Mafia shqiptare dhe ajo nigeriane po “rriten” frikshëm në Itali

Mafia shqiptare dhe ajo nigeriane po “rriten” frikshëm në Itali. Që të dyja mafiet kanë zhvilluar lidhje me rëndësi gjatë viteve, deri në atë pikë sa në janar të vitit të kaluar, një grup pune i FBI-së arriti në Castelvolturno, në krahinën e Kasertës, për të shkatërruar një rrjet aktiv në zonë dhe të lidhur me rrjedhjet e parave që vijnë nga droga që operon në Europë nga mafia nigeriane, në emër të bosëve që jetojnë në Amerikë.

Paratë riinvestohen më pas, për të financuar trafikimin e qenieve njerëzore, duke paguar kontrabandistët dhe kujdestarët dhe duke u dhënë ryshfet zyrtarëve. Mafia shqiptare nga ana e saj krenohet me marrëveshjet me krimin e organizuar në Kalabri, (struktura e brendshme e të cilit është shumë e ngjashme me atë të Ndrangheta-s), por edhe me atë të Pulias, deri në pikën e importuesit të parë të marihuanës dhe heroinës dhe gjithashtu mbulon 12 % të rrjetit të prostitucionit.

Prostitucioni favorizohet sidomos nga liberalizimi i vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë, pasi tani më shumë vajza janë të destinuara të hyjnë në “unazën” e prostitucionit, teksa hyjnë në Itali si “turistë të thjeshtë”. Në radhët e mafies shqiptare rekrutohen vazhdimisht anëtarë të rinj. Kjo tregon një aftësi të qartë të mafies shqiptare për të rinovuar radhët e tyre. Ndërkohë, nuk mungojnë as luftërat për pushtet e territor mes vete mes bandave shqiptare vetë. Mafia shqiptare gjithashtu është shumë aktive edhe në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe deri në pikën që më 19 janar gazeta britanike “The Guardian” publikoi një shkrim me titullin “Mbretërit e kokainës, si mafia shqiptare mori kontrollin e trafikut të drogës në Britani e Madhe “, shkruan Il Giornale.

Mafia nigeriane nga ana e saj është e lidhur edhe me segmente të caktuara në Libi, teksa karabinieria përpara disa kohëve arrestoi tre persona nga Nigeria, nën akuzat për shfrytëzim prostitucioni dhe ndihmë ndaj emigracionit të paligjshëm.

Në muajin shkurt, karabinierët në Catania nisën operacionin “Route 385”, quajtur kështu sipas emërtimit që ka rruga që lidh Calatinon me autostradën Catania – Syracuse dhe arrestoi pesë qytetarë nigerianë (duke përfshirë tre gra), të gjithë të akuzuar për rrëmbim personi, shfrytëzim prostitucioni dhe emigracion të paligjshëm.

Siç shpjegon Mauro Indelicato që ka ndjekur nga afër çështjen, realiteti është i tillë: shumë vajza rekrutohen në vendin afrikan, ndonjëherë u premtojnë atyre kushte më të mira jetese ose në raste ekstreme duke ua vendosur grave të reja këtë zgjedhje me kërcënime. Sapo mbërrijnë në Libi, kriminelët libianë dhe nigerianë ose nga shtete të tjera të afërta afrikane, që veprojnë në Tripolitania hyjnë në veprim. Krimi në Katania besohet se nuk është asgjë më shumë sesa një përzierje e frikshme e elementëve mafiozë të Italisë e të Nigerisë.

Mafia nigeriane tani është e rrënjosur dhe aktive jo vetëm në Sicili, por edhe në Campania në zonën e Casertës (këtu ka prani historike të mafies), në Emilia Romagna, Liguria, Lombardia, Piemonte dhe Veneto. Me rëndësi të veçantë është roli i të ashtuquajturave “maman”. Këta nuk janë gjë tjetër përpos se gra të moshuara tashmë, shpesh ish-prostituta, të cilat janë menaxhuese për kontrollin dhe menaxhimin e prostitutave. Vajzave e grave që prostituojnë në Itali iu kërcënohen shpesh prej mafies të afërmit që i kanë në shtetin nigerian.

/Ora News

 

SHKARKO APP