisë dhe historisë, arkeologjisë dhe legjendave, e besës dhe burrërisë, zanave dhe shtojzavalleve, mikpritjes dhe bujarisë, e kalave dhe kishave monumentale, kulturës dhe etnografisë, bukurisë dhe peisazhit, detar, lumor, lagunor, luginor, fushor, kodrinor dhe alpin, që përfaqëson në vetëvehte një vend me mjaft interes për tu njohur dhe shumë i bukur për tu vizituar në të gjitha stinët e vitit. Në Lezhë më, 17 janar 1468, vdiq heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti. Varrimi i tij u bë në kishën e Shënkollit në Lezhë, vend në të cilin në nderim të qëndresës së tij në mbrotje të krishtërimit dhe çeshtjes kombëtare, në nëntor të ‘1983 është ngritur Memoriali i tij.
Në rrethin e Lezhës ndodhen një sërë objektesh të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare duke përmendur së pari Kalanë Mesjetare Iliro-Arbnore të Lezhës, historia e së cilës futet thellë në lashtësitë e shekujve, që nga shekulli i VIII-të, e njëkohshme me kalatë e tjera të asaj periudhe; Rozafat, Danjë, Krujë, për të vijuar me Obeliskun e Lidhjes së Lezhës të 2 Marsit 1444; Kalatë e Komlikut dhe Kastrit; Memorialin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti (n.v.1983), Kishën e Shën Gjon Kryepremit apo Shën Gjon Pagëzuesit, ku u mbajt Kuvendi i Arbnit, i dyti për nga rëndësia kombëtare, 300-vjetorin e të cilit më 14 Janar 2003 e kremtoi me madhështi Këshilli i Qarkut Lezhë në bashkëpunim me Konferencën Ipeshvnore Shqiptare, ku së bashku më Profesor Pashk Bibën patëm nderin të ishim organizator të këtij aktiviteti, i vetmi i këtyre përmasave zhvilluar deri më sot, duke dëshmuar potencialin e burimeve njerëzore vëndase.
Lezha është një nga trevat më të veçanta të Shqipërisë dhe e pakrahasueshme sa i përket trashëgimisë historike e kulturore, që e identifikojnë si një vend me potenciale të mëdha turistike, që afron turizëm të shumllojshëm e të larmishëm, dhe mjaft joshës për tu vizituar përgjatë gjithë vitit. Qyteti Lezhë është qendër e bashkisë Lezhë, Këshillit të Qarkut, Prefekturës, dhe një sërë institucionesh të tjera lokale dhe rajonale. Territori i bashkisë Lezhë paraqet një larmi etnografike që bashkon tre treva etnokulturore të rëndësishme në rrafshin kombëtar; Mirditën, Zadrimën dhe Malësinë e Madhe, por ka dhe etnitete të tjera pothuajse nga të gjitha trevat e Shqipërisë së Epërme, si Dibranë, Pukjanë, Tropojanë, Matjanë, Dukagjinas, Kuksianë, Hasianë etj, si dhe “oaze” të veçanta etnografike siç janë Kallmeti dhe Pllana. Gjuha bazë në të folur është gegnishtja ndërsa në të shkruar letraja shqipe. Lezha dallohet për një shumllojshmëri të madhe veshjesh dhe ornamentesh të ndryshme me origjinë të lashtë. Nuk është i rastësishëm fakti që në gjitha festivalet folklorike kombetare, që nga viti 1968 e deri më sot, pikërisht për larminë etnografike që mbart, Grupi Folkrorik i Lezhës është vlerësuar me çmim të parë në këto festivale, si dhe ka marrë edhe çmime ndërkombëtare.
Lezha ndër shekuj ka skalitur emrin e saj; “Lezha e Kuvendeve”, për vetë faktin se në këtë trevë janë mbajtur kuvende të rëndësishme kombëtare si: Kuvendi Historik i Lezhës, njohur ndryshe edhe si “Lidhja e Lezhës” apo “Besëlidhja e Lezhës”, ku heroi ynë kombëtar, kalorësi i krishtërimit Gjergj Kastrioti Skendërbeu më, 2 Mars 1444 bashkoi princat shqiptar në luftën antiosmane, Kuvendi i Arbërit, njohur ndryshe “Koncili i Arbërit” mbajtur në fshatin Mërqi të Kallmetit të Lezhës më, 14 Janar 1703 nën kujdesin e Papa Klementit XI Albani, kuvend që pati një rëndësi të madhe për faktin se kishte si qëllim kryesor mbrojtjen e identitetit dhe gjuhës sonë kombëtare, Kuvendi i Kallmetit, Kuvendi i Zejmenit, Kuvendi i Tërthores së Dibrrit etj.
Në truallin e këtij rajoni zënë fill shkollat e para shqipe në rafshin kombëtar, siç janë shkollat e Pllanës dhe Velës të vitit 1638, shkolla e Blinisht të Zadrimës e vitit 1639 që janë ndër të parat shkolla shqipe pas asaj të Shnapremtes së Kurbininit e vitit 1632. Në familjen e Ndue Marka Jak Bajraktarit që banon në qytetin e Lezhës, ruhet një flamur mbi 150-vjeçar me mbishkrimin “MIRDITA”. Banorët e këtij rajoni kanë trashëguar ndër vite një bashkëjetesë të admirueshme ndërfetare.
I. 3 Relievi Klima Burimet ujore etj…
Larmia e relievit, klimës, topografisë, gjeologjisë, gjeomorfologjisë, burimeve ujore, reshjeve, temperaturave etj krijojnë kushte të favorshme për gjallesën e një shumëllojshmërie të florës dhe faunës tokësore dhe ujore, të egra dhe të buta. Elementët fiziko-gjografik të territorit të qarkut të Lezhës, gërshtuar me njëri-tjetrin, si dhe me florën dhe faunën dhurojnë peisazhe dhe bukuri mahnitëse, që stimulojnë kryesisht zhvillimin e turizmit dhe atë të agrobiznesit në këtë rajon, si dy burime të rëndësishme të ardhurash për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të banorëve të këtij rajoni dhe zhvillimin e tij. Relievi i territorit të Lezhës përbëhet nga;
a. Relievi malor ku dallojmë zonën malore të Kashnjetit me gjithë bjeshkën e vet në lindje, për të vijuar në perëndim me vargmalet e Kreshtës që fillojnë nga veriu me malin e Hajmelit, dhe në Jug me malin e Potit, malin e Patokut, kreshtën e Troshanit të cilat lidhet me majën e Zezë, ku zë fill malësia e Lezhës, maja më e lartë e të cilës arrin në 1175 m mbi nivelin e detit. Malësia e Lezhës vazhdon më në jug me kreshtën e Molungut e cila shtrihet deri në luginën e lumit Mat. Pjesë e relievit malor të Lezhës janë edhe mali i Rrencit, mali i Kakarriqit, kodrat e Zadrimës, mali i Kastriotit (Kallmet), Mali i Mërqisë (565 m mbi nivelin e detit), apo siq quhet “Piramida” që i rri mbi krye qytetit të Lezhës.
b. Relievi fushor, ku përfshihet fusha e Lezhës pjesë e ultësirës perëndimore të Shqipërisë, që shtrihet nga veriu me fushën e Zadrimës, Kakarriqit, Torovicës, Balldrenit, Grykë Zezës, dhe në Perëndim e Jug me fushat e Ishull-Lezhës, Ishull-Shëngjinit, Treshit, Spitnit, Zejmenit, Pllanës, dhe fushën e njohur të bregut të Matit, buzë detit Adriatik.
I.4 Pasuritë ujore
Territori i Lezhës është mjaft i pasur me pasuri ujore të cilat të alternuara me relievin bregdetar, fushor, kodrinor ku ato ndodhen krijojnë panorama turistike mjaf tërheqëse për tu vizituar dhe shijuar bukuritë relaksuese që afrojnë. Pasuria ujore e Lezhës është e shumëllojshme dhe përbëhet nga një pjesë e ujrave të detit Adriatik, ujrat e lumenjëve, prroskave dhe përrenjëve, burimeve dhe krojeve, liqeneve dhe lagunave.
1. Ujrat e Detit Adriatik, përbëjnë sasinë më të mëdha ujore të tërritorit të Lezhës, nga Velipoja në grykëderdhjen e lumit Mat në gjatësinë prej 27.5 km vijë bregdetare dhe deri në vijën kufitare bregdetare.
2. Lumi Drin, lumi më i gjatë në Shqipëri me gjatësi 283 km, pellg 5817 km2, prurje mesatar vjetore 280 m3, mbi të cilin janë ndërtuar tre hidrocentrale përkatësisht; Fierza, Komani dhe Vau i Dejës. Formohet nga dy degë kryesore që janë; Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Drini i Lezhës (Ardaksani) fillon në afërsi të fshatit Mjedë të Shkodrës, më pas bashkohet me lumin Gjadër. Në shtratin e vjetër të këtij lumi rrjedhin infiltrime dhe ujra që grumbullohen nga fushat e Zadrimës, që futen në Lezhë e prej këndej përmes një derdhje të ngushtë në formë vije derdhet në detin Adriatik. Nga Lezha deri në grykë derdhje Ardaksani, është i lundrueshëm dhe ai tashmë është disiplinuar dhe në gjysmën e gjatësisë së tij përshkohet nga të dyja anët nga një shëtitore atraktive, mjaft joshëse për xhiro në këmbë nga qytetarët dhe vizitorët.
3. Lumi Gjadër, buron nga lartësitë e bjeshkëve të Kashnjetit e të Tërbunit të Pukës, me gjatësi 40.5 km, nga ku 10 km kalojnë nëpër Lezhë. Ka pellg ujëmbledhës 120 km2 dhe prurja mesatare rreth 9 m3/ujë në sekond. Përveç këtyre lumenjëve territori i Lezhës, përshkohet edhe nga disa lumenj më të vegjël (përrenj) si; Përroi i Manatisë (Kolsh), Përroi i Lushisë dhe Përroi i Qershisë, (Kallmet), Përroi i Troshanit (Blinisht), Përroi i Dibrrit dhe Përroi i Shpërdhazës, (Ungrej), luginat e të cilëve së bashku me luginat e lumenjëve Drin dhe Gjadër, afrojnë bukuri dhe larmi bukurish natyrore mjaft tërheqëse për ti vizituar përgjatë gjithë vitit.
4. Basenet ujëmbledhës (Rezervuarët artificialë) të cilët grumbullojnë rrjedhat e ujrave të disa përrenjëve dhe prroskave dhe janë një pasuri e madhe ujore, që shërbejnë kryesisht për ujitje, por edhe për kultivimin e faunës ujore kryesisht peshqeve por dhe ndikojnë në përmirësimin e klimës përrreth dhe rritjen e një flore dhe faune të shumëllojshme mjaf interesante. Në territorin e Lezhës ndodhen 5 rezervuare të tilla, që grumbullojnë 3105 m3 ujë, që vadisin 1130 ha tokë dhe konkretisht; Rezervuari i Troshanit, (Blinisht) me basen ujëmbledhës 90 m3/ pasqyrë ujitëse 70 ha, Fishtës me basen ujëmbledhës 433 m3 /pasqyrë ujitëse 150 ha, Kallmetit me basen ujëmbledhës 2044 m3/pasqyrë ujitëse 700 ha, Patalejt me basen ujëmbledhës 110 m3/pasqyrë ujitëse 50 ha, Kashnjetit, me basen ujëmbledhës 428 m3/pasqyrë ujitëse 160 ha..
5. Lagunat
Krahas burimeve të tjera ujore në territorin e Lezhës kemi edhe një pasuri tjetër shumë të rëndësishme për nga vlerat që ato paraqesin si për biodiversitetin ashtu edhe për fusha të tjera ekonomike që janë; Turizmi, peshkimi, gjuetia etj. Dhe ato janë lagunat, brenda të cilave gjallon një shumllojshmëri flore dhe faune nga më të rrallat jo vetëm në Shqipëri por dhe më tej. Ato janë; Laguna e Kënallës, që ndodhet në të djathtë të lumit Drin, me një sipërfaqe 20 ha, dhe thellësi 13-14 m. Për nga thellësia e ujit mund të konsiderohet edhe si një liqen natyral. Kjo lagunë furnizohet me ujë nga burimet e një sërë gurrave të nëndheshme ujore që dalin nga mali i Shëngjinit; Laguna e Merxhanit, që ndodhet edhe kjo në të djathtë të lumit Drin. Me sipërfaqe afro 300 ha dhe thellësi mesatae 0.75 m, ku thellësia maksimale shkon deri 1.5m; Lagunat e Zajes dhe Cekës në Vain, që ndodhen në të majtë të grykëderdhjes së lumit Drin dhe kanë një sipërfaqe prej 710 ha dhe thellësi mesatare 0.5 m dhe thellësi maksimale 1.3m.
I. 5 Temperatura, reshjet, lartësia mbi nivelin e detit etj
Një rol të rëndësishëm në formimin e klimës në territorin e Lezhës, që është një klimë mesëdhetare dhe kontinentale (Fushë/Kodra-Male) luajnë edhe ditët me diell, temperaturat, reshjet etj. Temperatura mesatare vjetore në këtë rreth është 15°C. (Mesataria e muajt Korrik luhatet nga 24-25° C, ndërsa ajo e muajt Janar është 7°C). Temperatura më e ulët në vlerë absolute, -10° C e regjistruar më 24 Janar 1963 në qytetin e Lezhës, ndërsa ajo me e lartë në vlerë absolute ka arritur në 45.5° C, regjistruar në Kallmet, (Korrik 1939). Sasia mesatare e reshjeve të shiut të rëna gjatë një viti varion nga 1300-1700 mm. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit e rrethit Lezhë është 215 m, ndërsa ajo maksimale është 1172m (maja e malit të Velës). Qyteti i Lezhës është në lartësinë 6 m, mbi nivelin e detit. Duhet evidentuar fakti se në këtë rreth kemi edhe vende nën nivelin e detit siç janë; Kënalla, Kakarriqi, Treshi etj në kuotën -4 deri në -6 m, me nivelin e detit. Vija kufitare e rrethit Lezhë është 181 km nga të cilët 124 km janë kufinjë tokësorë, 27.5 km kufinj detarë dhe 29.5 km kufinj lumor. Gjatësia maksimale Veri-Jug është 30 km, gjërësia maksimale Lindje-Perëndim 27 km. Lezha në territorin e saj ka 11 monumente natyrore.
II. Si mund të vihet në Lezhë?!..
Falë pozicionit të favorshëm gjeogafik ndër më të veçantit në Shqipëri, dhe ndodhjes në kryqëzatën e të gjitha arterieve të transportit; rrugor, hekurudhor, detar, ajror, duke shërbyer si nyje lidhëse Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, për të vizituar Lezhën mud të vihet në mënyra të ndryshme rrugëtimi;
a. Përmes rrugëtimit tokësor me mjete levizëse makina, furgonë, autobusë etj në Lezhë mund të vish nga të gjitha drejtimet dhe arteriet rrugore automobilistike, (ku veçojmë disa nga kryesoret distanca e të cilave nga Lezha në km është; Shkodra 41 km, Tirana 60 km, Durrësi, Aeroporti Nënë Tereza).
b. Përmes rrugëtimit hekurudhor për në Lezhë mund të vihet nga; Shkodra, Tirana,Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Pogradeci
c. Përmes rrugtimit detar, nag Durërsi dhe Shëngjini
d. Përmes rrugëtimit ajror me zbritje në aeroportin Nënë Tereza dhe më pas nëpërmjet rrugëtimit toksor Aereport-Fushë-Krujë-Lezhë. Por nëse aeroporti i Gjadrit mund të kthehet në civil, Lezhës do ti afrohej kjo mundësi udhëtimi, gjë e cila do të ndihmojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës dhe padyshim edhe të turizmit, pasi fluksi i vizitorëve nuk do të udhëtojnë për në destinacionet e tjera pa vizituar Lezhën me atë çfarë ajo afron.
III. Çfarë mund të vizitohet në Lezhë?!…
Mbi 90 objekte të ndryshme mund të vizitosh, ti njohësh dhe të marrësh informacion rreth tyre dhe konkretisht 20 Monumente Kulture, 11 Monumente natyrore, 45 Kisha, 3 Zona të Mbrojtura, 2 zona gjeomonumentale, 3 Laguna, 2 lumenj dhe shumë përrenj, 5 rezervuare artificiale etj. Thënë ndryshe gjithçka mund të vizitohet dhe shijohet në këtë trevë atraktive gjithëvjetore turistike si; objekte të shumta dhe të shumëllojshme të trashëgimisë historike dhe arkelogjike, kulturore, etnografike, punime artizanale, etnografinë, folklorin tradicional dhe muzikën e kultivuar, endjet e përlhurave të zonës së Zadrimës etj. Qëndra administrative është paradhoma e ftesës për të vizituar Lezhën dhe rrethinat e saj, nga ku çdo vizitor vendas dhe i huaj do të mbetet i kënaqur dhe do të vijë sërish për të eksploruar sa më shumë detaje të arealit turistik dhe historik të Lezhës. Duke filluar nga qendra e Lezhës mund të vizitohen këto objekte; Kompleksi Memorial i Gjergj Kastriotit; Obelisku i Lidhjes së Lezhës; Shëtitorja në të dy anët e Drinit; Kisha Françeskanëve; Muzeu Historik; Kalanë Mesjetare të Lezhës, Muzeun familjar të Ndue Marka Jak Bajraktarit, ku ndodhet dhe flamuri mbi 150-vjeçar i bajrakut të Dibrrit dhe krejt Mirditës; Enti Botues “Gjergj Fishta”; dhe më pas Qytetin e Shëngjinit, me plazhin e tij, Portin Detar dhe Ranën e Hedhur; Lagunën Kune-Vain; Ishullin e Mergjanit, Ishllin e Kune- Vainit, Ishullin e Shëngjinit dhe Lezhës; Plazhin e Tales etj, si dhe;
A. Monumentet e Kulturës (20)
1. Muret e qytetit antik të Liss-it (Zonë e Mbrojtur), që ndodhen mbi qytetin e Lezhës 172 m, mbi nivelin e detit. Duke përfshirë muret e kalasë mesjetare, si dhe gërmadhat e mureve të ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe kufizuar nga Veriu me rrugën që të qon në lagjen “Varosh”, nga Lindja me qafën e kalasë, dhe nga Perëndimi dhe Jugu me shtëpitë e para të qytetit të Lezhës.
2. Gërmadhat e Malit të Shëlbuem (AKROLIS), me vendndodhje mbi dhe në Jug të qytetit të Lezhës, që përfshin të gjithë gërmadhat e kuotës 408 m, mbi nivelin e detit. Me një distancë prej rreth 20 m, rreth e përqark mureve. Vizita e këtij objekti të lashtë është mjaft interesant relaksues dhe emocionues, pasi prej aty sheh si në pëllëmbë të dorës gjithë ultësirën perëndimore të pjesës veriore të Shqipërisë nga Velipoja në Kepin e Rodonit, dhe Ulqin.
3. Katedralja e Shna Ndout në Lezhë, ndodhet në pjesën e poshtme të qytetit antik të Lissus-it aty ku ndodhet Vendvarrimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu. Në shek XV-të Marin Barleti vë në dukje qartësisht se; “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu…u varros në qytetin Lissos, në Kishën më të madhe të Shën Kollit”. Nga gërmimet arkeologjike janë zbuluar disa shtresa që lidhen me periudha të ndryshme kulturore, duke filluar që në shekujt e perandorisë romake, që dëshmon për një proces shndërrimi në përputhje me ndryshimet historike të kalimit nga antikiteti deri në mesjetë.
Shtresa e parë që është më e vjetra përfaqësohet nga disa ndërtime që nuk lidhen me kishën, pasi pasqyrojnë një material arkeologjik të shekullit III-të, pas Krishtit. Që mund të medohet për ekzistencën këtu të një ndërtimi pagan.
Shtresa e dytë përfaqësohet nga një dysheme e shtruar me llaq që ka në përbërje qëlqere me përzirje grimcash tulle të imta, që paraqet një horizont të dytë në stratigrafinë e gërmimit të monumentit, që përfaqëson ndërtim të periudhës bizantine.
Shtresa e tretë, sqaron situatën pas pushtimit turk, kur kjo kishë mesjetare u shndërrua në xhami. Zbulimi i varreve pranë altarit të kishës dhe boshatisja e tyre, është një fakt i përmendur edhe nga burimet historike. M.Barleti shënon se: “…turqit dhe barbarët duke u bërë zotër të qytetit Lissos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skendërbeut”.
4. Kisha e Shën Venerandës njohur nga banorët vendas si kisha Shën Barbullës. Ndodhet në fshatin Pllanë. Dëshminë e parë rreth kësaj kishe i kemi në ‘1610 nga kryeipeshkvi Marin Bici. Ai shënon gjatë vizitës së tij në Pllanë se kishte gjetur “…një kishë të mirë për 500 vetë n’emnin e Shën Barbarbarës, me një hajat të bukur përpara”. Ndërsa Benedikt Orsini e rëndit këtë kishë në ‘1629, në listën e kishave të dioqezës së Lezhës të paisur me këmbonë, këlqe e veshje. Ndërsa ipeshkvi i Dioqezës së Arbërisë Mark Skuraj në tre relacionet e tij të viteve ‘1637, 1641, 1644, e përcakton si një kishë të Lezhës, e cila më parë kishte qenë në Dioqezën e Krujës. Është studiuar në hollësi nga Prof. dr. Aleksandër Meksi dhe është datuar në harkun kohor të shekujve XIII-XIV-të.
5. Kisha e Shën Aleksandrit, (Sh’Lledrit) në Spitën. Në periudha të ndryshme këtë kishë e ndeshim me emra të ndryshëm. Emrin e kësaj kishe e ndeshim për herë të parë në ‘1402 si San Alexandro Collematia. Shuflai e zbërthen emrin Colle Matia/ Bregu i Matës. Afro dy shekuj më vonë ipeshkvi Benedikt Orsini e përmend këtë kishë me emrin Shën Aleksi i Koprolit, emër lagjie në Spitën, që ka evuluar në format: Kaprol-Kapruell-Pruell. Në një relacion ipeshkvi Mark Skura pas ‘1644 e përmend këtë kishë me emrin Shën Leka i Bojkanit. Banorët vendas e njohet me emrin Kisha e Shën Llezhdrit..
6. Kisha e Shën Prendës, ndodhet në fshatin Balldren në të majtë të rrugës automobilistike Lezhë-Shkodër. Kjo kishë përmendet në relacionin e ipeshkvit të Tivarit Marin Bici në ‘1610, që pohon se kjo kishë , “…ka kelqe dhe veshje mjaft të mira si dhe një kumbanore por pa kumbonë”. Teodor Ippen dhe Milan Shuflai e konsiderojnë si një kishë të stilit romak. Nga Ippen është dhënë një mbishkrim që ndodhet në këtë kishë, i cili daton në ‘1462, në të cilin shkruhet; AN(N)O D(OMINI) / M(C)CCCLXII / MEM(EN)TO D(OMI)NE FAMUL(ORUM) / TU(OR)U(M) PERLATARUM CUM / O(MN)IB(US) SUIS AM(ICIS). Përkthimi: “Në Vitin e Zotit 1462. Kujto o Zot, shërbëtorët e tu Prelatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”. Në tërësinë e saj kjo kishë ruan vlera të rëndësishme arkitektonike.
7. Kisha e Shënkollit, ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër. Në të kaluarën kjo kishë ka shërbyer për besimtarët e të gjithë zonës së Bregut të Matit. Mbi gërmadhat e kishës së vjetër është ndërtuar kisha e re. Një linjë muri në anën e hyrjes së kishës së sotme, aktualisht shumë pak i ruajtur përbën të vetmen dëshmi, që flet për ekzistencën këtu të qelës së priftit. Ruhet vetëm një kënd muri me sipërfaqe 0.60 x 1.30cm. Nisur nga gjurmët e ruajtura të kishës së vjetër të Shën Kollit, mendohet se ajo mund të rënditet në ndërtimet e shekullit të XVIII, të Dioqezës së Lezhës.
Në listën e monumenteve të kulturës kemi edhe një sërë objektesh të tjera si; Rrënojat e Kishës së Shën Stefanit (Blinisht), Hoteli i Gjuetisë (Ishull Lezhë), Banesa e Ndue Zefit (Ishull Shëngjin), Banesa e Ndue Frrokut (Ishull Lezhë), Banesa e Geg Prendit në Patalej, Banesa e Esat Mlikës, ish Muzeu Etnografik, në lagjen Skendërbeg Lezhë (dëmtuar nga termeti i 15 Prillit 1979), Banesa e Sali Bajram Zekës (Lagjia “Varosh”, qyteti Lezhë), Shtëpia e lindjes së At’ Gjergj Fishtës (Fishtë), Ura e Shkinës (Blinisht), Rrënoja e Urës së Plakagjonit (Rroboshtë), Ura e Zogut, Zona Arkeologjike “A” dhe “B” e qytetit Lezhë.
B. Monumentet e Natyrës (11)
Monumentet e natyrës janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. “Ato janë objekte të natyrës së gjallë dhe jo të gjallë apo hapësira që përmbajnë një ose disa karakteristika me vlera të veçanta: shkencore, ekologjike, kulturore, didaktike, estetike dhe/ose fetare”. Këto vlera janë të lidhura me specifikën e veprimit të faktorëve dhe ligjeve natyrore. Pikërisht kjo specifikë ka kushtëzuar dallimin shumë të qartë të tyre nga objektet e tjera natyrore. Të listuara si monumente natyrore në territorin e bashkisë Lezhë janë 11 dhe konkretisht; Këneta e Kashtës, Lisi i Markatomajt, Pylli i Shënmisë (Kallmet), Rivat e Drinit, Rrapi i Grykës, Rrapi i Pirajve (Blinisht), Rrepet e Kolshit, Rëra e Hedhur, Shpella e Hutit, Shpella e Sukës së Vogël. Por Lezha me natyrën e saj tepër të larmishme dhe interesante përpos monumenteve natyrore të listuara, ka edhe shumë vlera të tjera që meritojnë statusin e trashëgimisë kombëtare, por këto vlera duhen studiuar me hollësi dhe mbi këtë bazë të bëhet argumentimi dhe propozimi për t’iu dhënë këtë status.
C. Zonat e Mbrojtura dhe gjeomonomentet (3/2)
Në zonat e para të mbrojtura në nivel kombëtar bëjnë pjesë edhe zonat e Kunes dhe Vainit me sipërfaqe 800 dhe 1500 ha, që janë një sistem ligatinor i përbërë nga një sërë vlerash natyrore e biodiversiteti dhe që konsiderohen perla të natyrës shqiptare, si dhe zona e Borizanës me sipërfaqe 880 ha. Nga territorii i krejt Lezhës me sipërfaqe 47800 ha, 3800 ha (ose 8% ) është e përfshira në zonat e para të mbrojtura, përkufizimi i të cilave është si vijon; “Territoret që përfaqësojnë bioqendra dhe biokoridore me rëndësi rajonale e vendore ose zonat me me bimë, kafshë, minerale e gjetje paleontologjike, veçanarisht të mbrojtura për qëllime studimore, edukative dhe kulturore”. Në Lezhë në listën e gjeomonumenteve kombëtare kemi edhe gjeomonomentet stratigrafike të Spitnit dhe gjeomonumentet e komplekseve magmatike, metamorfike e sedimentare ku bën pjesë vendburimi i titano-magnetiteve në Kashnjet.
D. Flora dhe Fauna
Territori i Lezhës ka një larmi relievesh, cilësish edafike, të klimës dhe mikroklimës me një biodiversitet në ndryshueshmeri, që ka kushtëzuar rritjen e një game të gjërë bimësh dhe speciesh shtazore. Në territorin e Lezhës takohen një sërë ekosistemesh të ndryshme si ato detare, bregdetare, lumenj, shkurre mesëdhetare përherë të gjelbërta dhe gjethe rënëse, pyje gjethegjërë, halorë dhe të përziera, që shtrihen nga bregdeti deri në lartësinë mbi 2000 m, mbi nivelin e detit.
Flora e Lezhës është e shumëllojshme dhe klasifikohet në disa grupe; natyrale dhe të kultivuara dhe halore dhe gjethore si dhe bimët mjeksore, eterovajore, tanfere etj, ndërsa fauna ndahet në dy grupe; Fauna e lagunave bregdetare (gjitarët, shpendët, peshqit, amfibët, repilët, insektet, molusqet etj) dhe Fauna e sipërfaqeve pyjore malore ku përfshihen lloje të ndryshme kafshësh, shpendësh, zvarranikësh, etj.
E. Objektet e Kultit (45)
Në territorin e Lezhës, ka një sërë objektesh të kultit të zbuluara numri i të cilave është 32, dhe të tjera të pazbulluara (13). Të ndara sipas periudhës që ato i përkasin, ndahen në katër gupime kryesore dhe konkretisht
Kisha paleokristiane të shekullit V-VI-të (2) ku bëjnë pjesë; Kisha e Shëngjergjit në Lagjen Kodër Marlekaj dhe Kisha paleokristiane që ndodhet mbi termën romake-Lezhë.
Kishat e shekujve VII-XI-të, (2) ku bëjën pjesë; Kisha e Mesjetës së hershme rrëzë kalasë së Lezhës dhe Katedralja e Shënkollit ku sot është Memoriali i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit.
Kishat e shekujve XII-XV-të (15) ku bëjnë pjesë; Kisha e Zonjës Nunciatë-Lezhë (Kodër Marlekaj, Kisha Famullitare e Shënkollit (Sot Shën Gjergjit në lagjen “Skënderbeg”-Lezhë, Kisha në Kalanë e Lezhës, Kisha e Shëlbuemit në Akrolissus-Lezhë, Kisha e Shën Gjinit (Shëngjin), Kisha e Shën Kollit (Kakarriq), Kisha e Shën Prendes (Balldren), Kisha e Shën Eufemisë (Kallmet), Kisha e Kastenjotit (Kepsh-Kallmet), Kisha e Shën Mhillit (Grykë-Manati), Kisha e Shën Vlashit (Manati e Vjetër/Solamunt), Kisha e Shën Demetrit/Sh’Medrit (Tresh), Kisha e Shën Aleksandrit/Sh’Llezhdrit (Spitën), Kisha Shën Kollit (Zëjmen), Kisha e Shën Barbarës/Shën Barbullës (Pllanë).
Kishat e shekujve XVI-XVIII-të, (13) ku bëjnë pjesë; Kisha e Shën Pjetrit (Rrenc), Kisha e Shën Kollit (Mali Rrencit), Kapela e Shën Gjergjit (Malin i Kakarriqit), Kisha e Shëngjinit/Shën Gjonit (Kallmet i Vogël), Kisha e Shën Gjon Kryepremit (Mërqi), Kisha e Shën Shëlbuemit (Velë), Kisha e Shën Prendes (Velë), Kisha e Shën Kollit (Tresh), Kisha e Shën Andonit/Shna Ndout (Pllanë), Kisha e Shën Kollit (Shënkoll), Kisha e Shën Mhillit (Kashnjet), Kisha e Shën Mhillit (Ungrej), Kisha e Shën Gjergjit (Rras). Si dhe një sërë kishash të tjera të paidentifikuara të cilat janë gjithësejt (13) dhe konkretisht; Shën Mëria e Borës (Lezhë), Shën Sebastiani (Lezhë), Shën Margarita (Lezhë), Shën Gjergji (Kukullës), Shën Mëria (Dardhë), Shën Kozmai e Damjani (Manati) Famullia e Shën Martinit (Ploxas) Famullia e të Shejtnueshmes Trini (Seljencë), Shën Madalena (Barbaisor), Shën Orendaj (Rejë), Shën Gjergji i Fikut, Shën Aleksandrit (Gaibit), Shën Kolli (Shëngjin).
IV. Kur mund të vizitohet Lezha?
Për vetë specifikën që Lezha dhe rrethinat, me relievin dhe klimën që ato afrojnë, mund të vizitohen në çdo stinë të vitit. Përmes një vizite në Lezhë do të relaksohesh me bukurinë e kësaj treve dhe do të shijosh flladin dhe dallgët e detit, bukurinë panaromike dhe të papërsëritshme të Ranës së Hedhun në Shëngjin, ashpërsinë natyrore të terrenit në zonën malore dhe butësisë hyjnore të peizazhit natyror në zonën fushore, që përfaqëson një perlë të veçantë të bukurisë natyrore Shqiptare të cilën nga do që ta vështrosh të sërvir një panoramë atraktive dhe mjaft tërheqëse për ta vizituar. Brenda një dite apo disa ditëve që mund të ndodhesh në territorin e Lezhës, të jepet mundësia të shijosh të katër stinët e vitit:
Pranverën e simfonisë së cicërimave të shpendëve, piskamës së melodive baritore të çobanëve, freskisë së bjeshkëve, luleve që lulëzojnë dhe jeshilojn me vezullim ylberian përgjatë gjithë vitit; Verën e nxehtë që freskohet nga erërat e freskëta dhe tallazët e detit nga Rana e Hedhun deri në grykdërdhjen e lumtit Mat në gjatësinë 27.5 km, dhe ujrat e lumenjëve dhe burimeve të tjera ujore; Vjeshtën e flladit të këndshëm të bregdetit, lagunave, luginave, bjeshkëve, prodhimve bujqësore dhe bjeshkënajës plot bereqet të kurorëzuar me natën bjeshkëtore dhe; Dimrin hera herë me dëborën plis të majemaleve, ushtimin gurgullues të ujrave nga prroskat e shumta, rrjedhjen zgjatuese të burimeve ujëakull nëpër lugjet dhe krojet…dhe plot bukuri të tjera si këto, që përbëjnë një kolorit të mrekullueshën gjithëvjetor dhe një atraksion turistik të veçantë për tu vizituar.
V. Pse duhet vizituar Lezha?…
Lezha duhet vizituar për trashëgiminë e pasosur dhe të shumëllojshme të vlerave të relievit, llojshmërisë biologjike të florës dhe faunës, klimës dhe mikroklimës. Për vlerat e mëdha historike, turistike dhe kulturore që mbart, larminë e pafund të peisazhit, relievin që befason me ndryshimin e shpejtë dhe bukuritë natyrore në çdo stinë të vitit. Për natyrën e rrallë të peizazheve mahnitëse që nga ultësura perëndimore e deri në lartësinë e majave të larta të maleve, Velës, Kreshtës, Kakarriqit, Rrencit etj. Bregdetin e sheshtë të Shëngjinit dhe Tales, por dhe bregdetin malor dhe mjaft interesant që kulmon në mrekullinë e papapërsëritshme të bregdetit shqiptar, Ranën e Hedhun. Për panoramën çlodhëse që krijojnë lagunat e Kunës dhe Vainit dhe shumëllojshmëria e florës dhe faunës që gjallon në to, por sidomos me shpendët e mrekullueshëm që herë janë fluturues dhe herë notues. Për peisazhin e mrekullueshëm me male, kodra, fusha, lugina dhe florën dhe faunën e pasur që gjallon në të. Për bujarinë dhe mikpritjen dhe mbi të gjitha për guzhinën tradicioanle të zonës me produkte bio, ku mbisundohet nga ushqimore të detit të kombinuara me plot ushqime të tjera të shijshme prodhime të zonës, që ndryshojnë nga një zonë në tjetrën.
****
Turizmi një përparësi zhvillimi aktual dhe perspektiv…
Pozita gjeografike ku ndodhet Lezha me rrethinat e saj, me një alternim të relievit, klimës, temperaturave, ditëve me diell, reshjeve mesatare vjetore etj, dhe mbi të gjitha me shumëllojshmërinë dhe veçanësinë e pakrahasueshme dhe të shumëllojshme të trashëgimisë historike, arkelogjike, kulturore, etnografike, punime artizanale, etnografinë, folklorin tradicional dhe muzikën e kultivuar, endjet e përlhurave të zonës së Zadrimës etj e identifikojnë Lezhën si një trevë me potencial të madh turistik dhe me mundësi rritje dhe zhvillimi në të ardhmen, brenda së cilës ndodhen mbi 90 objekte të ndryshme që mund të vizitosh, ti njohësh dhe të marrësh informacion rreth tyre.
Për ti paraprirë zhvillimit të turizmit dhe mundësive të pafundme që ai afron, duhen të aplikohen politika afat mesme dhe afat gjata, që të harmonizojnë mrekullinë natyrore që Zoti dhe Natyra ka dhuruar në këtë territor, me shtrirjen gjithëvjetore të mundësisë së eksplorimit të tyre, që do të bëjnë të mundur zhvillimin e turizmit në të gjithë territorin e bashkisë Lezhë dhe gjatë gjithë vitit, pasi qyteti i Lezhës dhe rrethinat paraqesin në vetëvehte një panoramë të veçantë turistike , të cilat të harmonizuara me politikat atraktive dhe kontributin e burimeve njerëzore dhe kapitaleve finaciare vendase dhe të huaja, do të bejnë të mundur që shumë shpejt Lezha të marrë emrin që vërtet meriton: LEZHA TURISTIKE. Ndaj detyra dhe sfida jonë e përbashkët është që;
Së pari ta eksplorojmë Lezhën anë e kënd saj;
Së dyti të identifikojmë të gjitha pasuritë dhe resurset e saj historike, arkeologjike, religjioze, natyrore, ujore, kulturore, etnografike, florën dhe faunën, dhe plot pasuri të tjera të saj;
Së treti ti promovojmë këto vlera universale që ajo mbart në truallin e saj, përmes aktiviteteve të ndryshme, fletë-palosjeve, guidave, emisoneve televizive, dokumentarëve, telereportazheve e mënyrave të tjerave, që deomos duhet të realizohet nga ekspertë dhe specialist të fushës si dhe personave që kanë eksperiencë në këtë fushë dhe;
Së katërti të ndërtojmë politika sa më atraktive, me synim që këto pasuri ti kthejmë në objekte të kërkueshme për tu vizituar dhe eksploruar nga vizitorët dhe turistët e ndryshëm, që do të bëjnë të mundur zhvillimin ekonomik dhe rritjen e prosperitetit të komuniteit vendas. Për ti paraprirë kësaj sfide dhe objektivi, mendoj që Bashkia Lezhë në strukturën e saj administrative të adresojë një sipërmarrje të veçantë në drejtim të shërbimit të zhvillimit turistik të Lezhës, duke krjiuar një Agjensi, Drejtori apo çfardo lloj organizmi tjetër, që të merret dhe ti shërbejë vetëm turizmit. Pasi ajo çfarë Lezha afron historikisht dhe natyralisht, përbën një aset të pazëvendësueshëm me burime të mëdha të zhvillimit të turizmit. Por nga ana e saj edhe qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe dikastereve të tjera në vartësi të saj, duhet të tregojë vemendjen që vërtet Lezha e turizmit gjithë vjetor ka merituar dhe meriton.

SHKARKO APP